Zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj shprehet se nuk ka konsensus politik për miratimin e draftit kushtetues për reformën në drejtësi.

Në një shënim të detajuar mbi këtë çështje, Isaraj shkruan se mungon konsensusi politik që kërkon 83 vota, dhe opozita përpiqet në mënyrë të pakuptimtë, të kërkojë unanimitet politik me 94 vota.

Ja komenti i plotë i Isarajt.
 KONSENSUS APO UNANIMITET NË REFORMËN PËR DREJTËSINË ?
“Consensus gentium” si marrëveshja e njerëzve, ka patur dhe ka brenda mundësinë, por edhe idealen drejt më të mirës për shoqërinë.
Përkufizimi më i thjeshtë i Konsensusit (“cōnsentiō”- mendime, ide a veprime që “ndihen bashkë”, “pajtohen” apo “pëlqehen”, por nuk janë të njëjta, të barabarta apo unike), ka gjetur përdorim për herë të parë që në 1843-in si:

“.... marrëveshje e përgjithshme në lidhje me një diçka, gjë, ide apo mendim, që është e ndarë me të gjithë njerëzit e një grupi të caktuar”.
Përkufizimi më i thjeshtë i Unanimitetit (“ūnanim”- të një mendje, në marrëveshje të plotë), gjendet në shek 15-të si:
“...njëzëshmëria në dhënien e pëlqimit për një gjë, ide apo veprim”.... si ”konsensus i përgjithshëm”.

Konsensusi i përgjithshëm, apo thënë ndryshe Unanimiteti, është fraza ideale e kundërshtuar pa mëshirë pothuajse nga të gjithë në demokraci.
KONSENSUSI ndryshe nga UNANIMITETI, tani përdoret gjerësisht dhe veçanërisht në politikë.

Pjesëmarrësit në një proces efektiv të konsensusit – thonë politologët, duhet të përpiqen për të arritur në vendimin më të mirë të mundshëm, për grupin dhe të gjithë anëtarëve, në vend që të konkurrojnë për preferencat e tyre personale.

Ka një konsensus të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe ka një konsensus pothuaj total, në mesin e qytetarëve për reformën në drejtësi.

Por, ka edhe një konsensus politik në arritjen e marrëveshjes/vendimit në krijimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, si dhe të grupit të ekspertëve vendas e të huaj bashkëngjitur tij.

Por nuk ka “konsensus” politik për miratimin në Komisionin kuvendor, të produktit të ekspertëve vendas dhe të huaj.

Opozitarët kërkojnë zëvendësimin e Konsensusit të politikës (83 vota), me Unanimitetin e politikës (94 vota).

Unanimiteti politik.... dje, sot dhe nesër mbetet i pamundur, në të kundërt s’do të kishte as Demokraci dhe as Politikë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)