DEVOLL-Tre persona janë sulmuar mbrëmjen e kaluar në fshatin Braçaj të Devollit, teksa ishin nisur për në Greqi. Fatkeqësisht, nga sulmi me sende të forta ka mbetur i vdekur, një 39-vjeçar.
 
Viktima është identifikuar nga policia si Zarif Allihu nga fshati Vërdovë i Pogradecit.
 
Burime nga policia e Korçës, bëjnë me dije se këtyre 3 personave iu janë marrë një shumë prej 10 mijë lekësh, dhe telefonat celularë.

Pas ngjarjes dy të plagosurit e tjerë D.T 39 vjeç, banues në Vreshtas- Maliq dhe Mendar Burnazi, 42 vjeç, banues në Nizhavec Pogradec janë transportuar për në spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Shokët e viktimës, janë marrë  në pyetje, ku sipas deklarimeve, ata janë përleshur me disa persona në afërsi të kufirit. Nga përplasja dyshohet të ketë të plagosur edhe nga grupi i agresorëve.

Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes David Myrte, 25 vjeç, banues në fshatin Braçanj.
 
Gjithashtu në pranga është vënë edhe Mendar Burnazi, njëri nga të plagosurit pasi ka deklaruar të dhëna të rreme përpara organeve policore, për mënyrën e ndodhjes së ngjarjes.


 
Në një prononcim për Report Tv, një dëshmitar i fshatit Braçaj, ka treguar se si i kanë kërkuar ndihmë të plagosurit në derën e shtëpisë së tij.
 
‘’Mbrëmë rreth orës 20:15 dikush trokiti në derë dhe tha duam ndihmë. Dolëm jashtë për ta ndihmuar, dhe e pamë që ishte i gjakosur. Nuk e pranova në oborr, e lashë tek porta atje jashtë. Aman të lutem më ndihmo më thoshte se kam njërin tek porta që po më vdes. I kam marrë një kuvertë dhe ja kam dhënë, dhe brenda në shtëpi nuk e kam pranuar. Kërkova kryeplakun, erdhi ai dhe e pa gjendjen, lajmëroi policinë, edhe erdhën. I plagosuri nuk ishte në gjendje të fliste ndërsa ai që ishte diçka më mirë, herë thoshte një gjë, herë e ndryshonte thoshte një gjë tjetër. Nuk thonin se as ku po shkonin, as se nga vinin. Ata ishin në këmbë, nuk pashë as makinë, as njeri të lëvizë’’,-është shprehur dëshmitari. 
 
Sakaq, policia e Korçës, përveç grabitjes, po heton edhe pistën e prishjes së pazareve të drogës, çfarë mund të ketë sjellë edhe përleshjen fizike midis grupeve.