Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, dhe deputeti britanik Paul Foster u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të zgjidhin sa më shpejt ngërçin institucional, duke zgjedhur presidentin dhe duke formuar një qeveri funksionale.
Në një deklaratë drejtuar Kuvendit, ata kërkojnë kompromis dhe përgjegjësi, duke paralajmëruar se bllokada rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të largojë vëmendjen nga sfidat e sigurisë, ekonomisë dhe integrimit evropian.
“Si miq të hershëm të Kosovës, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe udhëheqësve në të gjithë spektrin politik që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur çështjen e Presidencës dhe për të formuar një qeveri plotësisht funksionale pa vonesë të mëtejshme. Kosova ka demonstruar vazhdimisht guximin, qëndrueshmërinë dhe shpirtin demokratik të popullit të saj. Këto arritje tani duhet të shoqërohen me një lidership politik të barabartë me momentin. Bllokimi i vazhdueshëm institucional rrezikon dobësimin e besimit të publikut dhe largimin e vëmendjes nga prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: siguria, mundësitë ekonomike, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane e Kosovës. Në rrethanat aktuale të Kosovës, përgjigjja e duhur është ajo që e vendos vendin, popullin e tij dhe të ardhmen e tij në radhë të parë”, thanë ata.
Lajmi kryesor:
Mblidhet sot Kuvendi i Kosovës, Haxhiu rikandidohet për kryetare, Çitaku për nënkryetare! LDK: Votojmë propozimin e Vetëvendosjes! Aleanca bojkoton










