“Mendimi im personal është se, në qoftë se do të ketë një zgjidhje kompromisi, atëherë ajo do të jetë një rezultat i drejtpërdrejtë i një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Montgomery për mediat serbe.
Në këtë drejtim, ai sheh katër skenarë të mundshëm për Kosovën. E para, thotë ai, është një vazhdim i situatës aktuale, e cila në fund të fundit do të përdoret si një arsye për bllokimin e pranimit të Serbisë në BE. E dyta, shton Montgomery, është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe.
“Unë pres që BE do t’i kërkojë Serbisë të ndikojë në Rusinë për të ndaluar bllokimin e pranimit të Kosovës në OKB në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE”. Skenari i tretë i mundur, sipas diplomatit amerikan është se në fund të procesit, para Serbisë do të vendoset zgjidhja “merre ose lëre” – “e pranoni pavarësinë e Kosovës dhe do të hyni në BE, ose refuzoni një gjë të tillë dhe nuk do të jeni pjesë e saj”.
Dhe skenari i katërt i mundshëm, sipas tij, është që lidershipi serb dhe kosovar të arrijnë një marrëveshje dypalëshe, në të cilën do të ketë elemente që komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i pëlqente".
Si një shembull i elementeve të tilla, Montgomery thotë se është një formë e ndarjes së Kosovës dhe përfshirja e një pjese të vogël të territorit të Serbisë, e cila është e populluar kryesisht nga shqiptarë etnikë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com









