TIRANE - Deputeti socialist Arben Isaraj ka vendosur t’i japë fund të gjitha spekulimeve që janë bërë në lidhje me një komunikim të tij me nënkryetarin e grupit parlamentar të PS Erjon Braçe në rrjetin social facebook. Ai thotë se mediat në vend që të merreshin me rritjen e kriminalitetit dhe paralel me të armatosjen e politikës janë marrë me komunikimin e tij me kolegun Braçe në facebook nën statusin “natën parfumosen me ndryshkun e skrapit dhe ditën me pallto përveç zbokthit natyral kanë grimca kromi”.

Deputeti Isaraj e ka zbardhur tërësisht dialogun me Braçen, duke bërë dhe komentet përjatëse. “Mendova se mediat e Aleancës së “integrimit“ do tregonin së paku një fije serioziteti mbi gjendjen skandaloze të kriminalitetit në vend dhe armatosjen e politikës në luftën e pushtetit.

Joooo… përkundrazi, i paska befasuar komunikimi im dhe i Erjon Braçes në facebook, mbi foto dhe aktivitete politike ku ka pëlqime, ironi dhe komente miqësore dhe “armiqësore”, ku ka kënaqësi por ka dhe dhimbje. Për t’i shuar kureshtjen kujtdo dhe për të mos harxhuar paratë e bukës për gazeta me tirazh biblik po ju ofroj dhe njëherë origjinal komunikimin tim me kolegun, shokun dhe mikun Erjon Braçe, mbi një fotografi personale:

“Erjon Braçe: Fol e mbro të drejtat tona. Unë pas Gazhelit të bëra Like. Mbaje mend këtë.

Arben Isaraj: E ç'të të them o vëlla Erion, mbi mendjen e mbi të mbajturit mend!!!! Para ca kohësh ti, unë e të gjithë si puna jonë ftuam ca miq në shtëpinë tonë politike. "Miqtë" nga i pari deri tek i fundit, e ndjenë veten aq mirë e ngrohtë, sa ndryshuan ngjyrën e shtëpisë, oborrin, derën, dritaret, dhomat bile dhe haletë.

Dhe tani të ashtuquajturit miq të shtëpisë, që me sa u duk donin më tepër shtëpinë se sa të zotët, na tregojnë çdo orë e çdo ditë në bashkëpunim me mediat e Saliut e të Ilirit, me gjuhën e Kasëmit dhe Mazllëmit, se si do të na nxjerrin nga shtëpia...

Unë i mbetem parimit se të gjithë na duhen për të përmirësuar shtëpinë tonë politike, por.... të hyjnë nga dera duke trokitur (me punë e votë) dhe jo të "desantojnë" nga dritaret dhe oxhaqet....

Note: Edhe për ata që s’duan t’ja dinë aspak:
1. Gent Gazheli, është një prurje e re në PS direkt pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-sës. 8 vjet me ne, 8 vjet pas nesh në çdo aktivitet dhe aksion politik, duke kontribuar sipas mundësisë që ka dhe i ofrojnë.

2. Kasëmi dhe Mazllëmi, janë “manjatë” të medias në Shqipëri që lëpijnë Qeveri dhe fërkohen me flori. Kanë parfum ndryshku dhe zbokth kromi”. Ky ka qënë tërë komuniki mes dy deputetëve socialistë i afruar po përmes rrjetit social Facebook nga Isaraj.

Ka kohë që deputetët socialistë, por dhe deputetët e partive të tjera janë pjesë e debateve të forta në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, ku në kohë reale japin deklaratat e tyre por dhe debatojnë dhe deklarojnë qëndrimet përkatëse për ngjarje dhe fenomene politike dhe në sektorë të tjerë jetikë në Shqipëri.

Por shpeshherë komentet në rrjetet sociale kanë shërbyer dhe për mesazhe indirekte për liderët politikë të tyre, për të shprehur mospajtimin me qëndrime të ndryshme. Kundërshtitë ndaj liderit kryesisht i japin deputetët dhe zyrtarët socialistë, të cilët guxojnë shpesh të reagojnë.

Ndërsa në adresat private të deputetëve dhe ministrave të PD vihet re në mënyrë të qartë “uniteti” rreth kryetarit Berisha dhe angazhimi për të qenë në të njëjtën linjë me të. Sidomos pasi Berisha ra në “dashuri” me Facebook, ndërkohë që akuzonte Ramën se bënte “ciu, ciu”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)