TIRANE - Fatmir Lloshi është një nga 11 grevistët e urisë nga ish të burgosurit e diktaturës që përfundon në spital me probleme shëndetësore. Por për të arritur deri te krevati i të sëmurit thjesht për të pyetur jo vetëm si gazetarë, por dhe qytetarë për gjendjen e grevistit duhet të merrnim leje deri tek Ministri. Me këtë pretendim dhe sjellje arrogante u ndesh grupi i xhirimit të A1Report nga personeli mjekësor i repartit infektiv në QSUT.

Në këto kushte grevisti Lloshi sheh të udhës të heqë serumin dhe të japë një intervistë të shkurtër jashtë spitalit. Ai shprehet pavarësisht probleme shëndetësore është i vendosur të vazhdojë grevën dhe tu bashkohet grevistëve të tjerë.

Pas kësaj Fatmir Lloshi lë spitalin dhe bashkohet me grevistët e tjerë që prej 11 ditësh janë ngujuar në këtë çadër të hapur diku në një kthinë te rruga Komuna e Parisit. Kamera e A1 Report vizitoi të 17 grevistët në këtë orë të vonë të së martës. Ata shprehen se janë të vendosur ta çojnë deri në fund këtë protestë të pazakontë, madje edhe tashmë kur netët janë freskuar dhe kushtet e tyre shëndetësore janë përkeqësuar.

Me krevate të sajuara në këtë ambient të hapur, një TV përballë ku njihen me të rejat e fundit, ambulanca pranë dhe disa policë tek tuk të shfaqur së fundi shkojnë ditët dhe netët grevistët. Më i vjetri është Ramazan Spahiu 72 vjeç i cili edhe pse ka bërë 15 vite burg, edhe pse ka bërë që rrugë të gjatë që nga Burreli për të përfunduar këtu është i vendosur në kërkesat e tij.
(ns/shqiptarja.com)