TIRANE- Të rinjtë shqiptarë duket se janë të rrezikuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shkak për këtë është ndryshimi i partnerëve. Një studim i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik tek studentët, tregon se mesatarisht një i anketuar kishte pasur marrëdhënie seksuale me të paktën 2 partnerë, por rezultuan edhe nga ata me 5 të tillë. Ky fakt ka bërë që specialistët të japin alarmin tek të rinjtë që të jenë të kujdesshëm pasi rrezikohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

“Në studim përveçse rezultoi që akti i parë seksual ishte që në adoleshencë rezultoi se të rinjtë studentë kishin kryer marrëdhënie seksuale me disa partnerë. Pra, ata mesatarisht raportuan 2.2 partnerë dhe një pjesë tjetër raportonte se kishin kryer marrëdhënie me disa partnerë, pra mbi 5 partnerë seksualë” ka pohuar Specialistja e Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri. Sipas saj ndryshimi i partnerëve seksualë përbën një rrezik të madh, pasi është një nga shkaktarët e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme apo infeksioneve. Sipas specialistes, studimi tregoi se të rinjtë shqiptarë që vijnë nga zonat rurale kishin më pak njohuri dhe ishin kontingjenti më në risk për t’u prekur nga këto sëmundje.
 
Studimi
Studentët shqiptarë vazhdojnë të kenë njohuri të pakta në lidhje me infeksionet seksualisht të transmetueshme. Studimi më i fundit kombëtar, në të cilin u intervistuan rreth 2000 studentë nga universitetet publike dhe private evidentoi se rreth 61% e këtyre të rinjve kanë mungesë informacioni në lidhje me infeksionet seksuale. Plot 11 për qind e të rinjve mendojnë se është e rrezikshme të qëndrosh në bankë me një person me HIV dhe 35 për qind e tyre  mendonin se “AIDS” përhapet nëse përdor të njëjtat enë kuzhine.

“Janë marrë në studim rreth 2000 studentë që ishin përfaqësues të gjithë studentëve të regjistruar si në universitete publike ashtu dhe private dhe një përqindje e tyre mendonin në mënyrë të gabuar se një mënyrë për t’u mbrojtur nga infeksionet e transmetueshme ishte përdorimi i tabletave kontraceptive”, tha Lumturi Mërkuri, specialiste në ISHP. Mjekët ndërkaq shprehen të shqetësuar se të studentët shqiptarë gjithnjë e më shumë përdorin pak metodat kontraceptive. Vetëm 27 % e tyre përdornin masat mbrojtëse, ndërkohë që studimi evidentoi se të rinjtë shqiptarë janë të angazhuar në sjellje seksuale me risk, nën përdorimin e alkoolit dhe drogës.
 
Marrëdhëniet seksuale
Një tjetër gjetje e këtij studimi ishte edhe nisja e marrëdhënieve seksuale në moshë të hershme, çka për specialistët dhe mjekët përbën rrezik për të rinjtë. Sipas të dhënave të grumbulluara nga studimi u evidentua se mesatarisht të rinjtë kishin nisur marrëdhëniet seksuale rreth moshës 17 vjeçare. “Të rinjtë studentë shqiptarë ishin të angazhuar dhe kishin filluar marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme. Gati 62 % e tyre kishin raportuar se kishin kryer marrëdhënie seksuale me një moshë mesatare 17 vjeç, por në një moshë minimale të raportimit të kryerjes së marrëdhënieve seksuale ishte 13 vjeç”, tha mjekja Mërkuri. Duke pasur parasysh këto të dhëna specialistët kanë pohuar se ato do të shërbejnë për strukturat qeveritare që të hartojnë politika më të mira në mbrojtje të shëndetit.

Shkrimi u publikua sot 27 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)