SARANDË - Një javë pas vrasjes së Pajtim Shehut në fshatin Shkallë të Sarandës policia ka dalë në përfundim se ai është vrarë aksidentalisht nga një bashkëfshtar i tij, një ish-efektiv policie, i cili ashtu si Shehu, kishte dalë nga banesa për t'i ardhur në ndihmë fqinjit të tyre të cilit i kishin vjedhur lokalin.
 
Sipas provave, një person i paidentifikuar ende ka hyrë në lokalin e bashkëfshatarit për ta grabitur rreth orës 00:20 pas mesnate, ku ka mundur të marrë vetëm 5 mijë lekë. Në këtë moment bashkëshortja e pronarit të lokalit dëgjoi zhurmën gjatë largimit të autorit, dhe ka njoftuar komshinjtë për t’i ardhur në ndihmë. Thirrjes i janë përgjigjur disa nga fqinjët, mes tyre edhe Ajet Rexhepi dhe Pajtim Shehu. 35 minuta më vonë është dëgjuar edhe e shtëna e armës, që i mori jetën 44-vjeçarit. Sipas policisë ish-efektivi ka qëlluar ndaj fqinjit në kushtet e errësirës dhe motit të keq.
 
Sipas dëshmisë të të ndaluarit, ai nuk ka parë se në drejtimin që ka qëlluar ka qenë fqinji, me të cilin po bashkëpunonte për të kapur grabitësin që dyshohej se ishte ende në zonë. 

Ngjarja me detaje nga policia
Në datë 13.02.2016, rreth orës 00:20 minuta, një person i paidentifikuar ka hyrë në lokalin e shtetasit A. P. në dalje të fshatit Shkallë, ka vjedhur një sasi në vlerë monetare prej 5.000 lekësh dhe u largua pa lënë gjurmë.

Bashkëshortja e pronarit të lokalit (që jetojnë ngjitur me biznesin) dëgjoi zhurmën gjatë largimit të autorit të vjedhjes.

Në këto kushte shtetasi A. P. njoftoi disa bashkëfshatarë dhe kërkoi ndihmë për të kapur autorin e vjedhjes.
Thirrjes i janë përgjigjur disa nga fqinjët. Rreth orës 01:05 u dëgjua një e shtënë me armë zjarri, pra rreth 35 minuta pas momentit të largimit të autorit të vjedhjes nga lokali.

Nga të gjitha faktet dhe provat shkencore të grumbulluara nga grupi hetimor, rezulton se shtetasi Ajet Rexhepi, (i lënë nga Gjykata me masën e sigurisë “Burg pa afat) dyshohet si autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Pajtim Shehu, 44 vjeç.

Vrasja ka ndodhur nga pakujdesia, në kushtet e errësirës dhe të motit të keq.Policia vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të elementëve plotësues për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)