Pavarësisht se i mbyllur në qeli prej vitit 2020, Hashim Thaçi e gjeti mundësinë t’i uronte të gjithë shqiptarët për festën e pavarësisë.

“Sot çdo shqiptar ka festë kombëtare shtetërore e familjare. është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare. I uroj shqiptarët të festojnë të bashkuar krenarë dhe me dinjitet”, tha Thaçi. 

Gjatë seancës për ish-krerët e UÇK-së, Thaçi kritikoi dhomat e specializuara të Hagës që ia caktuan seancës gjyqësore, në këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.

“Në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që s’lejohen në shtetet tuaja përkatëse. edhe ne shqiptarët kemi histori tradita e dhe Vlera kombëtare e shtetërore. Caktimi i kësaj seance sot për 28 nëntor duhet të ishte evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë", vijoi Thaçi. 

 Më herët, duke zhvilluar homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,  kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, i cilësoi festimet të mangëta pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

“Ju urojmë katër festat e nëntorit. Festa e vitit 1944 ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, datëlindja e komandanti legjendar më 1955 dhe dalja në skenë e UÇK-së. Këto festa janë të mangëta sepse në i kemi krerët e UÇK-së në Hagë ku padrejtësisht po mbahen padrejtësisht në Hagë nga një gjykatë”, tha Hysni Gucati, kryetari i OVL. 

Gucati shprehu besim se vitin 28 nëntorin e ardhshëm, shqiptarët do ta festojnë bashkë me 4 ish-zyrtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.