Ish-Presidenti Trump ngjall reagime me komentet për identitetin e Nënpresidentes Harris

Ish-Presidenti Trump ngjall reagime me komentet për identitetin e Nënpresidentes Harris

Ish-Presidenti Donald Trump

Ish-Presidenti Donald Trump pretendoi të mërkurën se Nënpresidentja Kamala Harris i kishte mashtruar votuesit lidhur me përkatësinë e saj racore. Zoti Trump po fliste para Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve Afrikano-Amerikanë në Çikago, në një intervistë që u shoqërua nga tone të ashpra.

Ish-Presidenti republikan tha, pa përmendur fakte, se zonja Harris, nënpresidentja e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane, në të kaluarën kishte theksuar vetëm orgjinën e saj indiane.

“Nuk e dija që ajo ishte afrikano-amerikane deri disa vite më parë, kur ajo filloi ta thoshte një gjë të tillë dhe tani ajo do që të njihet si e tillë”, tha zoti Trump.

Zonja Harris është bijë e një babai xhamajkian dhe një nëne indiane, të dy emigrantë në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka studiuar në Universitetin Howard, një nga universitetet më me emër me studentë kryesisht afrikano-amerikanë.

Si senatore, Nënpresidentja Harris ishte anëtare e Grupit Afrikano-Amerikan të Kongresit. Ajo mbështeti ligje për të drejtën e votës dhe reformën në polici.

Zoti Trump e ka kritikuar ashpër zonjën Harris që kur ajo u bë kandidatja e pritshme demokrate, pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara.

Gjatë gjithë karrierës së tij politike, ish-presidenti ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje prejardhjen e kundërshtarëve të tij nga pakicat racore.

Michael Tyler, drejtori i komunikimeve për fushatën e zonjës Harris, tha në një deklaratë se "agresiviteti që Donald Trump shfaqi sot në skenë është njëlloj si ai që ka shfaqur gjatë gjithë jetës së tij, gjatë mandatit të tij në detyrë dhe gjatë gjithë fushatës së tij për t’u rizgjedhur.”

"Donald Trump e ka dëshmuar tashmë se ai nuk mund ta bashkojë Amerikën, ndaj ai përpiqet të na ndajë”, tha ai.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, e cila është afrikano-amerikane, u pyet gjatë konferencës së saj të shtypit të mërkurën në lidhje me komentet e zotit Trump dhe i quajti "të neveritshme". "Është fyese dhe askush nuk ka të drejtë t'i tregojë dikujt tjetër se si të identifikohet".

Zoti Trump ka sulmuar vazhdimisht kundërshtarët dhe kritikët e tij në bazë të racës. Ai u bë i njohur në qarqet e Partisë Republikane duke përhapur teorinë e rreme se Presidenti Barack Obama, nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara. Ish-Presidenti i ka mohuar akuzat për racizëm.

Paraqitja e zotit Trump të mërkurën në mbledhjen vjetore të gazetarëve afrikano-amerikanë mori menjëherë tone të nxehta kur ish-presidenti debatoi ashpër me intervistuesen Rachel Scott të rrjetit ABC News, duke e akuzuar atë se e prezantoi në mënyrë të pakëndshme.

"Mendoj se është e turpshme," tha Trump. "Erdha këtu me mendje të hapur. Unë e dua popullsinë afrikano-amerikane të këtij vendi. Unë kam bërë shumë për këtë popullatë."

Ndërsa bën fushatë për Shtëpinë e Bardhë për herë të tretë, zoti Trump po përpiqet të zgjerojë bazën e votuesve dhe të bëjë për vete afrikano-amerikanët.

Ekipi i fushatës së tij ka theksuar mesazhet e tij mbi ekonominë dhe imigracionin si pjesë e kësaj përpjekjeje, por disa nga komentet e tij u kanë bërë jehonë paragjykimeve për këtë grup.

Zonja Harris reagoi shkurtimisht ndaj komenteve të zotit Trump të mërkurën mbrëma, në një aktivitet të një organizate të grave afrikano-amerikane në Hjuston.

"Ishte përsëritje e mesazhit të tij të vjetër të përçarjes dhe ofendimeve”, tha ajo. "Dua të them vetëm se populli amerikan meriton më shumë."/ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Spektakël në SHBA, Milani mposht minimalisht Real Madridin

Spektakël në SHBA, Milani mposht minimalisht Real Madridin