Ish-deputetja e diktaturës kthehet
në Kuvend: S'më pëlqejnë zënkat

Ish-deputetja e diktaturës kthehet<br />në Kuvend: S'më pëlqejnë zënkat<br /><br>
Zoica Sema, deputete e Partisë Komuniste të Shqipërisë në tre legjislatura parlamentare(V-VI-VII) është rikthyer dje në sallën e seancave plenare për të ripërjetuar emocionet si politikane. Sema tregon për Shqiptarja.com se karrigen e saj në sallën e seancave plenare e ka zënë ish-kryeministri Sali Berisha. “Kam qenë ulur në karrigen e tretë të rreshtit të tretë, djathtas.. Mesa më thanë, në atë karrige ishte zoti Sali Berisha, më bëhet qejfi shumë”, tha Zoica Sema.

Nga viti 1962 deri në 1974, Zoica Sema në moshën 23 vjeçare, ka qenë deputete e rrethit të Lushnjës. Ish-deputetja tregon për Shqiptarja.com se rikthimi në Kuvend e ka rinuar dhe se ndihet shumë e lumtur për vendin që zënë gratë apo të rejat sot në parlament. Për këtë ajo nënvizon një thënie popullore, për prezencën e grave në Kuvend ‘gruaja zbut gurin, jo më burrat’.

“Sot më duket vetja sikur jam rinuar edhe njëherë që erdha këtu, sepse kam qenë deputete në një moshë shumë të re, 23 vjeç kam qenë. Më bëhet shumë qejfi në fakt, për të rinjtë që janë zgjedhur apo ata që kanë mbaruar shkollën jashtë, dhe për gratë, për shoqet që janë zgjedhur, sepse gruaja gjithmonë, i thonë një fjale popullore ‘zbut gurin, jo më burrat’”, tha ish-deputetja Sema. Përpos emocioneve, zonja Sema dëshiron që deputetët e kësaj legjislature të jenë solidar me njëri tjetrin në të mirë të atdheut.

“Theksoj se nuk më pëlqejnë zënkat që bëjnë me njëri tjetrin, duhet të jenë më të vëmendshëm, duhet të jenë më solidar me njëri tjetrin për të mirën e vendit, për të mirën e atdheut.. dhe t’i hedhin tej ato ofendimet e rënda ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh për Shqiptarja.com ish-deputetja, e cila shton se në kohën e saj deputetët kanë pasur më shumë rregull dhe disiplinë.

Intervista e plotë

Pse keni ardhur të vizitoni Kuvendin gjatë këtyre ditëve?
Jam Zoica Sema, nga Remasi i Lushnjës, kam qenë deputete nga viti 1962 deri në vitin 1974 dhe kam shumë nostalgji. Ndaj dhe sot kam ardhur, të shikoj edhe njëherë karrigen ku kam qenë ulur për 12 vjet.

Ku keni qenë ulur?
Kam qenë ulur në karrigen e tretë të rreshtit të tretë, djathtas.. Mesa më thanë, në atë karrige ishte zoti Sali Berisha, më bëhet qejfi shumë..që ka zgjedhur Sali Berisha karrigen time.

Cilat janë përshtypjet tuaja në krahasim me atë kohë në këtë kohë?
Përshtypje të mira, kanë bërë ndryshime brenda për brenda si institucion. Ndërsa në lidhje me ndryshimet e sjelljes së deputetëve, ne kishim një rregull më të fortë, më shumë disiplinë. Theksoj se nuk më pëlqejnë zënkat që bëjnë me njëri tjetrin, duhet të jenë më të vëmendshëm, duhet të jenë më solidar me njëri tjetrin për të mirën e vendit, për të mirën e atdheut.. dhe t’i hedhin tej ato ofendimet e rënda ndaj njëri-tjetrit..

Si e përjetoni rikthimin tuaj në Parlament?
Sot më duket vetja sikur jam rinuar edhe njëherë që erdha këtu, sepse kam qenë deputete në një moshë shumë të re, 23 vjeç kam qenë. Më bëhet shumë qejfi në fakt, për të rinjtë që janë zgjedhur apo ata që kanë mbaruar shkollën jashtë, dhe për gratë, për shoqet që janë zgjedhur, sepse gruaja gjithmonë, i thonë një fjale popullore ‘zbut gurin, jo më burrat’. Gruaja ka një zemër të madhe, me një dëshirë të bashkojë njerëzit ashtu siç bashkon familjen...

A jeni e kënaqur me politikbërjen e sotme?
Jo shumë.

Ku qëndron problemi?
Problemi është se partitë duan që secila të dalë në krye vetë, dhe përderisa kërkojnë këtë që të gjithë drejtuesit duan të jenë të parë.. mua më është fiksuar një thënie e një historiani, i cili ka thënë se edhe në kohën e turkut shqiptarët pretendonin që të bëheshin të gjithë të parët, mirëpo kjo po ecën si vazhdë dhe ne moj bijë e nënës duam që të bëhemi të gjithë të parët, të drejtojmë qeverinë... kjo është e keqja jonë, mendoj unë. 

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje