TIRANE- Ish-ushtarakëve do t’u njihen të gjitha vitet e sigurimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për llogaritjen e pensionit. Një draft i ri i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes duket se do të gjejë zgjidhje për njohjen e viteve të sigurimit të ish-ushtarakëve.

Në këtë draft propozohet të njihen vitet kur ish-ushtarakët kanë një dokument i cili vërteton se ka qenë në detyrë për atë periudhë që ata pretendojnë se nuk u njihen nga Institutit i Sigurimeve Shoqërore. Në këtë rast nuk do të duhet Libreza e Punës ose vërtetimet përkatëse që parashikon udhëzimi për caktimin e pensionit, por vetëm një dëshmi (edhe nga institucionet e tjerë) për vitin e punës që nuk u njihet.