Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në një intervistë për Radion Europa e Lirë se dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues. Sipas tij, Osmani nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin, i cili nga sot ka 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.

"Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial. Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh. Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti" tha ai.

Ai shpjegon se, vetëm në rast se dështon brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Hasani thekson se konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, janë “fiktive dhe jokushtetuese”, si dhe kanë për qëllim “të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani”.

"Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye. Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendi, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit. Pra, asnjë organ tjetër nga jashtë, as presidenti dhe as Qeveria, nuk mund ta shpërndajnë Kuvendin, sepse është natyra e sistemit parlamentar që nuk e lejon një gjë të tillë. Kuvendi nuk i përgjigjet as presidentit dhe as Qeverisë, por anasjelltas" tha ai


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Partitë dështuan të zgjedhin Presidentin, Osmani shpërndan Kuvendin! Takon krerët e partive për datën e zgjedhjeve, Kurti nuk shkon: Të presim Kushtetuesen