Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, është shprehur se SHBA-të nuk kanë një objektiv të qartë për atë se çfarë duan të arrijnë me luftën në Iran.

Komentet Bimo i bëri në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se synimi fillestar i Trump për rrëzimin e regjimit iranian, nuk u realizua dhe tani lufta e parashikuar të zgjaste 3-4 ditë, por vijon prej muajsh.

Lidhur me pretendimet e Trump për mos-lejimin e Iranit për të pasur armë bërthamore, Bimo tha se është një pretendim i pakuptimtë, pasi sipas tij, para nisjes së luftës Teherani ka deklaruar se nuk dëshironte të prodhonte armë bërthamore.

“Bombardimet nuk kanë sjellë ndonjë rezultat real. Problemi është se SHBA-të nuk kanë ndonjë objektiv të qënësishëm në luftën në Iran. U nisën për ndryshim regjimi, por nuk e arritën dot. U nisën për një luftë 3-4 ditore dhe po vazhdon 3-4 muaj. Është shumë qesharake ideja që po luftojnë për të ndaluar Iranin që të ketë armë bërthamore, ndërkohë që para se të fillonte lufta vetë Irani ka deklaruar se nuk do armë bërthamore”, tha mes të tjerash Bimo.

Ndërkohë Bimo foli edhe për vizitën e Presidentit amerikan Donald TrumpKinë. Për ish-ambasadorin shqiptar duket se Trump po punon për një plan për uljen e numrit të armëve bërthamore, ose për deneuklearizimin e plotë, që do të thoshte një botë pa armë bërthamore.

Por se sa e mundshme është për t’u realizuar ky ‘plan’ i Trump (i cili nuk është bërë publik), kjo mbetet për t’u parë në vijim.

“Vizita e Trump në Kinë ishte jashtëzakonisht interesante. Presidenti Trump po interesohet për një shtensionim të situatës për çështje shumë më të mëdha, sesa kanë të bëjnë me një luftë me Iranin. Pra për denuklearizimin, uljen e numrit të armëve bërthamore, apo ndoshta deri në eliminimin total të ekzistencës së armëve bërthamore. Pra me aq sa kuptohej nga mënyra sesi fliste Presidenti nga bordi i avionit, duket se ai është në një projekt të eliminimit të armëve bërthamore, që do të thotë një horizont shumë herë më shumë nga sa është një luftë lokale, ajo e Iranit”, vijoi më tej Bimo.