VLORË- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur dy "beach bare" në Vlorë, të cilat ishin planifikuar për t'u shembur që në nëntor të 2019, por që u shtynë për shkak të tërmetit.

"Koha e duhur" për Inspektoratin për shembjen e këtyre dy bizneseve pa leje ka qenë pikërisht sezoni turistik, pavarësisht goditjes që ato kanë marrë edhe nga COVID-19.

Megjithatë, ndryshe nga aksionet në qytetet e tjera të vendit, pronarët nuk kanë bërë rezistencë, madje i kanë shembur një pjesë të bizneseve me duart e tyre.

IKMT ka ndërrmarë aksione për shembjen e ndërtimeve pa leje në mes të sezonit turistik edhe në qytete të tjera si Shkodër, e Velipojë, e cila është shoqëruar me protesta nga pronarët, të cilët thotë se nuk janë njoftuar paraprakisht me një dokument të shkruar. Për këtë ka pasur edhe debat edhe mes kryebashkiakut socialist Pjerin Ndreu dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, në varësi të së cilit është IKMT, sipas së cilit shembjet nuk duhet të bëhen gjatë sezonit turistik dhe pronarët duhet të njoftohen më herët. I të njëjtit mendim si Ndreu ka qenë edhe deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri.