Ish-komandanti i KFOR-it: Perëndimi e ka toleruar tepër gjatë retorikën luftarake serbe, por dhe Kosova të ketë kujdes

Ish-komandanti i KFOR-it: Perëndimi e ka toleruar tepër gjatë retorikën luftarake serbe, por dhe Kosova të ketë kujdes

Erhard Bühler, foto nga DW

Tepër gjatë është toleruar retorika luftarake nga Beogradi, por edhe qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes me çështje si targat. Kërkohet pajtimi mes popujve, thotë ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Bühler, si e shihni situatën e fundit në veri të Kosovës? Sa e rrezikshme është kjo gjendje?

Erhard Bühler: Besoj se masat që ka shpallur tani Serbia, gatishmëria për largimin e barrikadave, janë masat e duhura. Besoj se situata ka qenë e rrezikshme deri më tani, sepse gjithmonë ekziston rreziku që në një situatë të tillë të ketë përshkallëzime. Më duket e padurueshme që në Evropën e sotme udhëheqja serbe të ketë urdhëruar ushtrinë të shkojë në kufi, ku është krijuar një kërcënim potencial. Është e padurueshme që udhëheqja e Beogradit të shprehet me këtë retorikë luftarake, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar.

Në anën tjetër, nuk mendoj se është e mençur as që qeveria e Kosovës të insistojë në këto detaje, si targat. Ju e dini se si është pritur kjo në Evropë. Kjo është një pikë kaq e parëndësishme, kur dihet se vëmendja e Evropës aktualisht është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor. Ka shumë simpati për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë, hapat e parë janë aty, më në fund po vjen edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, kështu është thënë të paktën, ndërsa tani grindemi rreth targave. Zoti im, çfarë është kjo? Kjo është e pamundur.

DW: Tensionet e fundit në thelb kanë treguar se sa e brishtë është situata në veri të vendit. Ju vetë keni qenë për një kohë të gjatë në Ballkan, keni qenë edhe komandant i trupave të KFOR-it. A është KFOR-i në gjendje t'u përgjigjet të gjitha këtyre sfidave?

Bühler: Besoj se po, mund t'u përgjigjet. Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse atje ka të stacionuara trupat e NATO-s. Mendoj se nuk ka nevojë të shqetësohemi, se ky konflikt me të vërtetë do të përshkallëzojë. KFOR-i është në gjendje t'i kryejë detyrat e veta dhe do t'i kryejë detyrat e tij, edhe pse sot është me numër më të vogël sesa në kohën time kur isha komandant. Megjithatë, ekzistojnë planet e nevojshme për t'i mundësuar KFOR-it të kryejë detyrat e tij në çdo kohë. Nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Këtu bëhet fjalë më shumë për imazhin e Ballkanit Perëndimor. Më shqetëson më shumë pyetja: A ia  vlen të zbatohet shteti ligjor kur bëhet fjalë për targat, nëse rrezikohet përshkallëzimi i situatës? Kjo më shqetëson.

DW: Po si duhet të kuptohet pra deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili thotë se serbët në Kosovë do të mbrohen edhe me masa ushtarake dhe policore, nëse rrezikohen. Edhe ju e keni parë se presidenti Vuçiq ka urdhëruar ngritjen e gjendjes luftarake dhe ka dërguar trupat afër kufirit me Kosovën?

Bühler: Po, e kam parë dhe sapo e thash, se e dënoj faktin që në Kosovë po merren masa që synojnë patjetër vendosjen e shtetit të së drejtës, kur në anën tjetër kemi kërcënime ushtarake. Kjo nuk është një Evropë siç e imagjinoj unë. Kështu nuk sillet një qeveri që synon t'i përkasë Europës. Por në anën tjetër, sundimi i ligjit nuk duhet të zbatohet me të gjitha mjetet, kur bëhet fjalë për targat. Duhet të merret parasysh fakti se një situatë si kjo mund të përshkallëzojë pa dashje në çdo kohë.

DW: Çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes, sepse as kështu nuk mund të vazhdohet përgjithmonë? Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se do t'i bllokojnë rrugët përgjithmonë në veri për institucionet e Kosovës, nëse nuk plotësohen kushtet e tyre?

Bühler: Po, mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka duruar tepër gjatë retorikën luftarake nga Serbia. Por këto situata po i shkakton edhe papajtueshmëria  e Prishtinës. Shumë më shumë duhet të fokusohemi tek pajtimi mes popujve. Mendoj se këtë e presin njerëzit. Kështu i kuptoj unë qytetarët në Kosovë, por edhe ata në Serbi. Të dy qeveritë janë pjesërisht fajtorë për këtë përshkallëzim, i cili, për fat të keq, është përkrahur edhe nga disa shtete mbështetëse të Kosovës. Unë edhe më parë e kam thënë se shteti ligjor nuk mund të zbatohet pavarësisht çmimit që duhet paguar. Gjithmonë duhet parë se cili është çmimi i një çështje, e duhet të shikohen edhe zhvillimet e përgjithshme në Evropë.

Kosova është në pozitë të mirë. Kosova është e pavarur. Pothuajse askush nuk e vë në dyshim këtë, të paktën jo nga qeveritë përgjegjëse, as nga shtetet e mëdha mbështetëse. Kosova ka një fuqi mbrojtëse të stacionuar atje, ka KFOR-in. Ekzistojnë edhe planet përkatëse për mbrojtje në sirtar. Kështu që askush nuk duhet të shqetësohet për këtë. Por duhet të shqetësohemi nëse dikush do t'i zbatojë ca gjëra shumë shpejt, ndonëse ato kaherë janë dakorduar. Problemi i targave nuk është një problem i kahershëm, por kjo nuk është një çështje që duhet të luajë një rol dominues në situatën e përgjithshme në të cilën ndodhet sot Ballkani Perëndimor.

DW: Zoti Bühler, kohët e fundit janë dëgjuar kërcënime të drejtpërdrejta nga pala serbe, por edhe qeveria e Kosovës ka paralajmëruar KFOR-in, që nëse ata nuk i heqin barrikadat, do t'i heqin institucionet e Kosovës. Si i shihni ju këto kërcënime nga njëra anë me mobilizimin e trupave, e nga ana tjetër me heqjen e dhunshme të barrikadave?

Bühler: Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht, sepse kërcënimet e të dy palëve janë të gabuara. Unë do të mbështetesha në forcën mbrojtëse të KFOR-it atje. KFOR-i i ka mjetet e duhura. Por sigurisht që edhe palët duhet të jenë aq të zgjuara sa situata të mos përshkallëzojë pa nevojë, dhe të ketë ndonjë përdorim të padëshiruar të armëve.

Të dyja palët duhet të jenë të përgjegjshme. Ne kemi lejuar tepër gjatë retorikën luftarake të qeverisë serbe. Por në anën tjetër disa shtete perëndimore kanë mbështetur edhe çështjet si ajo e targave, pavarësisht çmimit dhe efekteve anësore të mundshme. Qeveritë duhet të fokusohen tek problemet madhore dhe jo tek këto probleme relativisht të vogla. Të dyja qeverisë, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, kanë sfida të tjera më të mëdha brenda vendit. Nëse e shikojmë gjendjen në Kosovë, ajo duhet të merret shumë më shumë me çështjet si arsimi, shëndetësia etjerë. Këtu duhet të të jetë fokusi i angazhimit.

DW: Po zoti gjeneral, por pa gjidhjen definitive të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë as paqë të qëndrueshme. Çfarë do të rekomandonit ju, si mund të arrihet zgjidhja përfundimtare? Po pyes, sepse edhe bashkësia ndërkombëtare ka qenë shpesh e paqartë, sa i përket kërkesave dhe vizionit për zgjidhjen përfundimtare.

Bühler: Këtë çështjen e dytë nuk dua ta gjykoj fare. Sa i përket pjesës së parë, mendoj se ne jemi marrë tepër gjatë me detaje anësore, me detajet teknike të bashkëpunimit. Ato me siguri që janë të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës. E për këtë pajtim gjithmonë ka dy palë. Në veçanti përgjegjësia e madhe është në anën e palës serbe, ku në pushtet janë politikanë të cilët kanë pasur përgjegjësi në kohën e Millosheviçit. Por edhe politikanët në Kosovë duhet të punojnë drejt qetësimit të siutatës dhe pajtimit mes popujve. E këtë synim duhe ta kenë edhe politikanët evropianë. Kur të kuptohet kjo, atëherë është më lehtë të arrihen edhe detajet teknike. Pra ne kemi nevojë për pajtim mes popujve në Ballkanin Perëndimor. E pastaj sigurisht që duhet të arrihen dhe zbatohen edhe marrëveshjet për detajet teknike, pa dyshim.

DW: Megjithatë, pajtimi dhe detajet teknike nuk mund të arrihen pa një zgjidhje të përbashkët për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Bühler: Ashtu është, sigurisht. Por marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen edhe në frymën e planit të përgatitur nga Franca dhe Gjermania, që ka për bazë gjendjen në Gjermani në vitet 1970 dhe 1980. Kjo është rruga e duhur. Kjo është në të vërtetë pjesë e kontekstit të përgjithshëm të krijuar së fundi, ku Ballkani Perëndimor po merr shumë më tepër vëmendje sesa dikur.

Por nuk duhet të teprohet tani me çështje relativisht të vogla, se çfarë targash do të ketë një makinë, e që shkakton pastaj një problem të madh, siç është vendosja e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, e më pas edhe pala kosovare kërcënon se do të zbatojë gjërat me dhunë. Për këto gjëra nuk ka mirëkuptim askush në Evropë. Ndaj mendoj se gjithmonë duhet të kihet parasysh se cilat mund të jenë pasojat e veprimeve në nivelin lokal në ate global në Evropë, sepse vareni nga mbështetja e saj./DW

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit