Vendimi per Spahiun:
• Deklaratat e z. Ekrem Spahia, në debatin e zhvilluar në emisionin “Debati në Chanel One” të datës 21.03.2013, të transmetuar në Televizionin Chanel One, janë diskriminim i drejtpërdrejtë, sipas parashikimit të nenit 3, pika 2 e ligjit nr. 10 221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, pasi ato paragjykojnë dinjitetin dhe cënojnë të drejtën për siguri dhe mbrojtjen nga dhuna të personave për shkak të orientimit seksual.
• Detyrimin e z. Ekrem Spahia, si personi i cili ka konsumuar sjelljen diskriminuese si më sipër, të kërkojë publikisht ndjesë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga marrja dijeni për këtë vendim, dhe të evitojë në të ardhmen përdorimin e gjuhës e cila prodhon efektin e nxitjes, shpërndarjes ose promovimit të urrejtjes ose formave të tjera të diskriminimit kundër personave për shkak të orientimit seksual.
• Në zbatim të nenit 33, pika 11, të ligjit nr. 10 221, datë 04. 02. 2011, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”,detyrohet z. Ekrem Spahia, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve të njoftojë Komisionerin, lidhur me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.
• Në referim të nenit 33, pika 11 e ligjit nr. 10 221, datë 04. 02. 2011, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”,moszbatimi i këtij vendimi sjell si pasojë ndëshkimin me gjobë sipas parashikime të bëra në pikën 13 të po këtij neni.
Vendimi per z. Lame:
• Shprehjet e përdorura nga z. Artan Lame në artikullin e datës.23.03.2013 me titull “Dështimet e Shtetit”, adresuar komunitetit LGBT në Shqipëri janë diskriminuese sipas parashikimit të nenit 3, pika 2 e ligjit nr. 10 221, datë 04.02.2010“Për mbrojtjen nga diskriminimi”, pasi ato paragjykojnë dinjitetin dhe cenojnë sigurinë dhe mbrojtjen nga dhuna të personave për shkak të orientimit seksual dhe identitet gjinor.
• Detyrimin e z. Artan Lame si personi i cili ka konsumuar sjelljen diskriminuese si më sipër, të kërkojë publikisht ndjesë brenda 15 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim dhe të evitojë në të ardhmen përdorimin e gjuhës e cila prodhon efektin e përhapjes, nxitjen e urrejtjes apo të tjera forma të diskriminimit kundër personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të tyre.
• Bazuar në nenin 33/11 të Ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, z. Artan Lame detyrohet që brenda 30 (tridhjetë) ditëve të njoftojë Komisionerin, lidhur me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.
• Në referim të nenit 33, pika 11 e ligjit nr. 10 221, datë 04. 02. 2011, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, moszbatimi i këtij vendimi sjell si pasojë ndëshkimin me gjobë sipas parashikimeve të bëra në pikën 13 të po këtij neni.
(ad.ti/shqiptarja.com)