Ishte zhdukur prej ditësh, si u rrëmbye dhe u vra 14-vjeçarja në Shkup! U lidh këmbë e duar dhe u fut në thes brenda në bagazh! Bashkëpunëtor dhe i ati

Shkup- Në vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska që tronditi Maqedoninë e Veriut, bashkëpunëtor ka qenë edhe babai i saj. Vajza u zhduk më 27 nëntor ndërsa trupi i pajetë i saj u zbulua disa ditë më pas më 3 dhjetor 2023.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovksi doli sot në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me prokurorin e përgjithshëm ku bëri me dije se shkak ka qenë zhvatja e nënës së 14-vjeçares.

Sipas ministrit babai i vajzës ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia, dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.

“Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre prej tyre u është caktuar paraburgim, njëri është në arrati, ndërsa babai i viktimës është ndaluar nga policia, si pjesëmarrës në këto ngjarje duke dhënë informacione për vendin e ndodhjes së vajzës. Motivi për këtë rast është përfitimi, me ç’rast një nga personat në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, kanë organizuar dhe kryer aktin me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur që më pas të gjithë të keni përfitime”, ka thënë Spasovski.

Ministri ka zbuluar dhe detaje si ndodhi rrëmbimi. 14 vjeçarja Vanja Gjorçevska u vendos me forcë në bagazhin e automjetit Citroen, pasi më parë i ishin lidhur duar e këmbë dhe e kishin futur në një thes gjumi.

Vajza është dërguar jashtë Shkupit, ku dhe është vrarë dhe e më pas mjetit i është vënë zjarri.

Ministri i Brendshëm deklaroi se policia do të bëjë gjithçka të mundur për nxjerrjen para drejtësisë të autorit kryesor të krimit. Fjala është për Lupço Palevski nga Shkupi, i njohur në opinion si drejtues i lëvizjes “E treta”,  parti me orientim të djathtë në Maqedoni, dhe ka pasur biznes ndërtimi.

“Do të bëjmë gjithçka që ky person apo kjo monstër sapo të shkel në tokën tonë, të vihet para drejtësisë”, ka thënë Spasovski.

Detaje, ministri i Brendshëm dha edhe për ekzekutimin e të moshuarit Pançe Zhezhovski, i cili rezultonte i zhdukur prej 24 nëntorit, ndërsa trupi iu gjet dje (3 dhjetor) në Veleshtë të Maqedonisë.

Berberi 74 vjeç nga Velesi nuk kishte lidhje me 14 vjeçaren por kishte hesape të palara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal. 74-vjeçari i kishte pasur autorit një borxh 500 euro. Ndërkohë makina e të moshuarit u përdor për të rrëmbyer vajzën.

““Sa i përket viktimës tjetër, burrit të moshuar nga Velesi, ai nuk ka asnjë lidhje me vajzën e mitur, por [është vrarë] për shkak të raporteve të papastruara me një nga të dyshuarit, kurse automjeti i tij [74 -vjeçarit] është shfrytëzuar për ta marrë dhe vrarë vajzën. Automjeti është djegur dhe më pas është vrarë personi nga Veleshta.  Kemi informacione se, 74-vjeçari është vrarë vetëm pse ka pasur konflikt më herët me një nga të dyshuarit për krimin e kryer”, tha Oliver Spasovski

Për këtë ngjarje makabre janë ndaluar Vlatko Kekishov, Velibor Manev dhe është kërkuar paraburgim edhe për Bore Videvskin. Person i katërt i përfshirë në rrëmbimin e vajzës, Vanja Gjorçevska është babai i së miturës, ndërsa i pesti, Lupço Palevski ishte arratisur drejt Beogradit dhe nuk ka të dhëna për vendndodhjen aktuale të tij.

Sipas Spasovskit, vrasjen e dy personave e ka kryer vetë Palevski, i cili është në kërkim ndërkombëtar. Fillimisht u tentua që ngjarjes t’i jepej kontekst etnik, por autoritetet sqaruan që të gjithë protagonistët në këtë ngjarje janë maqedonas.

Për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin në Maqedoninë e Veriut, prokurori publik Gavrill Buvevski tha se do të ketë “dënime të rrepta” bazuar në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.

“Motivi është përfitimi, por kur bëhet gjatë rrëmbimit, atëherë motivi është vrasja e pastër. Vrasja e të miturve, por edhe motive të tilla, parashikojnë dënimet më të rënda”, ka prokurori Bubevski.

Tre të arrestuarit të akuzuar për vrasjet

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
Me lot dhe trëndafila, i jepet lamtumira e fundit 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut

Me trëndafila në duar, me lot në sy dhe me kokë të ulur, sot në mëngjes shokët e klasës, prindërit dhe qytetarët, kanë pritur në radhë para shkollës “Johan Heinrik Pestalozzi” në Qendrën e Shkupit për të shkruar lamtumirën e fundit në librin e zisë që u hap për të nderuar Vanjën. Bashkëmoshataret shkruanin fjalët e fundit në librin e ngushëllimeve për shoqen e tyre të shkollës Vanjën.

Në atë kënd të hyrjes së shkollës fillore ku ajo mësonte qëndronte edhe fotografia me shirit të zi e 14 vjeçarës Vanja Gjorcevska. E oborrin e shkollës e kishte mbuluar heshtja.

“Në oborrin e shkollës fillore “Pestalloci” të Komunës Qendër sot mbizotëron heshtja pasi në hyrje të kësaj shkolle është vendosur fotografia e tash më të ndjerës 14 vjeçares Vanja Gjorçevska dhe është vendosur po ashtu edhe libri në të cilin nxënësit, bashkëmoshatarë, prindër por edhe mësues të kësaj shkolle të shkruajnë porosi ngushëllimi në këtë libër për tash më të ndjerën Vanja Gjorçevska”, raporton Avni Tahiri, gazetar.

“E paimagjinueshme një ngjarje e tillë, unë këtu kam pasur katër mbesa dhe të gjitha janë ishin të arsimuara mirë dhe një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Po nënshkrova por lule nuk kisha dhe shkova bleva lule për mbesën time, njëra e kishte shoqe. Mësueset i mësuan që ka njerëz që duhet respektuar por nuk i mësuan se ka edhe njerëz monstra dhe jo njerëz, atë duhet tua mësojnë”, u shpreh një qytetare.

“E njihja babanë saj, ai monstër u rrit këtu, prindërit e tij ishin krenarë për të, për atë monstër. Krenoheshin me të por ai ishte mafioz ndërtimi”, tha një tjetër qytetare.

“Në mëngjes ishin organizuar mësuesit, i pritnin në orën e parë, ne kishim edukatë fizike orën e parë, mësuesja i mori dhe thanë se sot do të flasin gjithë ditën për këtë pra gjithë ditën pres. Cila është porosia që dërgoni nga këtu? Të vetëdijesohemi në të rriturit se si i edukojmë fëmijët dhe çfarë bëjmë me ta, duhet të flasim me ta e ne të vendosim gishtin në kokë se çfarë bëjmë ne për ta dhe sigurinë e tyre”, deklaroi një qytetare.

14 vjeçarja tashmë e ndjerë Vanja Gjorçevska ditën e hënë të 27 nëntorit në mëngjes ishte nisur për në shkollë dhe pas telefonatës së mësueses se ajo mungon në shkollë e ëma e ka paraqitur rastin në polici se ajo është zhdukur. Vanja ishte nxënëse në klasën e nëntë në Shkollën Fillore “Pestalloci” në Qendër. /Alsat.mk

Ora 21:34
I dyshuar në vrasjen e vajzës, lihet në burg babai i 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut

Aleksandër Gjoroçevski

Babai i 14-vjeçares së vrarë brutalisht Vanja Gjorçevska, Aleksandar Gjorçevski, sonte do të dërgohet në burgun hetimor në Shuto Orizarë.

Gjykata penale, siç përcjell KlanM, pranoi kërkesën e prokurorisë për 48 orë paraburgim.

Sipas deklaratave të tre bashkëpunëtorëve të Ljupço Palevskit, Aleksandar Gjorçevski i ka njoftuar për rutinën e saj të përditshme, për orën kur ajo do të shkonte në shkollë në mëngjes kur e kishin rrëmbyer dhe se do të ishte vetëm pa motrën e saj.

Ora 15:13
Nxënësit dhe prindërit presin radhë për të nënshkruar librin e zisë për 14-vjeçaren e vrarë në Shkup

1701699174_vanja.jpg

Sot, një atmosferë e pikëlluar përfshiu shkollën fillore Johann Heinrich Pestalozzi në Qendër të Shkupit, ku nxënës, prindër presin radhë për të nënshkruar librin e zisë për 14-vjeçaren Vanja Gjorcevska, e cila u vra pamëshirshme.

Ata prisnin në radhë me lot në sy dhe me trëndafila në duar për të shprehur dhimbjen për humbjen e 14-vjeçares. Një fotografi e Vanjës ishte vendosur para hyrjes së shkollës, duke sjellë një atmosferë të trishtuar.

Shkolla ishte e rrethuar me forca policore, ndërsa mësuesi i Vanjës dhe kryetari i Komunës së Qendrës, Goran Gerasimovski ishin prezent për të shprehur ngushëllimet e tyre.

Mësuesit e shkollës kanë shprehur lamtumirën e tyre në profilin e shkollës në Facebook, duke thënë: “Mësuesit nuk dinë ta zgjidhin këtë detyrë Vanja. Na falni, nuk mundemi, nuk dimë të përshëndesim njëri-tjetrin… Qoftë i ndritur rruga juaj drejt përjetësisë!”

Kryetari i Komunës së Qendrës, Goran Gerasimovski, ka shprehur ngushëllime të thella dhe ka kërkuar dënim maksimal për autorët e kësaj ngjarje tragjike në një postim në Facebook, duke shprehur dhimbje të thella për humbjen e parakohshme të jetës së Vanjës. 

 

Ora 15:00
Kush është Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares?!

1701698396_lup.jpg

Lupço Palevski-Pallço

Lupço Palevski-Pallço është i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjecarës Vanja Gjorçevska. Sipas të gjitha gjasave ai e ka vrarë edhe 74-vjeçarin nga Velesi.

Ai është arratisur nga Maqedonia e Veriut. Përmes Beogradit ka shkuar në Bullgari ku i humbën gjurmët. Me të ka qenë edhe avokati I tij, thanë në konferencën për shtyp Ministri Spasovski dhe Prokurori Bubevski.

Lupço Palevski-Pallço është ish-pronar i një kompanie ndërtimore, pronar i emisionit “Start” dhe një Televizioni lokal. Ai ka qenë në paraburgim ekstradimi në Beograd. Në shtator 2020 ishte arrestuar në aeroportin e Beogradit rrugës për në Moskë, kurse pas 8 muajve sërish ishte lënë I lirë. Ishte arrestuar pas një fletarresti të Kroacisë, për borxhe të kompanisë së tij në këtë vend.

Pas kthimit në Maqedoni aktivizohet në politikë, duke formuar partinë pro-ruse “Desna”. Ka qenë udhëheqës i disa podcasteve në portale maqedonase.

Më 5 maj të këtij viti, sipas MPB-së, Palevski është kapur bashkë me tre persona tjerë në kërkim të arit si dhe për armëmbajtje pa leje.

Teksa të gjithë ishin në kërkim të 14-vjecares, Palevski gjatë kësaj kohe ka qenë mjaft aktiv në Facebook, duke publikuar mesazhe politike me përmbajtje nacionaliste dhe anti-perëndimore.

Postimi i tij i fundit ka qenë të premten më 1 dhjetor në ora 13.51.

Ora 14:45
VIDEO/ Shkup, publikohen pamjet e automjetit të djegur me të cilin dyshohet se është rrëmbyer 14-vjeçarja

1701697522_jhvb.jpg

Televizioni TV21, ka publikuar së fundmi një detaj të ri nga vrasja e dyfishtë në Shkup. Ata ndodhen në Brazda, Shkup dhe kanë publikuar pamje të një automjeti të djegur.

Sipas tyre automjeti i djegur dyshohet se është makina “Citroen”, me të cilën dyshohet se është rrëmbyer 14-vjeçarja nga Shkupi, e cila më pas është vrarë.

 

Ora 12:36
'Makina dhe 500 euro', zbulohet arsyeja e vrasjes së 74-vjeçarit

1701690130_ars.jpg

Maqedonia është tronditur nga një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur të vrarë dy persona, ndërsa autori i vrasjes së dyfishtë është person i njejtë. Në një konferencë, Ministri i Brendhëm, Oliver Spasovski, tha se autori është larguar nga Maqedonia dhe gjendet në Beograd.

Sipas prokurorit të rastit Gavril Bubevski, arsyeja e vrasjes së 74-vjeçarit Pançe Zhezhovskit është materiale. Autorëve të vrasjes u është dashur një makinë për të kryer misionin e dytë, kushtëzimin e familjes Gjorçevska për para, duke u rrëmbyer vajzën.

“Pançe ka mbetur viktimë pasi autorët e vrasjes nuk kanë pasur veturë që të grabisin Vanjën, personin e dytë në këtë tragjedi”, ka thënë prokurori Bubevski.

Kujtojmë se makina e viktimës Zhezhovski, citroen i bardhë, është përdorur më vonë për të grabitur Vanjën, e cila ishte viktima e dytë.

Informacionet nga Prokuroria Themelore e Velesit gjithashtu kanë treguar se i dyshuari kryesor Ljupço Palevski dhe Panço Zhezhovski kanë pasur një kontest financiar.

Viktima dorasit i ka pasur borxh 500 euro. Kjo është arsyeja se pse është zgjedhur 74 vjeçari për të qenë i vrari i parë nga dorasi, që të kryhet më lehtë qëllimi i tyre përfundimtar, grabitja e Vanjës 14 vjeçare.

Ora 12:13
Prokurori Bubevski: Janë identifikuar të gjithë të dyshuarit e vrasjeve

1701688467_bek.jpg

Gavril Bubevski

Prokurori publik Gavril Bubevski në konferencën e sotme për media tha se janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.

“Të gjithë të dyshuarit në këto vrasje janë identifikuar. Mund të themi se ata kanë kryer dy vepra penale të cilat janë të ndërlidhura dhe kanë të përbashkët interesin. Këta persona kanë kryer dy vepra penale “vrasje”,  dhe për shkak të veprës së njëjtë penale ata do të marrin dënimin më të madh që mund të shqiptohet në Republikën e Maqedonisë”, tha Bubevski.

Spasovski dhe Bubevski gjithashtu theksuan se për personin e 5 i cili është jashtë shtetit, është shpallur flet-arrestim ndërkombëtarë.

Ora 11:48
Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup, në mesin e të dyshuarve edhe babai i saj, Ministri Spasovski: Ka informuar autorët e krimit

1701430439_vanjagjorevska.jpg

Vanja Gjorçevska

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Veriut, Oliver Spasovski para gazetarëve ka thënë se vrasjet janë kryer nga njerëz të njejtë por nuk lidhen me njëra tjetrën. Vrasja e të miturës Vanja Gjorçevska është kryer për arsye financiare, duke e rrëmbyer vajzën për të marrë para nga nëna, kurse vrasja e dytë, e 74 vjeçarit nga Velesit, ka lidhje me konflikte të mëhershme.

“Edhe pse Maqedonia priti që t’i gjejmë të gjallë, ne dy viktimat i gjetëm të vdekur. Në emër të gjithë MPB-së i shpreh ngushëllimë familjes dhe gjithë Maqedonisë. Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre personave ju është caktuar paraburgim, njëri është në arrati kurse babai i të miturës është ndaluar nga policia, si pjesmarrës në këto ngjarje duke dhënë informacione për vendin e ndodhjes së vajzës. Tek vrasja e së miturës bëhet fjalë për kushtëzim që të merren para nga nëna e vajzës, dhe kjo është bërë në dijeni të një familjari. Ngjarja e dytë, vrasja e 74 vjeçarit nuk lidhet me vrasjen e së miturës, por vetura e viktimës së parë është shfrytëzuar gjatë kidnapimit të së miturës Vanja Gjorçevska. Kemi informacione se personi i dytë i vrarë, 74 vjeçari është vrarë vetëm pse ka pasur konflikt më herët me një nga të dyshuarit për krimin e kryer”, tha Spasovski.

Gjatë rrëmbimit të vajzës së mitur është përdorur makina e të moshuarit të vrarë në Veles, derisa viktimat nuk janë njohur me njëri-tjetrin, kështu deklaroi në konferencën e sotme ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Sipas tij rrëmbimi i vajzës është bërë me informacion paraprak nga babai i saj.

Ministri Spasovski tha se motivi i dy vrasjeve ka qenë interesi, ndërsa në një rast është përfshirë edhe një person nga familja më e afërt e viktimës.

“Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare, të një familjari ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitonin financiarisht”, tha Spasovski.

14 vjeçarja u raportua e zhdukur që nga 14 nëntori. Viktima nga Velesi nuk ka lidhje me të miturën e vrarë, por në të dyja rastet autorët ishin të njejtë dhe se 74 vjeçari u vra për shkak të marrëdhënieve të pa-pastruara me të dyshuarit. Automjeti i viktimës pas vrasjes është konfiskuar dhe më pas djegur.

E mitura Vanja është marrë nga banesa me atë mjet, pasi babai ka ndarë informacione për ditën dhe orën kur vajza do të dilte nga shtëpia.

“Ekzekutuesi kryesor, i cili e vrau të miturin me armë, u frikësua nga provat e hetimit, dhe është arratisur, po i ndjekim gjurmët e këtij përbindëshi dhe ai do të dalë para drejtësisë”, tha Spasovski.

Ora 11:13
Vrasja në Shkup/ 14 vjeçarja u rrëmbye u lidh këmbë e duar, u fut në thes brenda në bagazhin e makinës

1701638058_vanjagjorevska.PNG

Ministri Oliver Spasovski në konferencën e sotme për media shpjegoi mënyrën e rrëmbimit të vajzës së mitur.

Siç tha ai, Vanja Gjorçevska u vendos me forcë në bagazhin e automjetit Citroen, pasi më parë me duar dhe këmbë të lidhura e vendosën në një thes gjumi.

Sipas tij dyshohen 5 persona, 3 prej të cilëve janë në paraburgim, një në bisedë informative dhe një jashtë shtetit.

“Që të dy personat edhe e mitura nga Shkupi dhe 74 vjeçari nga Velesi dje u gjetën nga policia të vrarë dhe të varrosur njëri në Shkup dhe tjetri në Veles. Masat e ndërmarra nga ana e policisë na sollën deri tek autorët e këtij krimi, ata janë privuar nga liria. Lidhur me dy rastet janë të dyshuar 5 persona, tre prej tyre janë në paraburgim, një është jashtë shtetit dhe personi i 5, babai i të miturës është ndaluar dhe me të po zhvillohet bisedë informative”, tha Spasovski.

 

Ora 10:19
Paraburgim 48-orësh për tre të dyshuarit për vrasjen dhe rrëmbimin e 14-vjeçares

Gjykata Themelore Penale e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh për tre persona të cilët janë sjellë në gjykatë dhe dyshohen për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, konfirmoi gjykata.

Ndalimi i tyre përcaktohet për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit tek dëshmitarët dhe kryerjes së një krimi të ri. Të tre janë dërguar në burgun hetimor në Shutkë, Maqedoni e Veriut.

Njëri nga të dyshuarit që mbrëmë është sjellë në gjykatë është Velibor Manev nga Velesi. Në një prononcim për media, i pyetur nëse ka kryer vrasjen e Vanyas, Manev është përgjigjur negativisht.

Sipas MPB-së, nga masat operative të ndërmarra është konstatuar se Vanja është marrë me automjet nga hyrja e banesës dhe nga të dhënat e marra nga marrja në pyetje është konstatuar se ajo është vrarë në të njëjtën ditë pra në 27 nëntor 2023 rreth orës 10:00.

Ora 10:07
Pas vrasjes së 14-vjeçares, deklarohet para gazetarëve njëri prej të dyshuarve: Unë nuk e kam kryer vrasjen e Vanyas

1701680823_zha.jpg

I dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup, Velibor Manev.

Në Gjykatën Penale mbrëmjen e djeshme ka mbërritur i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup, Velibor Manev.

I pyetur nga mediat nëse ai ka kryer vrasjen e Vanya, Manev, ai u përgjigjet shkurt gazetarëve "JO".

Manev gjithashtu dyshohet edhe për vrasjen e 74-vjeçarit nga Velesi.

S.S/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 04/12/2023 13:25

    Ngushellime familjeve te viktimave. Keqardhje kur sheh monstra te tilla qe mund te jene kaq prane nesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja