Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka shprehur shqetësim për të drejtat civile të ish-presidentit Ilir Meta që sipas tij janë të kërcënuara dhe ka kërkuar reagim nga institucionet shqiptare dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e tyre.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Mesiç shkruan se ka mësuar “me trishtim” për atë që e cilëson si shkelje të të drejtave themelore të njeriut ndaj presidentit të PL-së gjatë procesit gjyqësor dhe trajtimit në paraburgim.

“Jam thellësisht i trishtuar që të drejtat civile të z. Meta janë të kërcënuara”, thuhet në letrën e ish-presidentit kroat. Mesiç kërkon nga institucionet shtetërore shqiptare të garantojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të Ilir Metës, ndërsa apelon edhe ndaj organizatave ndërkombëtare për të reaguar lidhur me situatën e tij.

Ish-presidenti kroat thotë gjithashtu se pret edhe një reagim institucional lidhur me situatën e Ilir Metës Politikani ka shërbyer si president i Kroacisë nga vitet 2000 deri në vitin 2010.