Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e Guglielmo Vicarios, i cili bëhet portieri më i ri i “Zonjës së Vjetër”. Italiani ka mbërritur në Torino nga Tottenhami dhe ka firmosur kontratë me klubin bardhezi deri më 30 qershor 2027.
Marrëveshja mes dy klubeve është realizuar në formën e huazimit, me Juventusin që ka të drejtën e blerjes përfundimtare për 8 milionë euro, ndërsa në marrëveshje parashikohen edhe 2 milionë euro të tjera në formën e bonuseve. Portieri 29-vjeçar do të mbajë fanellën me numrin 25 në aventurën e tij të re në Torino.
Trajneri Luciano Spalletti mund t’i besojë Vicarios fanellën e titullarit që në ndeshjen e parë të sezonit. Juventusi do ta nisë kampionatin në transfertë përballë Frosinones, të dielën më 23 gusht dhe portieri i sapoardhur nga Tottenhami shihet si një kandidat serioz për të qenë mes shtyllave që nga minuta e parë.
I dalë nga moshat e Udineses, Vicario ka luajtur edhe për Venezian, Cagliarin dhe Empolin, përpara se Tottenham ta blinte 18.5 milionë euro tre vite më parë.











Komente
Komento