Ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se është e nevojshme ndërhyrja në rrugët e brendshme të lagjeve ku mungojnë standardet e sigurisë. Ndër të tjera, ai tha se Policia e Shtetit sot është në fazë transformimi në shërbim të qytetarëve.
“Si pasojë e një drejtuesi mjeti që qarkullonte i dehur dhe me shpejtësi në një rrugë lagjeje, ky është një lajm i rëndë për ne. Kjo nuk është thjesht një ngjarje rrugore, një aksident, por është një problem që na përket të gjithëve. Si deputet i njësisë 11, por edhe si ish-ministër, aq më tepër si ish-shef i policisë rrugore në Durrës, ku kam pasur kënaqësinë bashkë me kolegun Ndoj të hetojmë raste të tilla tragjike, mund të them se kemi disa problematika me të cilat përballemi sot; siguria mbetet një nga hallkat e dobëta që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Në njësinë 11 është bërë shumë punë, por duhet akoma më shumë. Kemi përparim në rrugët kombëtare dhe akset kryesore, por brenda lagjeve mungojnë standardet e sigurisë. Mbi të gjitha mungon kontrolli i vazhdueshëm i policisë. Nuk mund të pranojmë që rrugët e brendshme të kthehen në hapësira të rrezikshme për jetën.
Policia e Shtetit është në fazë transformimi, me rritje të fokusit në shërbim ndaj qytetarëve. Nëse nuk ndërgjegjësohemi, këto ngjarje do të ndodhin përsëri”, tha Hoxha.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ 1 minutë heshtje për 2 të miturit që u vranë në Durrës, Braçe: Është vrasje, të ndryshohet Kodi Rrugor! Zhupa: Kemi dështuar të gjithë










