Ishulli ish-ushtarak i Sazanit këtë
verë atraksion i hapur për turistët

Agjencia Kombëtarë e Bregdetit ka lajmëruar se ishulli “fantazmë” i Sazanit do hapet për turistët këtë verë. Nëpërmjet postimit në Facebook të një artikulli të marrë nga organizata “Lonely Planet”, kryeministri Edi Rama ka shprehur entuziazmin e tij për këtë projekt duke thënë: “Kuriozitet i madh në faqet ndërkombëtare të turizmit për projektin tonë të çeljes së ishullit të Sazanit për Turistët”. 

ishulli i sazanit


Sipas artikullit, ishulli i Sazanit, një ish-bazë ushtarake e cila akoma ruan bunkerë dhe tunele të panumërt të cilët u ndërtuan për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore do të jetë një atraksion i padiskutueshëm për vizitorët. 

“Ajo që dikur ishte e izoluar, një destinacion i paarritshëm dhe një mister thuajse për të gjithë shqiptarët përveç udhëheqësve komunistë, tashmë mund të kthehet si një vend tërheqës, veçanërisht për turistët e huaj”, ka pohuar Auron Tare, kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. 

ishulli i sazanit

Teknikisht Sazani është ende një bazë ushtarake, me dy marinarë dhe një vendstrehim për anijet që patrullojnë në ujërat e asaj zone. Ishulli ka rreth 3600 bunkerë dhe shumë bunkerë të ndërtuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore përgjatë regjimit komunist, por duke treguar njëkohësisht edhe shumat marramendëse të parave të shpenzuara për t’u mbrojtur nga “pushtimi perëndimor”. 

E tashmë që rreziku i atëhershëm duket thjesht një çmenduri, shteti shqiptar shpreson që të jenë pikërisht turistët perëndimorë që do ta “pushtojnë” Sazanin dhe zonën përreth, për të parë plazhet e virgjëra, malet e larta e për të zbuluar historinë që shkon deri në Greqinë e lashtë.
 
Godinat e braktisura të ishullit të Sazanit, ishin përcaktuar të mbanin mbi 300 trupa ushtarake me furnizime të bollshme me ushqime, armatime dhe karburant për anijet, deri në 6 muaj. Aty gjendet dhe një shkollë e shkatërruar ku do mësonin fëmijët e familjeve të ushtarakëve. 

ishulli i sazanit

Sazani i cili gjendet në ngushticën e Otrantos që lidh detet Jon dhe Adriatik mund të arrihet për gjysmë ore me motoskaf nga Vlora. Në ishull gjenden specie të rralla të zogjve dhe zvarranikëve të cilët jetojnë në temperatura nga 10 – 25 gradë celcius. 

Gjysma e bregut të ishullit është e arritshme vetëm nëpërmjet ujit për shkak të shkëmbinjve të lartë në tokë por zyrtarët gjithsesi i qëndrojnë idesë se ai mbetet një vend i përsosur për çlodhje dhe aktivitete. 

“Është një ishull misterioz, pjesë e e Shqipërisë së epokës së vjetër komuniste”, thotë Celine Damery nga “France’s Conservatoire du Littoral”, i cili merret me ruajtjen e zonave bregdetare. Sipas Damery “Sazani është unik në Mesdhe përsa i përket biodiversitetit, peizazhit dhe trashëgimisë”. 

ishulli i sazanit

Megjithëse Tare ka planifikuar që ishulli të hapet për vizitorët në qershor, aty duket se ende ka probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Por Tare ka shumë ide për zhvillimin e Sazanit në të ardhmen. Tunelet anti-bërthamore janë shumë të freskëta për vizitorët në ditët e nxehta të verës dhe mund të propozohen edhe si kantina vere, thotë drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
 
“Këtu mund të krijohet edhe ndonjë shkollë ndërkombëtare apo qendër kërkimore për trashëgiminë nënujore të bregdeteve”, shprehet ai. Një ide e cila është refuzuar nga shteti ka qene ajo e disa investitorëve nga Las Vegasi për ta kthyer ishullin në një kazino gjigante.

Redaksia Online
(B.P/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 09:13

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Çfarë sjell Trump për Kosovë-Shqipëri? Xhafaj: Kurti luajti jashtë rregullave! Çollaku: S’mendoj se PD i fiton zgjedhjet prej tij! Sazani më mirë i Trump, sesa i shokëve të Beqajt

Çfarë sjell Trump për Kosovë-Shqipëri? Xhafaj: Kurti luajti jashtë rregullave! Çollaku: S’mendoj se PD i fiton zgjedhjet prej tij! Sazani më mirë i Trump, sesa i shokëve të Beqajt