Iris Luarasi: Lumturia brenda
mureve të shtëpisë

Iris Luarasi: Lumturia brenda<br />mureve të shtëpisë
Home sweet home! Kësaj shprehjeje pedagogia e gazetarisë, Iris Luarasi, nuk ka asgjë për t’i shtuar. Në ato tri fjalë është pjesa më intime e jetës, ngritur vit pas viti, sipas një këndvështrimi ku e pamundura thuajse nuk ekziston. Sepse për Irisin, gjërat ndodhin ashtu si i projekton në mendjen tënde!

Nëse në fillim të javës thoni fundjavë, çfarë mendoni?
Kur mendoj fundjavën, në ditët e mia të mira, më vjen në mendje që do të fle shumë se gjithmonë jam defiçitare me gjumin. Më vjen ne mendje që do te rri dhe do të shpenzoj shumë kohë me fëmijët dhe me Enon, dhe përgjithësisht si familje bredharake që jemi, më vjen në mendje edhe ndonjë udhëtim.
Pastaj uikende të tëra janë të okupuara me punë.

Nuk rrini në shtëpi?
Mua më pëlqen në fakt që të rri edhe në shtëpi. E shijoj pa fund të ndenjurën në shtëpi, por mendoj se kjo është e lidhur ngaqë pjesën tjetër të javës jam jashtë dhe jam akoma e malluar me shtëpinë.

Cfarë do të thotë t’i kushtohesh shtëpisë në fundjavë?
Shumë gjëra; të rregullosh në sirtare, dollape, rroba që nuk i gjen asnjëherë, që kur vjen fundi i një sezoni kujtohem unë të ndryshoj rrobat, se nuk kam pasur kohë deri në atë moment, dmth të bëj edhe ato gjëra që nuk i bëj dot gjatë ditëve të javës.
Kam një grua që më ndihmon në pastrimin e shtëpisë, por mendoj se nuk ka njerëz që mund ta lëvizin atë gjë, të paktën ashtu siç e ke menduar ti. Ndaj kam rënë në paqe me veten dhe kur kam pak kohë mun dohem që atë gjë që e kam me merak ta bëj ashtu siç dua unë.

Merreni me ide krijuese në shtëpi?
Arredimi është një pjesë që edhe unë edhe Eno e kemi me shumë qejf. Shtëpinë e kemi arreduar sipas mënyrës tonë, dhe mendoj që njerëzit që vijnë tek ne e pëlqejnë si e kemi bërë. E kemi si mënyrë të jetuari që të bëjmë ndryshime në gjërat e vogla të shtëpise, por që sjellin ndryshime të mëdha. Sa herë që dalim jashtë shtetit, në çfarëdolloj udhëtimi, marrim një gjë të veçantë nga ai vendi ku jemi, që gjithmonë është një dhuratë për shtëpinë tonë.
Kur blemë shtëpinë, 10 vjet më parë menduam që të merrnim një arktitekt për ta arreduar. Por pastaj kur morëm vesh sa e shtrenjtë ishte, hoqëm dorë dhe morëm një vandak të madh me revista. Ato ishin në fakt arkitekti ynë. Mendoj se kemi bërë një shtëpi moderne me shumë ngjyra, absolutisht shumë të rehatshme. Nga dy dhoma të ndara, ne bëmë ca hapje të mëdha që t’i kemi të tëra në një vend, sepse na pëlqen të gatuajmë dhe kur ftojmë njerëz në shtëpi do të donim shumë që edhe gjatë kohës që ne gatuajmë të ishim pjesë e komunikimit.

I blinit të gatshme mobiljet apo tentonit vetë ndonjë gjë?
Të gjithë gjërat tona u morën jashtë, edhe për hir të të qenit të veçantë, por kryesisht sepse ishte shumë herë më lirë sesa në Tiranë. E njëjta bufe që kam blerë në Itali, këtu është tre herë më shtrenjtë. Nuk e kam parë veten asnjëherë në gjendje sa për të blerë gjëra në Tiranë. Nga katalogjet vendosëm ngjyrat sesi ta lyenim shtëpinë. Një anë komplet blu dhe anën tjetër ngjyrë shege.
Nuk ishin shpikjet tona por të revistave. Janë ngjyra të forta, por shumë të gëzueshme. Në pjesën tjetër të shtëpisë muret e tjera janë të bardha, dyert e bardha. Unë jam akoma e dashuruar me ato dyer përveç ndriçimit që i sjellin shtëpisë. Ambjentin shegë e kemi vënë në pjesën ku hamë e gatuajmë. Oxhakun e kemi blerë në Romë dhe pjesën e brendshme të oxhakut e kemi blerë në Londër. Të tjerat I kemi blerë në Itali. Shtëpia jonë ka pak nga e gjithë bota.

Cfarë janë miqtë për ju?
Miqtë janë një kënaqësi shumë e madhe në shtëpinë tonë. Jam një njeri me shumë fat sepse kam një burrë që për mua është shefi më i mirë i kuzhinës në të gjithë Shqipërinë dhe këtë e them me sinqeritetin më të madh. Eno është gazetar në profesion dhe ka një radio të vetën që ne e duam se është si bebja jonë. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për të gatuar.
Mua më pëlqen shumë të gatuaj, por në krah të Enos, jam gjithmonë ndihmësja. Ai ka një aftësi për të ditur si kombinohen gjërat dhe për të krijuar. Unë nuk e kam atë aftësi. Them që gatuaj mirë, por jam thjesht një ndjekëse pa gabime e një recete që lexoj në një libër kuzhine. Kur na vijnë njerëz për dreka e darka unë bëhem ndihmësja e Enos, qëroj hudhrat psh, bëj nga këto gjërat që t’i vij në ndihmë shefit të kuzhinës (qesh). Sallatat më pëlqen t’i bëj, por pjatën kryesore e ka Eno, si ekskluzive. Nuk ia dal dot.
Jam dorëzuar.

Sa e kanë ndryshuar jetën fëmijët?
Përpara se të lindte Noah, më preokuponte shumë kjo pjesa a do të ndryshonte jeta jonë, dhe kjo është një gjë që shqetëson çdo femër që bëhet nënë për herë të parë. Unë them që gjërat ndodhin ashtu si ti I projekton në mendjen tënde. E gjitha varet nga ne dhe nuk duam të ndryshojmë asgjë në jetën tonë kaq bukur sa e kemi tani, nga dy do të bëhemi tre, jeta do të bëhet edhe më e bukur, por ne do të bëjmë të gjitha gjërat që do të bënim edhe po të ishim dy. Unë atëherë isha 30 vjeç, por nuk doja të lija asgjë pa bërë vetëm sepse po bëhesha nënë. Kështu që unë ndenja në punë deri në ditën e fundit.
Ndoshta kam qenë me fat se nuk jam ndjerë fare shtatzanë, deri ditën e fundit në punë, harroja që isha grua me barrë dhe vrapoja nëpër shkallë e vetëm kur ngrihej diafragma lart e kuptoja që e duhet të ulja ritmin. Pra ne nuk ndryshuam asgjë, nuk kemi humbur asnjë nga udhëtimet jashtë shtetit dhe jeta jonë vazhdon të jetë e bukur si atëherë.

Hobi?
Unë gjithmonë kam pasur qejf të këndoj dhe në tetëvjeçare kam qenë solistja e shkollës. Eno ka mbaruar liceun artistik, kështu që darkat tona bëhen shumë të veçanta sepse ne kemi një kitarë në shtëpi, dhe këndojmë. Eno bën zërin e parë, unë bëj të dytin. (Qesh). Repertorin e kemi me këngë shqiptare italiane dhe amerikane.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike