TIRANE - Ish-deputetit të Partisë Demokratike Sami Gjergji, i komunikohet akuza e “mashtrimit me kredi”. Vendimi është marrë nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës, ku pas hetimeve disa mujore dhe bazuar në materialin kallëzues të njërës prej bankave të nivelit  të dytë në vend, prokuroria i ka komunikuar akuzën e mashtrimit me kredi, biznesmenit të vezëve Sami Gjergji. Ky i fundit njihet si një nga biznesmenët miq të kreut të FRD Bamir Topi.

Sipas të dhënave të dosjes, thuhet se në vitin 2009, ish-deputeti Gjergji ka marrë një kredi me vlerë 1.7 milione euro. Për këtë kredi, mësohet se biznesmeni-deputet ka lënë si garanci hipotekore tre objekte, të vlerësuar nga ekspertët e bankës, me një vlerë prej 5 mln euro.

Banka e ka miratuar kredinë, dhe Sami Gjergji e ka tërhequr shumën. Hetuesit thonë se biznesmeni nuk ka shlyer këstet e pagesës, duke detyruar bankën, që gjatë këtij viti të kërkojë ekzekutimin e vendimit, për marrjen e kolateralit të lënë nga gjergji. Por, nga shitja e tyre dhe vlerësimi i bërë nga ekspertët e bankës, ka rezultuar se këto objekte, nuk kapin shumen e kredisë së marrë nga Gjergji, ndaj dhe banka ka ngritur pretendimin se ish-deputeti e ka mashtruar

Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)