TIRANE - Kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, por edhe ish-të përndjekur të tjerë nga rrethet thanë sot në një prononcim për mediat se nuk do të lejojnë që asnjë pengesë apo manipulim nga pushteti, t’i pengojë ata në realizimin e një homazhi madhështor në nderim të mikut të tyre të humbur, Lirak Bejkos.

Ata kanë akuzuar politikanët shqiptarë se “përdorin arkivolet për të sharë njëri-tjetrin”, ndërsa theksuan se e injorojnë “me indinjatë këtë turp të madh”.

Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politik, para institutit të kësaj shtrese, pohuan se do e presin trupin e 47-vjeçarit Lirak Bejko i cili vjen nga Italia ku dhe ish-i përndjekuri humbi jetën, në portin e Durrësit, dhe do ta përcjellin në çdo hap për t’i realizuar funeralin, siç shprehen ata, më madhështorin të parë ndonjëherë.

Tufa tha se homazhet janë duke u përgatitur dhe se përcjellja e bashkëvuajtësit të tyre, Lirak Bejkos do të bëhet nga ish-të burgosurit politikë.

“Të gjithë kanë ulur kokën para sakrificës së këtij heroi. Me djegien e tij ndjejmë se ka humbur një pjesë e jetës sonë. Do mundohemi që mos të manipulohet ceremonia.”, thanë ish-të përndjekurit politik në një prononcim për mediat.

Lirak Bejko, pjesë e grevës së urisë së ish-të burgosurve politik e cila u zhvillua për 31 ditë në Tiranë, u vetëdogj më 10 tetor pas refuzimit nga ana e qeverisë shqiptare për tu ulur në dialog me ta e për t’i shpërblyer për vitet e burgut të kryera në kohën e regjimit komunist. Pas aktit të vetëdjegies Bejko u dërgua me urgjencë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa vetëm dy ditë më vonë me ndërmjetësimin e Partisë Socialiste, ai u dërgua në spitalin e Barit në Itali për një kurim më të specializuar. Bejko duke mos i rezistuar dot plagëve të djegies ndërroi jetë më 2 nëntor.

(Gre.M/Shqiptarja.com)