Ish-komandanti Flamur Hoxha: Si u krijua baza ajrore në Kuçovë dhe cili është funksioni i saj sot

Ish-komandanti i bazës ajrore, Flamur Hoxha, pas lajmit që kryeministri Edi Rama publikoi për hapjen e Bazës Ajrore se NATO do të ndërtojë në Kuçovë, të parën bazë ajrore në Ballkanin Perëndimor analizon rëndësinë e kësaj nisme. Ai ndalet tek historiku i bazës së vjetër ajrore prej 311 hektarësh në Kuçovë, ndërtuar në 15 maj të vitit 1955, por edhe risitë ajrore edhe ekonomike, që do të sjellë ndërtimi i kësaj baze në Shqipëri.

Zoti Hoxha, çfarë mund të na thoni për lajmin e publikuar nga Edi Rama, se Baza Ajrore e Kuçovës do të kthehet në Bazë Ajrore për Ballkanin Perëndimor? Si e konsideroni ju këtë?

Është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të gjithë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Njëkohësisht, edhe ne që kemi shërbyer në këtë armë ndihemi krenarë edhe e vlerësojmë shumë këtë vendim, që ka marrë Aleanca e Atlantikut të Veriut së bashku me qeverinë shqiptare.

Ky është një vendim i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe realizimi i tij do të kushtojë rreth 50 mln euro. Por çfarë ndihme u sjell ky vendim Forcave Ushtarake Shqiptare edhe Forcave Ajrore?

Mesa jam njohur nga vendimi i marrë edhe i përcjellë nga kryeministri i vendit, kjo do të shërbejë si bazë rezervë e Aleancës së NATO-s, po njëkohësisht do të shërbejë edhe si aset ndihmës edhe për të gjithë Forcat  Ajrore të Republikës së Shqipërisë. Njëkohësisht, në të dyja rolet, qoftë si bazë ajrore e NATO-s, qoftë si vend dislokimi edhe vend pune për forcat tona ajrore.

Zoti Hoxha, lidhjet tuaja me këtë Bazë Ajrore janë të hershme. Që në vitin 1981 ju keni qenë pilot, më pas puna e solli që të ishit edhe komandant i kësaj baze. Por, a mund që të na bëni një retrospektivë, sesi e mbani mend këtë zonë. Çfarë hapësirash ka, por edhe çfarë materialesh apo avionësh ruhen atje?

Unë kam mbaruar Akademinë e Forcave Ajërore ne vitin 1981. Kam punuar në Aerodromin e Kuçovës në disa tipe avionësh, deri në MIG 19 deri në vitin 1995. Pastaj nga viti 1995 deri në vitin 2003 kam shërbyer në Akademinë e Forcave Ajrore në të gjitha detyrat, deri tek Komandanti i Forcave Ajrore ne Vlorë. Së fundmi, në vitin 2008 deri në vitin 2011 jam rikthyer në Bazën Ajrore të Kuçovës. Baza ajrore e Kuçovës ka një sipërfaqe afërsisht prej 311 hektarësh, që përfshin pistën edhe të gjitha astetet ndihmëse të kësaj baze. Ka qenë baza kryesore e të gjithë forcave ajrore shqiptare. Aty kanë qenë të përqendruar avionët MIG 15, të cilët ishin të Shkollës së Aviacionit, por ishin të bazuara në periudhën dimërore në Bazën Ajrore të Kuçovës, pastaj në periudhën Verore në Akërni të Vlorës. Më pas ka qenë skuadrilja e kalimit MIG17,prej 20 aeroplanësh dhe dy skuadrilje të avionëve MIG19, të cilët përbënin bazën kryesore të Forcave Ajrore Shqiptare. Të gjithë pilotët shqiptarë kanë kaluar nga kjo bazë.

Marrëdhëniet me vendet e huaja si kanë ndikuar në ecurinë e kësaj baze ajrore, qoftë me ish-Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik?

Para viteve ’90 duke pasur parasysh gjendjen e Luftës së Ftohtë, që ekzistonte edhe mënyra e organizimit të forcave ajrore edhe të shërbimit të gatishmërive ushtarake kanë qenë të një shkalle komplet ndryshe edhe të një niveli shumë të lartë. Për pesë deri në shtatë minuta një çift avionësh MIG19 duhet që të ngrihej në ajër që në momentin e dhënies së sinjalit.

Por, gjatë kohës që unë kam shërbyer në Forcat Ajrore nuk ka pasur, por shkelje të mëparshme të vijës ajrore ka pasur, por janë realizuar edhe kapjet me sukses nga pilotët tanë. Kjo ka ndodhur pas viteve 165-70, më pas shkeljet i vijës ajrore kanë qenë të pakta. Tani është çdo gjë ndryshe ne jemi futur në një sistem të mbrojtjes kolektive edhe hapësira jonë ajrore ruhet nga aerodromet grekë edhe italianë.

Edhe me ndërtimin e bazës ajrore do të vazhdojmë njësoj?

Jo, besoj se ndërtimi i Bazës Ajrore të Kuçovës do të sjellë një ndryshim të të kësaj gjendje për ruajtjen e vijës ajrore komplet.

Kjo do të thotë që do të jetë NATO që do ta bëjë këtë apo do të jemi vet ne?

Përderisa do të vendoset këtu besoj se do të jetë e përbashkët. NATO do të ketë elementët kryesorë, ndërsa elementë të tjerë ndihmës do të jenë nga Forcat tona të Armatosura. Këtë ne e kemi treguar edhe nga funksionet që kryen aktualisht FA jashtë, prandaj mendoj se bashkëpunimi është shumë i nivelit të lartë. I kemi aftësitë për të kryer.

Por, çfarë ndodhi më pas me këtë bazë, që sot ajo ka dalë jashtë funksioni?

Me ndryshimet demokratike që ndodhën pas viteve ’90 edhe vet gjendja e këtyre avionëve, mungesa e disa pjesëve të këmbimeve edhe orëve të fluturimit bëri që kooperimi me aleatët ishte shumë i vështirë me këto lloj avionësh që ne dispononim që kishte flota jonë ajrore. Prandaj filloi që të pakësoheshin orët e fluturimit të këtyre avionëve, derisa gradualisht në vitin 2005 pas një ngjarje ajrore të ndodhur në RINAS në 16 shtator të vitit 2004, ku u vra dëshmori i atdheut Jani Tarifa. Në vitin 2005 u bë përfundimisht mbyllja e të gjithë avionëve reaktivë.

Aktualisht funksionon vetëm baza ajrore e Farkës me aktivitet të plotë fluturimi, e cila është e pajisur me helikopter të ndryshëm modernë të kohës. Ndërsa, bazat e tjera shërbejnë si asete ndihmëse të Forcave tona ajrore, qoftë baza ajrore e Kuçovës edhe e Gjadrit.

A ka pasur më vonë përpjekje apo projekte për rikthimin e kësaj baze në funksion?

Po. Unë kam qenë pjesë e një diskutimi të organizuar me palën turke, për një masterplan, edhe me Forcat e NATO-s në Izmir të Turqisë në vitin 2009-2010, ku u hartua masterplani i ringritjes së bazës ajrore të Forcave Ajrore të Kuçovës, bërja e saj me standartete e NATO-s, me të gjitha llogaritë edhe asetet ndihmëse të tij. U diskutua në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2010, pastaj unë në vitin 2011 jam larguar edhe ky masterplan ka ngelur i përgatitur edhe mbase ka shërbyer si bazë i këtij vendimi, që është marrë aktualisht nga NATO. Besoj se mbase ka shërbyer ky lloj masterplani i përllogaritur me detaje, duke pasur parasysh se Baza Ajrore e Kuçovës, që është ndër bazat më të mira edhe me kushtet më të mira meteorologjike që ka pasur vendi ynë për kryerjen e fluturimeve qoftë të avionëve të NATOS. Në atë periudhë ka pasur asete ndihmëse të madhe, qoftë qendrën e riparimit, qoftë edhe elemente ndihmëse.

A janë këto arsye, përse edhe NATO ka vendosur që Baza Ajrore të jetë në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, në ish-qytetin Stalin?

Unë mendoj se NATO mbase ka parë edhe kushtet gjeopolitike,  në të cilat ndodhet Ballkani Perëndimor, por me hapësirat që ka Baza Ajrore e Kuçovës edhe hapësirat gjeografike që ka, besoj se mund të shërbejë si rezervë e Aleancës së Veriut, por edhe si qendër për funksionimin e të gjithë FA shqiptare, duke u grumbulluar në atë bazë.

Por përsa i përket tunelit të kësaj baze Ajrore, çfarë mund të na thoni?

Kjo është një nga pikat strategjike që ka kjo bazë. Është bërë në vitin 1971 në të strehoheshin të gjithë avionët që kishte baza. Ishte e pajisur me elementë ndihmës edhe kishte edhe pistën urgjente nga gryka e tunelit nga bëhej ngritja e avionëve ushtarakë. Besoj që sot mbase duhet edhe mund të përshtatet për avionë të tjerë ose për elementë ndihmëse që ka një bazë ajrore e mirëfilltë.

Materialet që ruhen atje janë jashtë funksioni të gjitha?

Janë jashtë funksioni avionët MIG15, MIG17 dhe MIK19, janë të grumbulluar në afërsi të tunelit edhe mendoj se e kanë mbaruar funksionin e tyre edhe nuk janë në gjendje më për t’u riparuar. Besoj se Ministria e Mbrojtjes ka projektet e saj, për t’i kaluar për skrap. Kanë qenë të përllogaritura dikur bashkë me vlerën e tyre që kanë.

Çfarë vlere kanë pasur? Nuk kanë vlerë muzeale?

Për vlerë muzeale janë ngritur avionët në pozicionet e tyre, por vlerë për fluturim nuk kanë. Mund që të përdoren vetëm për skrap. Me ngritjen e kësaj baze qendrat e prodhimit nuk besoj se duan nisma shumë të mëdha, por besoj se do të krijohen qendrat e riparimit.

Përveçse një bazë për forcat ajrore dhe ushtarake çfarë të mire sjell kjo nisëm Kuçovës në sektorin ekonomik?

Duhet që të kemi parasysh pozitën gjeostrategjike që ka vendi ynë, pozitën që ka baza ajrore e Kuçovës kjo krijon brenda  mbrojtjes kolektive që kemi ne, brenda aleancës krijon një siguri akoma edhe më të madhe. Kthehemi në vitet, që baza ajrore e Kuçovës ishte një ndihmë e madhe, sepse punonin rreth 1000 persona. Besoj se do të ndikojë shumë.

Mendoni se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të thithur edhe pilotët e rinj?

Kjo varet nga mënyra se si do të kooperohen forcat ajrore të muzikës së Shqipërisë, me këtë bazë ajrore që do të ndërtohet aty. Por mundet që pilotët tanë, pasi ne aktualisht nuk nxjerrim pilotë të mirëfilltë për avionët reaktivë, por mendoj se mund që të shërbejnë nëse do të ketë një ndërthurje të pilotëve tanë me ata të NATO-së.

Dhe së fundmi, jeni shkëputur nga puna në vitin 2011, por si ka qenë gjendja e bazës ajrore kur ju u ndatë përfundimisht nga puna?

Pikërisht data 4 gusht sot, para 36 vitesh në vitin 1982 unë kam bërë pilotimin e parë vetëm. E fillova si pilotë edhe mbarova si komandantë në këtë bazë.

Gjendja e bazës është pikërisht kjo që është sot. Disa avionë që kanë qenë në gjendje pune kanë qenë për në ndihmë të bujqësisë, por besoj se edhe masterplani i bërë dikur është ai që po flasim sot. Besoj se forcat e armatosura do të jenë edhe duhet që të jenë në një nivel më të lartë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)