Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të zgjedhin presidentin e vendit, duke paralajmëruar se në të kundërt Kosova mund të përballet me “telashe të mëdha”.

Pas ceremonisë ku mori shtetësinë e Kosovës, DioGuardi tha se ishte i rëndësishëm qëndrimi i tij në vend në këtë periudhë dhe shprehu shpresën që presidenti të zgjidhet sa më shpejt.

“Jam këtu që të siguroj që ju të keni një president dhe shpresoj që të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk zgjidhet deri atëherë, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan. Ishte e rëndësishme që të vija me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar. Tani nuk është koha të flini në gjumë, sepse njerëzit kanë marrë nga ju, e urrej ta them, por mund ta shihni edhe vetë”, theksoi ai.

Shirley Cloyes DioGuardi  gjithashtu vlerësoi marrjen e shtetësisë së Kosovës, dhe solli në kujtesë angazhimin e çiftit në mbështetje të çështjes së Kosovës që prej vitit 1989.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm në SHBA në mbështetje të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Sipas saj, ata kanë qenë miq të Kosovës shumë përpara shpalljes së shtetit dhe tashmë janë edhe qytetarë të saj.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së dhe Aleancës kërkuan vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, kritikoi institucionet për mungesën e qartësisë rreth teksteve shkollore, duke paralajmëruar se nxënësit mund të mos i kenë të gjithë librat në ditën e parë të shkollës. Ndërsa deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, akuzoi deputetin më të vjetër të legjislaturës, Avni Deharin, se po përdoret për të bllokuar vazhdimin e seancës konstituive.