Ish-gardisti i Berishës Skeja
gjobë me makinën e prokurorit

Ish-gardisti i Berishës Skeja<br />gjobë me makinën e prokurorit
TIRANE - Zbardhen detaje të rreja rreth gjobvënies prej 100 mijë euro, ku është i përfshirë ish-gardisti, Fatos Skeja, i cili pas deklarimeve ditën e djeshme në policinë e kryeqytetit sot është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Imeraj.

Për rreth 3 orë e 30 min Skeja ka dëshmuar në prokurori në cilësinë e personit nën hetim, ndërsa veç tij organi i akuzës ka vendosur të pyesë dhe uniformat blu të njësisë operacionale “GOS”, të cilët pak ditë më parë kanë drejtuar operacionin e koduar "Dorëzimi i kontrolluar".

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se operacioni i policisë ka dështuar, pasi nuk është bërë e mundur kapja në flagrancë e autorëve të gjobvënies, ndërsa transaksioni i parave është bërë në periferi të kryeqytetit, në periferi të Dajtit.

Denoncimi për gjobvënie është bërë në polici nga një shtetas shqiptaro-amerikan, i njohur dhe si biznesmen dhe menjëherë është ndërtuar një operacion për kapjen e gjobvënësve, por në momentet e shkëmbimit të parave gjithçka ka dështuar për blutë e Tiranës.

Deri më tani e vetmja e dhënë është targa e automjetit të përdorur nga gjobvënësit. Pas verifikimeve ky automjet është në pronësi të Xhevahir Litës, ish-prokuror rrethi i Kukësit e aktualisht prokuror në Shkodër.

I pyetur për automjetin e përfshirë në hetime, Lita ka deklaruar se ia kish dhënë ish-gardistit, pasi ky i fundit ia kishte kërkuar si nder. Ndërsa vetë Skeja ka deklaruar se automjetin ia kishin vjedhur në lagjen ku banonte dhe s'ka lidhje ka apo s'ka përdorur mjetin e Litës, i cili është fiksuar nga skuadra GOS gjatë shkëmbimit të parave, por ka mundur të largohet me shpejtësi.

E ndërsa hetimet kanë përfshirë mbi 3 të dyshuar për gjobvënie si dhe njësinë GOS për dekonspirim të informacioneve, prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj ka vendosur të hetojë në gjendje të lirë Skejën e nëse dyshimet për përfshirjen e tij do të vërtetohen, atëherë ai do të përballet me drejtësinë.

ARRESTIMI DHE LIRIMI I DJESHËM I SKEJËS
Ish-efektivi i Gardës së Republikës, Fatos Skeja është arrestuar për pak orë ditën e djeshme (16 shtator)  nga policia e Tiranës. Rreth orës 15:30 është bërë arrestimi dhe rreth orës 18:30 lirimi i tij me detyrim paraqitje nga prokurorja e çështjes me akuzën e gjobëvënies prej 100 mijë eurosh ndaj një emigranti shqiptar, i cili ka biznese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Skeja, i cili u akuzua nga familja e Hekuran Dedës, viktimë e 21 Janarit, si ndërmjetës për të lejuar Berishën për vizitë në banesën e tyre, e ka mohuar dje akuzën e ngritur nga prokuroria për gjobëvënie ndaj emigrantit në SHBA, duke pretenduar se makinën, me të cilën lëvizte gjobëvënësi, ia kishin vjedhur pak para se të kryhej operacioni i policisë, gjatë të cilit autori ka mundur të arratiset. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, policia ka marrë në pyetje edhe një prokuror, i cili është shprehur se makinën ia kishte dhënë Fatos Skejës.

HISTORIA E GJOBVËNIES
Burime nga policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda bënë të ditur se gjithçka ka nisur rreth një muaj më parë, kur një biznesmen nga Kalaja e Dodës, pikërisht nga është me origjinë edhe Fatos Skeja, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka denoncuar se persona të paidentifikuar i kishin vënë gjobë 100 mijë euro. Ai ka deklaruar për policinë se prej vitesh jeton në SHBA, ku ka në pronësi tre hotele dhe që me anë të telefonit, e kishin kërcënuar me jetën e familjarëve të tij, duke i kërkuar 100 mijë euro. Madje, ai ka shpjeguar se autorët e kishin kërcënuar seriozisht me jetë, duke i lënë të kuptojë se ia njihnin mjaft mirë familjen, dhe e kanë urdhëruar të paguajë paratë dhe mos të njoftojë policinë. Në këto kushte, denoncuesi ka kërkuar ndihmën e policisë për identifikimin e autorëve të shantazhit që po kryhej ndaj tij.

OPERACIONI I POLICISË
Menjëherë, pas marrjes së denoncimit, policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, por edhe Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj gjobëvënie. Sipas të dhënave policore, nëpërmjet sektorit të operacioneve speciale është organizuar puna për “dorëzim të kontrolluar” të parave, një prej metodave speciale hetimore, që përdoret nga uniformat blu. Vendi për dorëzimin e shumës së madhe të parave është vendosur në një fshat afër Dajtit, pranë rrugës nacionale. Pasi paratë janë lënë në vendin, ku ishe përcaktuar nga gjobëvënësit, shërbimet speciale të policisë kanë mbajtur nën vëzhgim zonën, me qëllim që të identifikojnë dhe kapin autorët e këtij krimi të rëndë.

ARRATISJA E SKEJËS
Dy ditë më parë, pikërisht rreth mesditës, është organizuar puna për kapjen e autorëve. Një makinë, në të cilën udhëtonte vetëm një person, i është afruar vendit ku ishte lënë çanta me para, kështu që ai ka marrë çantën dhe është larguar me vrap. Menjëherë, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij, me qëllim që ta kapin bashkë me paratë, por gjobëvënësi është larguar me shpejtësi, duke braktisur mjetin dhe çantën. Policia tha se ka mundur të sekuestrojnë makinën dhe çantën, por autori ka mundur të largohet, mbase, i ndihmuar edhe nga persona të tjerë.

MAKINA E PROKURORIT
Pas arratisjes, policia ka nisur verifikimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes, duke filluar nga kontrolli i pronësisë së mjetit. Nga verifikimi i kryer ka rezultuar se mjeti i përkiste një prokurori në Prokurorinë e Shkodrës. Sipas të dhënave hetimore, mjeti rezultonte në pronësi të prokurorit Xhevahir Lita, i cili më parë ka qenë me detyrë në krye të Prokurorisë së Kukësit dhe është transferuar me propozim të Ina Ramës. Menjëherë, pasi ka dalë në skenë emri i prokurorit, grupi hetimor ka kontaktuar me të, në lidhje me makinën në pronësi të tij. Në këto kushte, prokurori është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë, duke deklaruar se makinën kishte kohë që ia kishte dhënë ish-efektivit të Gardës së Republikës, Fatos Skeja. Në këto kushte, dje paradite, oficerë të urdhëruar nga Prokuroria për Krimet e Rënda kanë thirrur Fatos Skejën për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me këtë makinë, si person nën hetim për gjobëvënie. Burimet nga grupi hetimor thanë se Skeja është paraqitur vetë dhe ka deklaruar se makinën në fjalë e ka përdorur për një periudhë të caktuar kohe, por ia kishin vjedhur.

HETIMET
Përballë këtyre deponimeve, prokuroria është vendosur në vështirësi për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe ka vendosur që Fatos Skeja të hetohet në gjendje të lirë deri në dokumentimin e plotë të krimit. Sipas të dhënave, Prokuroria për Krimet e Rënda do të kontrollojë të gjithë dokumentet e policisë për të parë, nëse Skeja ka bërë denoncim për makinën e vjedhur, kur e ka bërë dhe nëse ka lidhje me gjobëvënien ndaj biznesmenit shqiptar, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ISH-GARDISTI I BERISHËS
Fatos Skeja është akuzuar më parë nga një prej familjeve të viktimave të 21 janarit. Pak kohë më parë mbërriti padia e njërit nga vëllezërit e Hekuran Dedës. Sipas Zabit Dedës, vëllait të protestuesit të vrarë, disa ditë pas vrasjes së protestuesve të “21 janarit”, ish-efektivi i Gardës, Fatos Skeja tentoi ndërmjetësimin e vizitës së Sali Berishës në familjen Deda. Në këmbim të pranimit të vizitës së Berishës në familjen e tyre, sipas Zabit Dedës, Skeja u ofroi para. Gjithashtu, Skeja është para pak vitesh është akuzuar edhe për plagosjen e një kamerieri në Tiranë.

Redaksia Online
(mag/a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Mashtruan për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari nga Tirana dhe një turk

Mashtruan për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari nga Tirana dhe një turk