24 kg heroinë janë sekuestruar në Portin e Ankonës në Italia. Policia ka vënë në pranga një ish polici 50-vjeçar shqiptar që e kishte fshehur drogën në brendësi të makinës së tij tip “Mercedes”. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Fatos Haskun ish efektiv i policisë kufitare në Durrës. Ai është arrestuar nga policia italiane me automjetin Mercedes Benz dhe i kishte në dyshemenë e modifikuar. Hasku është larguar nga policia në maj të këtij viti me kërkesën e tij.
Sipas mediave italiane, shqiptari identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, zbriti nga një anije e nisur nga Durrësi, teksa mjeti i tij i është nënshtruar kontrollit nga “Guardia di Finanza” ku është zbuluar dhe prania e drogës, e cila ishte e ndarë në 43 pako. Makina është sekuestruar së bashku me drogën, ndërsa 50-vjeçari ka përfunduar pas hekurave. Ai tashmë pritet të përballet me autoritetet italiane.
Fatos Hasku ka qenë një prej policëve i dyshuar se është përfshirë në trafikun e drogës gjatë vitit 2016. Emri i tij del në raportet që i janë nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Ankesave në Ministrinë e Brendshme për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit për periudhën 3 mars 2016 deri më 9 mars 2017.