Një 66-vjeçar është arrestuar nga polici në Shkodër, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale Mashtrimi. Prenda Kola ishte dënuar nga Gjykata e Apelit me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
66-vjeçari Prend Kola u dënua nga Gjykata e Tiranës me 12 vjet burg me akuzën e bashkëpunëtorit, bashkë me Albana Lazen. Kjo e fundit po ashtu e dënuar për përvetësimin e një shume prej 100 mijë eurosh përmes mashtrimit. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Prend Kola u shpall fajtor për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim. Referuar vendimit, ka rezultuar e provuar se Prendi në bashkëpunim me Albana Lazen kanë përfituar 100 mijë euro nga familjarët e një të dënuari, duke i premtuar atij lirimin nga burgu të të afërmit të tyre.
Ngjarja është shënuar në vitin 2006, ku i pandehuri Prend Kola ka rënë në kontakt me shtetasin N. Gj., vëllai i të cilit ishte arrestuar si i dyshuar për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Sipas gjykatës, Prend Kola i ka garantuar se në këmbim të 100 mijë eurove ai mund t’ia nxirrte nga burgu familjarin e tij brenda 6 muajsh, duke i thënë se kishte një njeriun e tij te Gjykata për Krimet e Rënda.
Kola i ka prezantuar familjarëve të të arrestuarit Albana Lazen, e cila është zotuar se kishte njohje te Krimet e Rënda. Në vijim Kola dhe Laze i kanë marrë shumën 100 mijë euro. Para familjarëve ata kanë shtyrë disa herë kohën kur do ta lironin të arrestuarin, derisa Laze u arrestua për një episod tjetër mashtrimin, ndërsa Kola humbi kontaktet me ta.
Gjatë gjykimit, i pandehuri Kola ka mohuar akuzën, duke u shprehur se edhe ai ishte i mashtruar nga Laze. Ai ka deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga shuma prej 100 mijë eurosh. Për të njëjtin episod, në vitin 2011 Laze u dënua me 8 vjet burg, vendim që u la në fuqi edhe në Apel.