Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të dalë nesër (pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE) të sulmojë BE-në dhe komisioneren Marta Kos, duke pretenduar se janë blerë nga Alekxis Soros.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku po diskutohej për Konferencën Ndërqeveritare, e cila është një hap i rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sipas Spahiut, Berisha jo rastësisht po e sulmon ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzaton, pasi sipas tij, në ditët në vijim kreu i PD-së do të thotë se ‘Gonzato gënjen, pasi Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar në BE’.
“Sigurisht ai nesër do të dalë të thotë që Aleks Soros e bleu BE-në, bleu Marta Kos dhe ambasadorin e BE-së në Shqipëri. Prandaj jo rastësisht ka 6 muaj që e sulmon ambasadorin e BE-së në Shqipëri, që nesër të dalë edhe të thotë ‘ai gënjen, Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet’”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej, teksa foli për rikonfirmimin e Berishës si kryetar të PD-së në një palë zgjedhje pa garë, Spahiu tha se kryedemokrati nuk ka marrë asnjë urim, përveç atij të Ilir Metës, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit te 313-ta në Tiranë.
Spahiu tha se Berisha nuk ka marrë asnjë urim as nga politikanët në Kosovë, duke e vënë theksin te kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku (duke qenë se LDK ka qenë parti aleate e PD-së).
Sipas Spahiut, Sali Berisha është një njeri që i kanë vënë kryqin të gjithë dhe askush nuk e konsideron ekzistencën e tij politike.
“Po ta vësh re, i vetmi urim që i ka ardhur Berishës, është nga Burgu 313, që e ka uruar Ilir Meta. E dyta, nuk ka asnjë ambasador që ta urojë. E treta, nuk ka asnjë parti popullore. Dhe nuk ka asnjë urim as nga Kosova. As nga Kurti dhe as nga Abdixhiku. Tmerr, mos të të marrë në konsideratë as Abdixhiku. Sepse LDK ka qenë parti aleate e PD-së dhe nuk e merr më në konsideratë PD-në. Është një njeri që i kanë vënë kryqin dhe nuk e konsiderojnë fare në ekzistencën politike në orbitë”, vijoi më tej Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Sali Berisha mund të largohet nga politika vetëm duke u dënuar nga gjykata, ose duke u ndërgjegjësuar qytetarët që ai është një patericë e kryeministrit Edi Rama dhe duhet votuar një parti tjetër opozitare.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se dënimi i Berishës nga gjykatat në Shqipëri është shumë i vështirë, pasi sipas tij, asnjë gjykatës nuk e merr guximin për një vendim të tillë.
“Unë konsideroj që Berishën mund ta largojnë 3 faktorë nga PD. Unë mendoj se Berishën mund ta largojë Zoti, mund ta largojë Rama dhe mund ta largojë Gjykata përmes dënimit me burg. Mendoj që Zoti nuk e merr, sepse ai është aq i ligë, sa zakonisht të ligët nuk i merr, zakonisht merr të mirët shumë shpejtë. E dyta, mendoj që edhe Rama nuk e heq, nuk e përdor super-pushtetin e tij, sepse është njeriu më i interesuar për të mbyllur hesapet e tij politike, kalkulimet e tij, ndryshimet kushtetuese dhe për t’i thënë faktorit ndërkombëtar ‘ose gogoli, ose unë’. Edhe faktori ndërkombëtar bie dakord me një lloj establishmenti, sepse ka shfaktorizuar Berishën dhe mbaron punët e veta me Ramën dhe PS-në, të cilët i hapin rrugën për çdo gjë edhe BE-së edhe SHBA-së.
Unë mbetem në bindjen time, se i vetmi faktor që mund ta largojë Berishën nga politika dhe kreu i PD-së, është një dënim penal nga gjykata, por duhet të jetë shumë i vështirë. Sepse socialistët do të luajnë çdo lloj guri që Berisha të mos dënohet penalisht dhe të shpallet e pafajshëm. Që të funksionojë kjo procedurë kushtetuese dhe ligjore për ta larguar nga politika, është shumë e vogël dhe mendoj që nuk ka gjyqtarë që ka kurajon dhe guximin që ta nxjerrë nga politika. Pra e vetmja mënyrë është ose me dënim penal, ose me parti nga jashtë, që do të thotë se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen që ai është një patericë e Ramës dhe duhet votuar një alternativë tjetër”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente





