Ish-futbollisti serb Urosh Millosheviç është arrestuar në Portugali pasi u kap duke transportuar mbi 1.5 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur mbi 70 milionë euro.
31-vjeçari u ndalua nga autoritetet në autostradën A6, pranë Estremozit. Gjatë kontrollit të furgonit që ai drejtonte, policia gjeti sasinë e madhe të kokainës, si edhe dy armë zjarri të tipit ushtarak.
Sipas autoriteteve portugeze, Millosheviç dyshohet se ishte pjesë e një operacioni për transportimin e drogës drejt bazës së një organizate kriminale në Gadishullin Iberik. Aksioni u zhvillua në bashkëpunim mes Policisë Gjyqësore të Portugalisë dhe Policisë Kombëtare të Spanjës, në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti ballkanik të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Hetuesit bëjnë me dije se ai është një nga tre personat e arrestuar gjatë operacionit.
Para se të largohej nga futbolli në vitin 2022, Millosheviç kishte luajtur për klubet e vogla serbe Çukariçki, IM Rakovica, Teleoptik dhe Sindjeliç Beograd.
Pas arrestimit, ai doli para gjykatës, e cila vendosi masën e paraburgimit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit kriminal vijojnë.










Komente
Komento