TIRANE- Llogaritja e pensionit të ish-ushtarakëve është kthyer në një “mollë sherri” mes institucioneve dhe rreth 10 mijë rezervistëve. Shkak për përfitimin e një pensioni më të ulët është bërë mosnjohja e të gjitha viteve të shërbimit nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Bëhet fjalë për qindra dosje të cilat janë të paplota dhe që Ministria e Mbrotjes dhe institucionet e tjera nuk i kanë ruajtur.

Kjo ka sjellë që shumë ish-ushtarak të humbasin vitet e punës, që sjell dhe një pension më të ulët. Për të zgjidhur këtë situatë Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur një projektvendim i cili i kërkon ISSH-s, që të njohë të gjitha vitet e shërbimit të ish-ushtarakëve, duke qënë se një pjesë e dosjeve kanë humbur ose janë të paplota. Ky projektvendim i është dorëzuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore 12 ditë më parë, por është kthyer mbrapsht nga specialistët e ISSH-s.