Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerallejtënant Eyal Zamir, tha se raketat iraniane kanë një "rreze veprimi që mund të arrijnë kryeqytetet evropiane: Berlinin, Parisin dhe Romën".
Kjo deklaratë e tyre vjen pasi më herët Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-të dhe Izraeli janë duke i arritur objektivat e tyre me operacionin në Iran.
Po ashtu, vendet e G7 u bashkuan sot kundër Iranit, ku ministrat e jashtëm të tyre i bënë thirrje Teheranit që të ndalë sulmet në rajon dhe të garantojë sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, gjatë orëve të fundit, Irani ka nisur një valë raketash drejt qytetit jugor Izraelit të Dimonës, ku zhvillohet programi bërthamor i Tel Avivit. Nga sulmet u plagosën të paktën 39 persona, por nuk ka të dhëna për incident bërthamor. Sulmi vjen si shenjë hakmarrje pasi forcat izraelite dhe amerikane kryen sulme në impiantin bërthamor iranian në Natanz.
Më herët gjatë natës së kaluar, Irani kreu një valë të re sulmesh ndaj Izraelit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvajtit në ditën e 22-të të luftës. Ndër të tjera ai ka kërcënuar Emiratet e Bashkuara Arabe se do të sulmojë qytetin portual Ras al-Khaimah nëse ishujt e saj të Gjirit vazhdojnë të sulmohen.
Irani ka konfirmuar se ka lëshuar dy raketa balistike drejt bazës anglo-amerikane në Diego Garcia, e vendosur në zemër të Oqeanit Indian. Ushtria izraelite tha në orët e para të së shtunës se një valë e re raketash ishte lëshuar nga Irani drejt territorit të saj, duke shtuar se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar për të kapur predhat. Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se goditi objektivat e Hezbollahut në Bejrut, pasi lëshoi një paralajmërim evakuimi për shtatë lagje në periferitë jugore të kryeqytetit libanez.
Teksa luftimet vijojnë, SHBA-të kanë hequr dorë përkohësisht nga sanksionet mbi naftën iraniane që ndodhet aktualisht në det të hapur, duke lejuar që ajo të shitet në shumicën e vendeve me qëllim mbajtjen e çmimeve të naftës të ulëta. Autorizimi afatshkurtër do të lejojë që afërsisht 140 milionë fuçi naftë të hyjnë në tregjet globale.
Ndërkohë Administrata e Donald Trump po harton një strategji për të siguruar ose nxjerrë materialet bërthamore të Iranit, thanë burime për CBS News. Sipas tyre planifikimi është përqendruar në vendosjen e mundshme të forcave nga Komanda e Përbashkët e Operacioneve Speciale, një njësi ushtarake elitare që shpesh ngarkohet me operacione shumë të ndjeshme.
Lajm në përditësim...

Ministrat e Jashtëm të G7-ës kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku dënojnë sulmet e Iranit në rajon.
"Ne i dënojmë me fjalët më të ashpra sulmet e regjimit iranian kundër civilëve dhe infrastrukturës energjetike", thuhet në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga të gjithë ministrat e jashtëm të G7-ës, përfshirë SHBA-në, mbi luftën në Iran.
Ky dokument, pas shumë mosmarrëveshjesh, shënon unitetin e ripërtërirë politik të Perëndimit.
"Sulmet e pajustifikueshme të regjimit iranian kundër shteteve të Gjirit kërcënojnë sigurinë rajonale dhe globale", thuhet në dokument.
"Ne bëjmë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha sulmeve nga regjimi iranian. Ne riafirmojmë rëndësinë e ruajtjes së korridoreve detare dhe sigurisë së lundrimit, duke përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe të gjitha rrugët ujore kritike që lidhen me të, si dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe stabilitetin e tregjeve të energjisë", thuhej më tej në deklaratë.
Ministrat thonë se janë të gatshëm "të marrin masat e nevojshme për të mbështetur furnizimet globale me energji, siç është lirimi i rezervave të vendosura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë".
G7 gjithashtu përsërit se Irani nuk duhet të prodhojë armë bërthamore dhe duhet të ndalojë zhvillimin e raketave balistike.

Një raketë balistike iraniane goditi një ndërtesë në qytetin jugor izraelit të Dimonës.
Sipas shërbimit të shpëtimit ‘Magen David Adom’, rreth 39 persona u plagosën, përfshirë një djalë 10-vjeçar dhe një grua 40-vjeçare.
The Times of Israel raporton se të plagosurit, përfshirë një të ri në gjendje të rëndë, u transportuan në Spitalin Soroka në Beersheba. Një grua 30-vjeçare pësoi lëndime nga xhamat që ‘fluturonin’, ndërsa 37 personat e tjerë pësuan lëndime të lehta.
Qyteti i Dimonës është vendi ku zhvillohet programi bërthamor i Izraelit. Disa raunde sirenash paralajmëruan për raketa që po vinin në Dimona të shtunën në mbrëmje. Transmetuesi kombëtar iranian IRIB TV pretendoi se sulmi në Dimona kishte në shënjestër objektet bërthamore dhe se erdhi si përgjigje ndaj sulmit të mëparshëm të Izraelit në Natanz, vendndodhjen e një objekti bërthamor iranian.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha në një telefonatë me kryeministrin indian Narendra Modi se një parakusht për t'i dhënë fund luftës dhe konfliktit në rajon është ndërprerja e menjëhershme e agresionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, së bashku me garancitë kundër përsëritjes së veprimeve të tilla në të ardhmen.
Këtë kusht e bëri të ditur në një postim në rrjetin social ‘X’ Ambasada Iraniane në Indi.
Pezeshkian gjithashtu propozoi krijimin e një kuadri rajonal sigurie të përbërë nga vendet e Azisë Perëndimore, që synon sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon përmes bashkëpunimit rajonal pa ndërhyrje të huaja.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli besojnë, bazuar në disa informacione, se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei është ende gjallë, por po kërkojnë shenja, gjithashtu për të kuptuar se kush mban aktualisht pushtetin në Teheran.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se një burim i njohur me detajet përmendi ndër provat se ai është gjallë, përpjekjet e zyrtarëve të lartë iranianë për të organizuar takime ballë për ballë me të, të cilat dështuan për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Në të njëjtën kohë, një zyrtar amerikan vuri në dukje se Uashingtoni ende po përpiqet të kuptojë se kush po i jep të gjitha vendimet në Teheran: "Nuk kemi prova se ai po jep të gjitha urdhrat. Është e çuditshme, për të thënë të paktën. Nuk besojmë se iranianët do të shqetësoheshin të zgjidhnin një njeri të vdekur si udhëheqës suprem, por në të njëjtën kohë, nuk kemi prova se ai është në të vërtetë udhëheqësi de facto."

Irani po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së qarkullimit në Ngushticën Bab al-Mandeb nëse Shtetet e Bashkuara pushtojnë Ishullin Kharg.
Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), duke cituar një burim ushtarak shkruan se çdo veprim ushtarak amerikan kundër Ishullit Kharg mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh, duke goditur potencialisht sigurinë në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab al-Mandeb, si dhe sulme të mëtejshme ndaj infrastrukturës rajonale të energjisë.
I njëjti burim deklaroi se nëse Uashingtoni do të zbatonte kërcënimet e tij për të pushtuar këtë qendër strategjike të naftës, Irani do të përgjigjej me masa "të papara", duke pasur parasysh zhvillimet e tre javëve të fundit të konfliktit. Po ashtu, i njëjti burim ushtarak paralajmëroi se synimi i rrugëve të tjera ujore të rëndësishme, përfshirë Ngushticën Bab al-Mandeb dhe Detin e Kuq, është ndër opsionet që po shqyrtohen nga Irani dhe aleatët e tij, duke paralajmëruar se përballja mund të shtrihet përtej Ngushticës së Hormuzit.
Burimi shtoi se një sulm ndaj Kharg mund të ndërpresë përkohësisht prodhimin iranian të naftës dhe të shkaktojë hakmarrje kundër infrastrukturës së energjisë në të gjithë rajonin, duke rritur rreziqet për tregjet globale. Burimi ushtarak për agjencinë Tasnim pohoi gjithashtu se forcat amerikane nuk do të ishin në gjendje të siguronin ishullin, në rast të një sulmi dhe mund të pësonin humbje "të papara që nga Lufta e Dytë Botërore", duke nënvizuar shkallën e mundshme të përshkallëzimit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tasnim të Iranit, disa shpërthime ndodhën në bazën ushtarake amerikane në Juffair të Bahreinit.
Një deklaratë tjetër e lëshuar nga e njëjta agjenci në Telegram, e raportuar nga Sky News, tha se disa shpërthime të fuqishme u dëgjuan në të gjithë ishullin këtë pasdite.
Lajmi vjen pasi Ministria e Brendshme e Bahreinit lëshoi një paralajmërim në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve të "shkojnë në vendin më të afërt të sigurt" për shkak të sirenave që paralajmërojnë për sulme të ardhshme.

Ka shkuar në 22, numri i vendeve që i bashkohen deklaratës së përbashkët, të nënshkruar ditët e fundit, fillimisht nga 6 shtete, për të garantuar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit pas një armëpushimi të armiqësive, duke dënuar mbylljen e kësaj rruge jetike detare nga ana e Iranit.
“Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes ngushticës”, thuhet në dokumentin e nënshkruar tashmë nga 22 vende.
Nisma fillimisht u ndërmor nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia; ndërkohë i janë bashkuar Kanadaja, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Danimarka, Letonia, Sllovenia, Estonia, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Republika Çeke, Rumania dhe Lituania, si edhe Australia, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Edhe pse kanë shprehur gatishmërinë e tyre për zhbllokimin e Hormuzit, shtetet që i janë bashkuar kësaj nisme, nuk kanë shprehur konrektisht se në cilën formë do të angazhohen. Dokumenti i mbështetur fillimisht nga Britania, Italia, Gjermania, Franca, Holanda dhe Japonia, u publikua të martën (17 Mars) nga zyra e qeverisë britanike.
Ditët e fundit, aleatët e Natos, janë kritikuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka etiketuar ata 'frikacakë' për shkak se kanë vendosur të mos angazhohen ushtarakisht në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Trump kërkoi edhe nga Kina një angazhim në këtë zonë duke argumentuar se nuk janë SHBA ato që përfitojnë nga transporti detar i karburantit që kalon nëpër Hormuz, por janë kryesisht vendet evropiane dhe Pekini zyrtar.

Agjencia e Inteligjencës izraelite, Mossad, ka dërguar një mesazh në persisht, ku u ka kërkuar të gjithë iranianëve që mund të kenë informacione mbi industrinë bërthamore të Teheranit, t’i kontaktojnë.
"Nëse keni qasje në informacion në industrinë bërthamore, na kontaktoni. E ardhmja juaj është e garantuar me ne", thuhet në mesazhin e Mossad në persisht.
Ky mesazh i Mossad në persisht është shpërndarë në rrjetin social Telegram dhe që i drejtohet qytetarëve iranianë.
Ftesa, të cilën Ynet raportoi se u transmetua në një kanal që besohet të jetë afër shërbimeve të inteligjencës izraelite, u kërkon informatorëve të mundshëm t'i kontaktojnë ata nëpërmjet një "kanali të sigurt".

Irani ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj depove të karburantit të avionëve ushtarakë në Aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, duke "kompromentuar seriozisht" furnizimin e tyre.
Në një deklaratë, ushtria iraniane tha se sulmet e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike kundër objektivave ushtarake e detyruan Izraelin të evakuojë një numër trupash të saj.
Sulmet "do të vazhdojnë me forcë" derisa kërcënimi ndaj Iranit të "eliminohet", thuhet në deklaratë.
Aeroporti Ben Gurion, i vendosur disa kilometra në juglindje të Tel Avivit, strehon njësi të forcave speciale të ushtrisë izraelite dhe është ngjitur me objektet e mirëmbajtjes dhe riparimit për avionët luftarakë izraelitë.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar impiantin e pasurimit të uraniumit në Natanz Nuclear Facility, në Iran. Lajmi është raportuar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim News Agency. Nuk është raportuar asnjë rrjedhje radioaktive, thekson Yedioth Ahronoth.
Teherani konfirmoi se ka lëshuar dy raketa balistike kundër bazës së përbashkët anglo-amerikane në ishullin Diego Garcia, në Oqeanin Indian, rreth 3,810 kilometra nga Irani: kështu shkruan agjencia Mehr Neës Agency. “Ky lëshim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përballjen me Shtetet e Bashkuara”, thekson agjencia.
Megjithatë media në SHBA (WSJ) raporton se asnjë nga raketat balistike nuk ka krijuar dëme pasi ato nuk kanë arritur objektivin. Njëra prej tyre ka dështuar rrugës ndërsa tjetra është rrëzuar nga sistemi antiraketë i SHBA në zonë.
Fakti që Irani ka shënjestruar ishullin sugjeron se raketat e tij kanë një rreze veprimi më të madhe nga sa ishte vlerësuar më parë. Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi kishte deklaruar se Teherani kishte kufizuar qëllimisht rrezen e raketave të veta në 2,000 km.

Foto: Vladimir Putin
Moska mbetet një mik besnik dhe partner i besueshëm i Teheranit, theksoi Presidenti Vladimir Putin në një mesazh urimi për Novruzin, Vitin e Ri Persian.
"Vladimir Putin i uroi popullit iranian forcë për të kapërcyer këto sprova të vështira dhe theksoi se, në këtë kohë të vështirë, Moska mbetet një mik besnik dhe partner i besueshëm i Teheranit", thuhej në deklaratën e Kremlinit.
Putin gjithashtu u dërgoi urime edhe presidentëve të Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.
"Mesazhet e urimit theksuan nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe me këto vende të CIS dhe shprehën besimin se lidhjet shumëplanëshe dhe të dobishme reciprokisht do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses", tha Kremlini.

Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se po shikon disa strategji për të sekuestruar arsenalin bërthamor të Iranit. Lajmin e bën të ditur CBS News duke cituar disa burime që kanë informacione në lidhje me këtë çështje.
Sipas tyre, administrata Trump po vlerëson se si të sigurojë materialin bërthamor iranian. Në këtë kohë, një burim specifikoi, se Trump ende nuk ka marrë një vendim.
Megjithatë, sipas dy burimeve të cituara nga CBS News, plani përfshin vendosjen e mundshme të forcave nga Komanda e Përbashkët e Operacioneve Speciale, njësia ushtarake elitare që shpesh ngarkohet me misionet më të ndjeshme kundër përhapjes së armëve bërthamore. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Pentagoni është përgjegjës për përgatitjet teksa nuk pranoi të japë detaje të tjera.

Foto: Abbas Araghchi
Irani është i gatshëm të ndihmojë anijet japoneze të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi për Kyodo News.
Japonia mbështetet në importet e naftës bruto nga Lindja e Mesme, pjesa më e madhe e së cilës kalon tranzit nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë tregtare thelbësore për furnizimet globale me karburant.
Irani ka bllokuar aksesin në Ngushticë në përgjigje të sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, duke i lënë vendet e varura nga kjo rrugë transporti të gjejnë alternativa të tjera dhe të shfrytëzojnë rezervat e tyre.
"Ne nuk e kemi mbyllur ngushticën. Është e hapur", tha Araghchi.
Ai argumentoi se vendet që sulmojnë Iranin përballen me kufizime, por të tjerëve u ofrohet ndihmë. Irani është gati të sigurojë kalime të sigurta për Japoninë, shtoi ai. Ekonomia e katërt më e madhe në botë është importuesi i pestë më i madh i naftës, 95% e së cilës vjen nga Lindja e Mesme, 70% e së cilës kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Të hënën, Tokio njoftoi se kishte filluar të shfrytëzonte rezervat e saj strategjike të naftës, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë, ekuivalente me 254 ditë konsum të brendshëm.
Më 11 mars, anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ranë dakord të përdorin rezervat e tyre të naftës për të zbutur rritjen e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, në atë që është deri tani operacioni më i madh i tillë i kryer ndonjëherë.

SHBA-të kanë hequr dorë përkohësisht nga sanksionet mbi naftën iraniane që ndodhet aktualisht në det të hapur, duke lejuar që ajo të shitet në shumicën e vendeve me qëllim mbajtjen e çmimeve të naftës të ulëta.
Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së. Autorizimi që do të zgjasë për 30 ditë do lejojë që afërsisht 140 milionë fuçi naftë të hyjnë në tregjet globale.
Komente













per distanca te largeta gjithmon deshtohet heren e pare , vlen si test
PërgjigjuMbroni vendin dhe pasurin me gjith forcen bombardoni te gjith Agresoret qe duan tju zhdukin nga karta gjeografike
Përgjigju