“Hartë Memece për të Mbyturit” me autor shkrimtarin dhe poetin Arian Leka u prezantua mbrëmjen e kësaj të premteje në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Performanca teatrore dhe instalative erdhi si një homazh për viktimat e eksodit dhe një thirrje për të mos harruar plagët e emigrimit shqiptar.
“Bëhen 35 vjet nga eksodi dhe kujtesa ka nevojë të rikthehet në vendin ku nisi. Sot nuk kemi më emigrimin klandestin, por duhet t'i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: pse shqiptarët vazhdojnë të largohen edhe kur kanë lirinë të jetojnë këtu? Kjo vepër flet me historinë dhe me vetveten.”, tha autori Arian Leka.
Me regji të Driada Dervishit, performanca ndërthur poezinë, teatrin dhe dokumentimin historik, duke sjellë në skenë histori të vërteta të mbledhura ndër vite, të cilat dëshmojnë dhimbjen e ndarjes dhe humbjet në det.
“Është një tekst shumë i ndjeshëm, i ndërtuar mbi histori reale. Fenomeni i emigrimit vazhdon edhe sot dhe kjo e bën veprën akoma më aktuale. Në të marrin pjesë aktorë, intelektualë dhe gazetarë, sepse kjo është një histori që u përket të gjithë shqiptarëve”, tha Driada Dervishi.
E përkthyer në 12 gjuhë dhe e interpretuar më parë në Berlin, Këln, Helsinki e Vjenë, vepra u rikthye në qytetin ku nisi historia që rrëfen.
Në performancë u bashkuan aktorë profesionistë, poetë, gazetarë dhe qytetarë, duke sjellë një rrëfim të përbashkët mbi kujtesën, humbjen dhe shpresën.
“Ne sjellim kronikat e kohës, ngjarjet tragjike të atyre viteve dhe historitë e qindra njerëzve që humbën jetën në det. Por shfaqja ngre edhe një pyetje aktuale: pse shqiptarët vazhdojnë të largohen edhe sot? Është një ftesë për reflektim për të gjithë shoqërinë”, thotë gazetari Geri Ermiri.
Përmes një gjuhe artistike që bashkon poezinë, dokumentin dhe teatrin, "Hartë Memece për të Mbyturit" e ktheu detin në simbol të shpresës dhe sakrificës, duke rikthyer në kujtesë historitë e atyre që u nisën drejt një jete më të mirë, por nuk arritën kurrë në breg.
Komente









