Edhe ky 82-vjetor i përkujtimit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, nuk i ka shpëtuar përplasjeve politike.  

Ish-deputeti dhe një nga figurat e para politike të komunitetit çam, Dashamir Tahiri ka reaguar ashpër ndaj asaj ai e konsideruar si tentativë për vjedhjen e aktiviteteve në përkujtim të viktimave të genocidit grek ndaj popullatës çame nga “ustallarët” pseudo-çamë.

“Ky është viti i dytë që e bën bashkia, ka shoqata e Vlorës, ka të tjerë. Ka pastaj nga këta ustallarët që tentojnë ta vjedhin aktivitetin që të duket se bëjnë këta. Kauza dhe çështja çame nuk është për maskarenj. Zgjidhja do t’i vijë kur Shqipëria të hyjë në Evropë. Përrallat e këtyre e trimave, ja lemë kohës. E kanë vendin të koshi i maskarenjve të historisë”, është shprehur Dashamir Tahiri, duke shigjetuar kryetarin aktual të PDIU Shpëtim Idrizi.

Dashamir Tahiri prej vitesh ka mbajtur qëndrime kritike për drejtimin e partisë nga Shpëtim Idrizi, duke e akuzuar se po mbanë peng edhe Shoqatën Patriotike Çamëria. Dashamir Tahiri ka qenë një prej themeluesve të Partisë për Drejtësi dhe Integrim dhe deputeti i parë i kësaj force politike në zgjedhjet e 2013 e cila drejtohej nga Tahir Muhedini.

Më pas kësaj force politike iu bashkua edhe Shpëtim Idrizi, i cili kishte dalë si deputet nga Partia Socialiste. Përplasjes mes Shpëtim Idrizit dhe Tahir Muhedinit, çuan në krijimin e një force politike të re: Partia për Drejtësi dhe Unitet PDU, kryetar i së cilës u zgjodh Shpëtim Idrizi. Dy forcat politike u bashkuan më pas në Partinë për Drejtësi Unitet dhe Integrim PDIU, parti e cila vazhdon të drejtohet nga Shpëtim Idrizi.


Lajmi kryesor:

Përkujtohet 82-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, thirrje për ndërkombëtarizim të çështjes çame dhe ruajtje të kujtesës historike