Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i Kuvendit miratoi dje projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”. Ky projektligj do të votohet nesër në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. I pranishëm në komision ishte ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahemtaj, i cili sqaroi barrën financiare të faturës financiare për dëmshpërblimin e plotë të kësaj kategorie si dhe arsyet që e shtynë qeverinë për të ndërhyrë në ligjin aktual.
Relatorja e këtij projektligji deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi tha se synon përmirësimin e formulës për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit, apo familjarët e tyre. “Programi parashikon dëmshpërblimin e kësaj kategori gjatë mandatit të dytë. Buxheti i 2018 siguron mbështetjen për ish-të dënuarit politik. Rishikohet mekanizmi i shpërndarjes së fondeve, u jepet prioritet atyre që janë ende në jetë Sipas ligjit aktual, ndahet 70% për parësoret për bashkëshortin dhe fëmijët, 30% për trashëgimtarët e tjerë.
Projekti e heq këtë raport dhe parashikon ndarjen proporcionale”, tha fillimisht deputetja Kushi, e cila më pas u ndal edhe në disa detaje të ndryshimeve thelbësore ne këtë ligj. “Sipas ligjit aktual, kësti duhet të jetë jo më i vogël se 100 mijë lekë, projektligji i sotëm e heq këtë. Krijohet mundësia që subjektet përfituese, që u takon 8 milionë lekë, ta përfitojnë të gjithë shumën. Këtyre subjekteve deri sot u kufizohej, ndërsa projektligji i sotëm parashikon shpërndarjen e plotë. Kur dëmshpërblimi parashikohet 1 milion lekë, bëhet menjëherë. Krijohet mundësia që në raste gabimesh të bëhet korrigjimet e nevojshme. Projektligji nuk sjell efekte në buxhetin e shtetit”, sqaroi Evis Kushi.
Ndryshimet që pëson ligji për ish-të përndjekurit
Me ndryshimet e reja në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik, përcaktohet mekanizmi për shpërndarjen e kësteve dhe si do merret ai për trashëgimtarët por dhe për kategoritë parësore. Për të gjithë ata që kanë për të marrë deri në 1 milion lekë të reja lekët do të jepen me një këst. Për ata trashëgimtarë që kanë më shumë se 1 milion lekë për të marrë secili, atëherë do të paguhen me këste. Kushti është që kësti total për familjet e trashëgimtarëve të mos jetë më i lartë se 1 milion lekë. Kjo do të thotë se 4 trashëgimtarë të një ish të dënuari politik, nuk mund të përfitojnë më shumë se 250 mijë lekë të reja për secilin këst.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Ndryshimet ligjore
Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 lekë. Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 000 000 lekë, do të vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit. Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit, për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit.
Radha e dhënies së dëmshpërblimit
Në rastin kur e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit financiar përfundon me mbylljen e rrethit të familjarëve që nuk jetojnë. Në kuptim të këtij ligji, me familjarë deri tani nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, vetëm pasardhësit direktë: bashkëshortja, fëmija, fëmijët, vëllezërit dhe motrat. Më parë, në radhën e përfituesve ishin listuar edhe nipërit dhe mbesat e ish-të përndjekurve që nuk janë gjallë.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)