Ironia e Spahiut: Pse opozita është kundër përçarjes së Ramës me Veliajn dhe proteston vetëm para Bashkisë?

 

Kreshnik Spahiu, sot në Report TV

Një tjetër temë e ‘nxehtë’ e intervistës në Report TV me juristin Kreshnik Spahiu ishte konflikti i mundshëm brenda mazhorancës apo pyetja nëse ka përçarje, duke marrë shkas edhe nga hetimet e nisura prej SPAK për kryebashkiakun Veliaj.

Ai u shpreh se nuk besonte se ka përçarje brenda mazhorancës, sepse edhe veprimet e opozitës janë më shumë prej ‘injoranti politik’, duke ironizuar aksionet e çuditshme të Berishës dhe PD, me protesta te Bashkia, por jo te Kryeministria.

“E marrim të mirëqenë se ka konflikte në mazhorancë. Padyshim se ka. Konflikti i Ahmetajt është publik, i ditur. Por mund të ketë edhe të tjera. Por a do i interesonte opozitës një PS e përçarë, apo e unifikuar? Edhe më injoranti në politikë do thoshte se PD-së i intereson që PS të përçahet në dy apo tre fraksione. Pra ti si drejtues i opozitës, duhet të mbështesësh ata persona a fraksione që janë kundërshtarët e Edi Ramës. Vetëm një herë ka ndodhur rikthimi i Berishës në pushtet më 2005, kur Meta e përçau dhe mori 25% të partisë dhe krijoi parti. Natyrisht atë kohë Berisha ishte me Metën se fal votave që mori Meta si fraksion në 2005, erdhi në pushtet Berisha”, tha Spahiu.

Dhe e zhvilloi më tej argumentin e tij, duke nxjerrë në pah paradoksin politik të opozitës:

“Për analogji të gjithë atyre injorantëve politikë do u thoja nëse ka përplasje mes Veliajt dhe Ramës, meqë po thuhet e diskutohet, siç e thotë e Berisha, se Erjon Velisë ia ka bërë Edi Rama. Tani pyetja është për Sali Berishën dhe të gjithë ata që i shkojnë pas: Pse ju jeni kundër Erjon Veliajt dhe protestoni çdo javë te Bashkia. Juve politikisht duhet t’ju interesojë që Erjon Veliaj të jetë kundër Edi Ramës dhe anasjelltas! Dhe nëse Veliaj është në konflikt, ju keni interes që ai të krijojë një parti, të krijojë një konflikt, fraksion, të përçajë PS dhe ju të vini në pushtet. Këtë e kupton edhe me idioti i politikës. Pyetja është për të gjithë ata që i shkojnë pas: Pse Sali Berisha proteston dhe sulmon Veliajn, kur ai është fraksioni i vetëm që mund ta përçante PS-në? Pse Berisha ka 6 muaj nuk proteston te kryeministria dhe proteston vetëm te Bashkia e Tiranës? Pse shkon bllokon çdo rrugë, çdo semafor, kryqëzim, shkon para çdo godine, vetëm te Kryeministria nuk ka shkuar këtë vit? I morën mbarë gjithë sheshet, shkuan te bashkia, po jo te Kryeministria!”

Dhe të gjithë këtë situatë ai e lidh me faktin se pas kësaj fshihet një Pazar apo pakt.

“Këtu ka dy gjëra, ose ka pazar me Ramën dhe s’do të vijë në pushtet, ose janë tërësisht injorantë dhe nuk e kuptokan që një çarje e PS-së, Veliaj-Rama, u intereson atyre. Unë mendoj se kjo e dyta nuk ekziston. Sepse ata injorantë nuk janë në politikë, ata janë shejtan-budalla, ata e kuptojnë shumë mirë, por janë peng, e dinë shumë mirë rezultatin, as u intereson fare nëse çahet PS, s’kanë interes të fitojnë, se kanë tjetër pazar politik”, thotë juristi.

Një tjetër pyetje e intervistës ka qenë nëse SPAK nis hetime me denoncime anonime, si në rastin e kryebashkiakut Veliaj, ku organi i akuzës e pranoi se kishte marrë denoncim nga një person me nesti Angoni dhe që nuk ekziston?

“Kjo është pyetje e rëndësishme. Në radhë të parë prokuroria ka të drejtë të nisi hetime edhe kryesisht, pa kallëzues direkt. Sepse ai person nuk ekziston, është konfirmuar nga SPAK që Nesti Angoni nuk ekziston, nuk identifikohet, ka qenë thjesht për të çuar zarfin me dokumente. Ka edhe denoncime të tjera, është hapur realisht një praktikë negative këtu, e cila nuk duhet lejuar, jo se ka nisur vetëm me Veliajn, sepse ka nisur më parë edhe me Gjykatën Kushtetuese, në detyrë apo gjatë Vettingut, denoncime me e-maile. Nga persona që s’kanë lidhje me punën apo aktivitetin dhe janë marrë për bazë dhe ish-kreu i Kushtetueses është dënuar 1 vit me kusht, pavarësisht se nuk u dhimbset politikës apo militantëve. Pra kemi praktika negative të precedentëve penalë, që janë hapur nëpërmjet denoncimeve dhe kallëzimeve anonimë. Unë jam i mendimit që këto denoncime dhe kallëzimet anonime të mos merren e pranohen. Por jo të mos hetohen, që mos keqkuptohen prokuroria e SPAK, pra nëse ka një informacion apo lajm, prokuroria ta fillojë procedimin apo hetimin për provat”, shprehet juristi për Report TV.

Spahiu argumenton edhe pse është kundër kësaj praktike me njerëz anonimë, por shtoi se nuk ëhstë kundër hetimeve të çdo rasti të tillë që publikohet qoftë edhe në media, pra të verifikohen.

“Ajo që mendoj, është se në të ardhmen të mos i jepen frymëmarrje personave anonimë në kallëzime nga persona për qëllime politike, mendoj se kjo rrugë duhet ndërprerë, kjo s’ka lidhje me Veliajn, se nesër mund të dëmtohet edhe opozita mbi këtë bazë. Mua kjo s’më duket e udhës. Duhet vendosur një standard, përtej llogjikës së turmës, se ato s’duan t’ia dinë për të drejtat e njeriut apo aspektet proceduriale, ato duan sekuestrime dhe arrestime, është psikologji popullore kjo. Sidomos për popuj që kalojnë periudha me mungesa arrestimi, shteti, demokracie, korrupsioni, mjerimi, skamjeje etj. Për shqiptarët të korruptuar janë të gjithë. Për turmën janë të korruptuar policët, prokurorët, politikanët, gjyqtarët, doganierët, pedagogët, mjekët etj. Këta nuk janë kinezë, janë shqiptarë. Pra ne duhet të jemi më të ftohtë në gjykim, kur vjen puna në këto çështje, arrestime, gjykime. Pra edhe nëse ai është Berisha, apo Meta, Veliaj dhe Rama të arrestohen, duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Nuk e dëshiroj që të ndiqen penalisht me procedime të paligjshme, kushdo qoftë. Duhet të ndalohen praktika e kallëzimeve anonime, duhet të jetë histori e mbyllur”, theksoi ai.


Lajmi kryesor:

Kreshnik Spahiu në REPORT TV: Personazh i vitit janë ‘Tifozat Kuqezi’! Berisha dhe Rama do shkrijnë çdo parti tjetër më 11 Maj! PD e PS duhet të ishin të jashtëligjshme


A.Q/I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi/ Vrau 5 persona në Cetinje, publikohet FOTO e autorit, policia ende në kërkim

Mali i Zi/ Vrau 5 persona në Cetinje, publikohet FOTO e autorit, policia ende në kërkim