‘Ishte duarartë, pasardhës i dinastisë së Bajrakut të Shipshanit’/ Ja si e kujton miku i tij të moshuarin që u vra në Tropojë

‘Ishte duarartë, pasardhës i dinastisë së Bajrakut të Shipshanit’/ Ja si e kujton miku i tij të moshuarin që u vra në Tropojë

Tahir Bajraktari

Mbrëmjen e djeshme u vra në Tropojë me armë zjarri në fshatin Doberdol Tahir Bajraktari 69-vjeç. Ai u qëllua për vdekje nga Nik Lulashi 54-vjeç nga Shkodra. Viktima kishte udhëtuar nga Tirana në drejtim të Tropojës në fshatin e tij Doberdol për të kaluar pushimet. Shqiptarja.com dhe Report Tv mësuan sot se mes autorit dhe viktimës ka pasur një konflikt për pagesën që do merrte 54-vjeçari i punësuar. Nik Lulashi ka kërkuar më shumë para sesa i ka ofruar viktima për punën e kryer në objekt dhe kjo ka ndezur debatin mes të dyve. Por kush ishte Tahir Bajraktari? Ja si e ka njohur një mik i tij...

Historia e Tahir Bajraktarit, treguar nga një mik i tij
I paharrueshëm emri e kujtimi i mirë për Tahir Sali Bajraktarin e Shipshanit të Malësisë së Gjakovës. Në mbramjen e vonë të 18 shtatorit 2018, në bjeshkën e Dobërdolit të Tropojës, në shtëpinë e tij verore, ku tash pesë vite dilte për bjeshknim kah maji në shtator, u vra 69 vjeçari në pension, Tahir Sali Bajraktari i Derës së Madhe të Bajrakut të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës.

1.Tahir Sali Bajraktari i Kasajve të Tropojës është një nga pasardhësit dinjitarë të Dinastisë së Bajrakut të Shipshanit, të cilët ndër shekuj i prinë bajrakut tonë të Shipshanit prej nga viti 1830, me Din Bajram Bajraktarin, Bek Din Bajraktarin (plagos në Luftën e Junikut e vdek rrugës për tek kulla e tij në Kasaj të Tropojës), Tahir Bek Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari (pas Luftës me çetnikët sllavë në Plavë-Guci në nëntor 1943, kthehet i sëmurë në vendlindje e vdes pas disa ditësh), Tahir Sali Bajraktari – drejtues i komunës së Becit e ndër kuadrot e para të pasçlimit në rrethin e Tropojës.

Bajraktarët e Shipshanit morën pjesë në të gjitha luftërat e Malësisë së Gjakovës kundër otomanëve, malazezëve, serbëve, etj. Deri në Moraçë e Shkup, deri në Plavë-Guci, Durrës, Gjakovë, etj. Ata ishin pjesmarrës në kuvende e luftëra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes së Pejës, të Kuvendit të Junikut…e deri në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

 2. Tahir Sali Bajraktari ishte njeri i punës, një mjeshtër në profesionin e tij. “Duar artë” e quanin. I këndonte e jehonte puna e mekanikut, motoristit, etj. I papërtueshëm e i sakrifikueshëm ishte për të gjithë. Shoqëror. Rrinte në punën e tij, merrej me punët e tij.  Ishte i dhanun dhe pas shahut, duke marrë pjesë dhe në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.  Në pesë vitet e fundit, duke qënë dhe në pension, dilte verave për bjeshknim në bjeshkën e Dobërdolit, ku e kishte ngritë aty shtëpinë e tij verore me të gjitha pajisjet e duhura si në qytet, kishte dhe televizor e shërbim internet, kishte ngrit dhe një minicentral të vogël për ndriçim elektrik për vehte dhe për fqinjtë e tij. Ai nuk ishte bari në Dobërdol, siç e paraqesin disa media, por ishte si i thonë vendasit “bjeshktarë”.

Tahir Sali Bajraktari në kohën e djehit, në regjimin komunist, ka pasë gjithato përsekutime politike, i kanë pasë internuar familjarisht në Lushnje e në Brisë, etj. Vllau i tij ma i madh, Mustaf Sali Bajraktari, ka pasë vdek tragjikisht e në moshë krejt të re, 29 vjeçare, në burgun e Spaçit, i cili në vitet e Demokracisë u dekorue me titullin “Martir i Demokracisë” (1994), me titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Tropojës (2008), sheshit kryesor të Tropojës së Vjetër (Astë) iu dha emri i tij me ceremoni solemne e festive të madhe (2016), si dhe janë shkrue libra për jetën e aktivitetin e tij.

Tahir Sali Bajraktari është vlla i 9 motrave dhe ka një vlla, Besnik Sali Bajraktarin, një jurist i njohur në Tiranë, në strukturat vartëse të Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë.

3. Tahir Sali Bajraktari i Kasajve, i Shipshanit e i Malësisë së Gjakovës, i vrarë në mbramjen e djeshme në bjeshkën e Dobërdolit në Tropojë do të varroset në ditën e nesërme, më 20 shtator 2018, në vendlindjen e tij, me nderime të larta e dhimbje të thellë, i përcjellë nga familjarë, të afërm, farefisni, bashkvendasit e tij, nga miq e të njohur nga gjithë Tropoja, Qarku i Kukësit e Puka, nga Kosova, Tirana, Plavë-Gucia, etj. I koftë i lehtë dheu i tokës së vet! Shpirti i ndrit’të! I paharrueshëm emri e kujtimi i mirë për Tahir Sali Bajraktarin e Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, Tropojës!

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore