Ish-shefja e SHISH Vlora Hyseni u duk sikur u tradhtua nga nervat kur përmendi dy togfjalësh fatalë: “Agjentë serbë e dhomë hoteli”. Pra, jo vetëm tradhti kombëtare si shërbesë, por edhe seks i ndaluar si shpërblesë. U duk gjithashtu edhe si një mënyrë gazmore e mendjelehtë për të relativizuar raportin e saj të mundshëm me të pandehurin e famshëm të dosjes që e ka mbërthyer brenda saj.

“Më akuzojnë mua, por dhe ju jeni njëlloj!”. E parë kështu, shpjegimi është shumë sipërfaqësor, padyshim naiv dhe shumë banal për t’u gjykuar si shkarje e gojës që shket meqë nuk puth dot më. Në të kundërt, ajo ishte një fjali krejtësisht e mirëllogaritur. Shantazhi i konsumuar publikisht nuk kishte në shënjestër gazetaren e njohur të kronikës. Reporterja ishte vetëm mikrofoni të cilën zonja Hyseni e përdori për të paralajmëruar luftë, hakmarrje dhe për të kërcënuar “listën e gjatë të armiqve që i kishin bërë gjëmën “çiftit”. Ishte njëkohësisht edhe një ofertë e dëshpëruar për te shpëtuar çfarë mundet nga gërmadha penale e morale që i është shembur mbi kokë: Më mbani mbi gropë, ndryshe humnera ju pret edhe juve!

Rrënimi i frikshëm i zonjës Hyseni në vetëm 48 orë dramatike dhe ekspozimi i mesazheve personale të saj me zotin Agasi, është vetëm një episod kulmor dhe i pabesueshëm në një botë të çmendur shqiptare ku të gjithë kanë sekretet e tyre: jo vetëm komunikim me kontakte minimalisht të papërshtatshëm, por edhe mëkate penale, pislliqe njerëzore apo edhe dobësi porno-erotike. Zonja e sekreteve paralajmëroi si paradhënie pikërisht këto thembra Akili, ku shumëkush në Tiranë çalon rëndë. Paralajmëroi dalje në dritë të këtyre “sekreteve” publikë, qe i dinë të gjithë.

Një drejtues disa vjeçar shërbimi padyshim që ka pushtetin e informacionit. Është gjithashtu edhe dëshmitar i dobësive të njerëzve të pushtetshëm në Tiranë. Kur edhe një amator në këtë punë si Agasi, ka tmerruar dynjanë me serinë e regjistrimeve të fshehta që ju kishte bërë “mysafirëve” në zyrën e tij e gjetkë, është e lehtë të imagjinohet se çfarë mund të ketë pasur në kasafortë zonja Hyseni që kishte një ushtri shtetërore informatorësh në dispozicion.

Në zyrën e zotit Agasi ne ish-Bllok, në vilën në një resort në periferi të Tiranës apo dhe në një zonë rezidenciale në plazhin e Durrësit, ka parakaluar një armatë e palavdishme shqiptarësh të pushtetshëm. Mes tyre edhe ministra, deputetë të shumtë të majtë e ca më pak edhe të djathtë, gjyqtarë e prokurorë, drejtues te lartë të policisë, njerëz të rëndësishëm të medias, biznesmenë shumë të njohur që mund të kenë pasur nevojë për forcën e armëve e të tjerë që nëpërmjet armëve si zanat, ishin shndërruar në biznesmenë.

Kontaktet me Agasin në atë kohë ishin një aset, një mundësi për karrierë në pushtet e biznes, një shans për të zgjidhur probleme, për të qenë pjesë aleancash fluide e për të ndryshuar raporte forcash. Madje edhe brenda partisë që qeveris vendin e kryesisht brenda saj. “Çifti” që shkëmbente pasion, përkushtim e interesa okulte, padyshim që ka shkëmbyer edhe informacione të tilla. Sikur edhe kaq të kishte në dispozicion zonja Hyseni, subjektet e këtyre përgjimeve kanë të drejtën e Zotit t’u prishet gjumi për shumë kohë. Dhe meqë ish-shefja e shërbimit përmendi dhomat në hotele, pa gjumë do të mbeten edhe ata kanë gdhirë netë të bardha, po shumë të bardha, në periferi të Tiranës, në vila luksi të harbuar e në shoqërinë e një listë mbresëlënëse me eskorta shëtitëse VIP. Të cilat prej kohësh, një pjesë të mikpritësve të tyre, i kanë shndërruar në barcaleta pa shumë kripë me dashnorët e rinj.

Fatmirësisht dy prokurorët e dosjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti dhe së paku një numër mbresëlënës agjentësh të BKH-së, nuk janë në këtë listë. Dhe së paku deri më tani, si përfaqësues të akuzës publike, i kanë të dyshuarit e tyre me hakmarrjen e shtetit në gjykatë.

Ndaj fjalia arrogante dhe brutale që zonja Hyseni derdhi mbi gazetaren Lala, në fakt është një breshëri mitralozi e shkrehur në ajër pikërisht mbi kokat e kësaj turme laramane individësh. Të cilët i bashkon pushteti, paraja, vaniteti, krimi dhe përshtatja me rregullat e liga të stabilizuara për të pasur sukses. Tani e më tej, ata i bën njësh edhe frika nga e nesërmja e panjohur.

Ish-shefja e SHISH nuk hapi kutinë e Pandorës. Ajo dëshmoi se ka password-in e saj. Paralajmëroi se së paku mund të prishë gazin e atyre që kanë nisur festën për rrënimin e saj. Madje edhe shumë më shumë se kaq, zonja Hyseni duket se paralajmëron edhe hakmarrjen e të mbyturit që mbyt. Njëlloj siç premtonte në mesazhet e saj plot përkushtim: “Na kanë bërë shumë gjëra, o shpirt! Dua që ata të paguajnë!”./Javanews