Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime me Iranin, por duhet të bëjë dy gjëra për të shmangur veprimet ushtarake të SHBA, të heqë dorë nga armët bërthamore dhe të ndalojë së vrari protestuesit.

Ai tha se shumë anije luftarake amerikane po shkojnë drejt Iranit në Lindjen e Mesme dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të ishte e nevojshme t'i përdornin.

"Kemi shumë anije shumë të mëdha dhe shumë të fuqishme që lundrojnë drejt Iranit tani, dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t'i përdornim.", tha Trump.

Komentet e tij të fundit vijnë pas javësh presioni mbi Iranin për të negociuar një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

Më herët gjatë kësaj jave, Trump paralajmëroi se nëse nuk arrin marrëveshje për programin bërthamor, do të pësojë sulm më të keq se ai i qershorit 2025, ku u goditën objektet bërthamore.

Presidenti konfirmoi se aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln  ka mbërritur në Lindjen e Mesme dhe është e gatshme tashmë për sulme.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij mbetet i gatshëm të rikthehet në negociata me SHBA-në dhe këmbëngul se diplomacia është e vetmja rrugë për zgjidhjen e tensioneve.

Ndërsa BE deklaroi se palët duhet ti japi shans diplomacisë në një reagim ndaj mundësisë që SHBA të sulmojë iranin në orët e ardhshme.

Situata në Iran ndërkohë është tragjike prej javësh. Bilanci I përplasjeve mes civilëve dhe agjentëve iranin të sigurisë sipas Human Rights Activists Njuz Agency u përkeqësua duke shkuar në 6.221 të vdekur në protesta.

Por numri mund të jetë frikshëm më i lartë se kaq. Revista Time, e cila citoi dy zyrtarë të lartë të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, raportoi të hënën se rreth 30 mijë persona mund të jenë vrarë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
SHBA-të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit, Ministri i Brendshëm dhe disa komandantë të Gardës Revolucionare në shënjestër

Foto: Flamuri i SHBA-së dhe Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit. Ministri i Brendshëm Eskandar Momeni dhe disa komandantë të Gardës Revolucionare janë vënë në shënjestër.

Firmat e shërbimeve financiare Zedcex Exchange dhe Zedxion Exchange janë vënë gjithashtu në shënjestër.

"Ne do të vazhdojmë të shënjestrojmë rrjetet iraniane dhe elitën e Iranit", tha Sekretari i Thesarit Scott Bessent. Në vend që të ndërtojë një Iran të begatë, regjimi ka zgjedhur të shpërdorojë atë që ka mbetur nga të ardhurat e vendit nga nafta për zhvillimin e armëve bërthamore, raketave dhe përfaqësuesve terroristë në të gjithë botën", tha Sekretari i Thesarit Scott Bessent.

‘Presidenti Trump qëndron me popullin iranian dhe i ka udhëzuar Thesarin të sanksionojë anëtarët e regjimit. Thesari do të vazhdojë të shënjestrojë rrjetet iraniane dhe elitat e korruptuara që pasurohen në kurriz të popullit iranian’, shtoi ai, duke theksuar se kjo përfshin përpjekjet e regjimit për të shfrytëzuar asetet dixhitale për të shmangur sanksionet dhe për të financuar operacionet e krimit kibernetik.

“Jini të sigurt, Thesari do të veprojë”, përfundoi ai.

Ora 15:31
Ministri i Jashtëm i Iranit: Të gatshëm për negociata me SHBA-në, diplomacia është rruga për zgjidhjen e tensioneve

1768426394_aa.JPG

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij mbetet i gatshëm të rikthehet në negociata me SHBA-në dhe këmbëngul se diplomacia është e vetmja rrugë për zgjidhjen e tensioneve.

Diplomati më i lartë i Iranit tha se procesi duhet të bazohet në “drejtësi dhe ligj”, duke shtuar se Irani nuk do ta braktisë diplomacinë pavarësisht presionit në rritje.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga diplomacia”, tha ai, duke theksuar se dialogu, në vend të konfrontimit, mbeti qasja e preferuar e Iranit.

Komentet u bënë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm në Turqi, ku ai po zhvillon bisedime me zyrtarë të lartë turq.

Ora 13:45
Turqia gati të ndërmjetësojë mes Iranit dhe SHBA-ve, Erdogan: Diplomacia e vetmja zgjidhje!

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan

Ankaraja është e gatshme të luajë një rol ndërmjetësues mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, për të ulur tensionet në rajon. Kështu tha të premten presidenti turk Recep Tayip Erdogan pas një bisede telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian

Sipas njoftimit të bërë nga zyra për shtyp e presidentit, dy liderët diskutuan për rritjen e tensioneve ushtarake në rajon dhe theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për ruajtjen e stabilitetit.

Erdogan ritheksoi se Turqia është e gatshme të shërbejë si urë lidhëse mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke vënë theksin te diplomacia si rruga e vetme për zgjidhje.

Nga ana e tij, Pezeshkian tha se Irani ndjek një politikë të bazuar në dialog dhe respekt të ndërsjellë, brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare, duke refuzuar kërcënimet dhe përdorimin e forcës.

Ai shtoi se çdo proces diplomatik ka nevojë për besim të ndërsjellë dhe për ndaljen e veprimeve kërcënuese dhe nxitëse të luftës në rajon.

Deklaratat vijnë pasi president Donald Trump tha disa ditë më parë se një flotë e madhe ushtarake amerikane po lëviz drejt Iranit, duke paralajmëruar se “koha po mbaron” për një marrëveshje mes Teheranit dhe SHBA-së.