TIRANE - Vijon dita e dytë e grevës së urisë të ish të burgosurve politikë, të cilët janë pozicionuar në qiell të hapur pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë.

Numri i tyre vijon të mbetet 6 edhe gjatë grevës së sotme, ndërsa nga dita në ditë pritet t’i bashkohen grevës së urisë edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj shtrese shoqërore.

Sipas gazetares të televizionit A1 Report, Genta Haxhiu, grevistët paralajmërojnë se do të bashkohen me ta edhe 1200 ish -të përndjekur të tjerë të cilët kërkojnë të drejtën e tyre.

Sipas tyre, greva e urisë është zhvilluar në ambient të hapur për arsyen që edhe mbarë opinioni publik të shohë se ku jetohet, ndërsa shtojnë se duan të jenë transparent dhe të gjithë ta kuptojnë që është një grevë reale dhe që nuk ushqehen.

6 ish të burgosurit politikë e kanë nisur grevën e urisë, mbrëmë, ndryshe nga çfarë ishte paralajmëruar për me 25 shtatorë.

Greva simbolike e ish të burgosurve politikë zhvillohet për shkak të mosrealizimit të premtimeve nga ana e qeverisë për këtë shtresë të shoqërisë. Ata kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria.

Të pranishëm në vendngjarje ishin edhe forca të policisë, të cilët para kamerave u erdhën në ndihmë ish të burgosurve politikë, duke i pyetur për nevojat e tyre.

(Gre.M/Shqiptarja.com)