Statusi i humbur dhe një ekzistencë e dëshpëruar në Iran po shtyn mijëra ish-trupa afgane - shumë prej tyre komando elitare të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që ta konsiderojnë të luftojnë si mercenarë në Ukrainë dhe në fushëbeteja të tjera.
Shumë ish-trupa të sigurisë afgane akuzojnë SHBA-në për braktisjen e tyre pasi talibanët rimorën pushtetin vitin e kaluar. Ata gjithashtu thonë se varfëria dhe shqetësimet e sigurisë po ndikojnë në vendimet e tyre për ta pranuar ofertën e një grupi privat rus që ata të bashkohen si mercenarë.
Sipas mesazheve në WhatsApp, që i ka parë Radio Azadi i Radios Evropa e Lirë, disa ish-komando afgane tashmë po bëjnë lëvizje për t'u bashkuar me Grupin Vagner, i njohur gjithashtu si Wagner, një organizatë private paraushtarake që luan një rol të rëndësishëm në luftën e Kremlinit kundër Kievit.
Të tjerë që aktualisht jetojnë në Iran, ku mijëra ish-ushtarë afganë kërkuan strehim pas pushtimit nga talibanët në gusht të vitit 2021, thonë se po jetojnë në varfëri, duke bërë punë fizike apo edhe shitur mbeturina për të siguruar jetesën.
Kjo shënon një kthesë të madhe për ish-anëtarët e Ushtrisë Kombëtare Afgane (AKSH) dhe forcën elitë të saj, të cilët u trajnuan nga SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë, dhe formuan shtyllën kurrizore të përpjekjeve të ish-Qeverisë afgane për të mbrojtur vendin dhe për të luftuar kundër talibanëve dhe grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Ushtarët afganë në Iran, të cilët kanë thënë se planifikojnë ta pranojnë ofertën e Vagnerit për rekrutim, thonë se ata u tradhtuan nga SHBA-ja dhe Qeveria afgane e mbështetur nga SHBA-ja, për të cilën ata luftuan. Shumica i fajësojnë ata për gjendjen e tyre aktuale.
Talibanët morën me shpejtësi kontrollin e vendit pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën forcat e tyre nga Afganistani. Pa ndihmën e SHBA-së, forcat afgane kapitulluan shpejt dhe shumë udhëheqës afganë u larguan jashtë vendit teksa luftëtarët talibanë zbritën në Kabul.
"Pas rënies së regjimit presidencial tradhtar të vendit, [Shtetet e Bashkuara] na shitën dhe ia dorëzuan vendin terroristëve [talibanëve]", tha një ish-anëtar i forcave speciale afgane, i cili nuk dha emrin e tij, në një audio-incizim i postuar në një grup në WhatsApp, ku bëjnë pjesë ish-anëtarë të ushtrisë afgane.
"Ne nuk kishim më ku të jetonim në Afganistan, sepse terroristët talibanë na ndoqën", tha ai në audio-incizimin e 3 dhjetorit.
Nuk ka jetë në arrati
Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e ushtarit, por vrasjet pa vendim gjyqësor të ish-ushtarakëve dhe punonjësve të Qeverisë afgane janë të mirëdokumentuara, me 100 vrasje të tilla të regjistruara vetëm në muajt e parë të sundimit taliban.
Gjithashtu i përhapur është besimi midis ish-ushtarëve, përkthyesve dhe punonjësve të Qeverisë së Afganistanit se ata ishin braktisur nga SHBA-ja, dhe se ish-Qeveria afgane vodhi fondet që i ishin ndarë ushtrisë.
Këto pretendime janë mbështetur nga një raport i fundit i Business Insider që dokumenton se ish-zyrtarët afganë kontrabanduan afro 1 miliard dollarë ari dhe para nga vendi, teksa Qeveria e tyre po i afrohej kolapsit.
Në nëntor, Inspektori i Përgjithshëm Special i SHBA-së për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) përmendi korrupsionin si ndër faktorët që përshpejtuan rënien e Qeverisë afgane dhe i hapi rrugën talibanëve për të rivendosur kontrollin në Afganistan.
Dhjetëra mijëra trupa afgane që luftuan përkrah forcave aleate perëndimore për gati dy dekada në Afganistan besohet se kanë mbetur pas kur Shtetet e Bashkuara tërhoqën forcat e tyre të fundit më 30 gusht 2021.
Teksa rreth 80.000 afganë të rrezikuar u larguan me avionë, duke shkaktuar shqetësime se dhjetëra mijëra trupa të stërvitur nga SHBA-ja që nuk kishin alternativë tjetër veçse të largoheshin nga vendi, ose t'iu bashkoheshin talibanëve.
Shumë prej tyre u fshehën në Afganistan duke rrezikuar të ndiqen nga talibanët, ose u larguan nga vendi. Sipas disa llogarive, deri në 30.000 ish-ushtarë afganë shkuan në Iran.
Duke luftuar për dollarë
Ish-ushtari që diskutoi situatën e tij në WhatsApp tha se ai iku në Iran për sigurinë e tij dhe kishte jetuar atje për disa muaj. Pasi dëgjoi se grupi Vagner po rekrutonte afganë për të luftuar në Ukrainë, ai tha se u regjistrua.
"Afganistani, NATO dhe Shtetet e Bashkuara na sollën si të rinj dhe na braktisën", tha ai. "Rusia filloi një program. Ata rekrutojnë njësi të caktuara dhe i çojnë në luftën në Ukrainë. Kështu, një numër i shokëve tanë ushtarë u regjistruan dhe ne do të shkojmë së shpejti në Rusi".
Një tjetër ish-ushtar, në një audio-incizim të postuar në të njëjtin kanal të WhatsApp-it më 3 dhjetor, tha se ai dhe një grup kolegësh kishin mbërritur kohët e fundit në Iran me synimin për t'u bashkuar me Vagnerin për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, pasi kishin dëgjuar për ofertat e rekrutimit të grupit mercenar.
Ai pretendoi se Irani ishte në dijeni të përpjekjeve të rekrutimit dhe madje po ndihmonte procesin e transferimit të ushtarëve afganë në Rusi.
"Ne ishim në Afganistan dhe kishte shumë zëra që po përhapeshin se ish-personeli ushtarak kishte shkuar në Rusi përmes Iranit", tha ushtari, duke folur në kushte anonimiteti. "Ne jemi regjistruar këtu në Iran. Ata transferuan disa njerëz para nesh."
Ushtari tha se ish-ushtarëve afganë u ofrohej shtetësia e përhershme në Rusi në këmbim të luftimeve në Ukrainë.
Ish-oficeri i forcave speciale tha se vendimi i tij për t'iu bashkuar me Vagnerin ishte i ndikuar nga shqetësimet e sigurisë në Afganistan, ku tha se ai dhe shokët e tij ushtarë kishin jetuar në fshehje dhe varfëri për 14 muaj, dhe mundësia për një jetë më të mirë për familjen e tij e shtyu këtu.
"Ne erdhëm vetëm, por një numër i atyre që u transferuan më herët janë tani me familjet e tyre [në Rusi]", tha ai. “Vendosëm të shkojmë për shkak të situatës sonë dhe të fëmijëve tanë".
"Ne nuk mund të dilnim nga shtëpia. Shumica e miqve tanë u arrestuan dhe u vranë, dhe shumica e tyre, si unë, ikën në Iran ose Taxhikistan", tha ai.
Ish-oficeri afgan vlerësoi se, bazuar në bisedat e tij, rreth 2.500 ushtarë afganë ishin larguar nga Afganistani me synimin për të shkuar në Rusi, ku tha se atij i ofruan 2.500 dollarë për gjashtë muaj trajnim dhe 3.000 dollarë pasi të shkonte në Ukrainë për të luftuar.
Këto shifra korrespondojnë afërsisht me raportet dhe dëshmitë e tjera në lidhje me përpjekjet e rekrutimit të Vagnerit, të cilat thonë gjithashtu se trupave të forcave speciale afgane dhe familjeve të tyre u ofrohej strehim i sigurt dhe 1.500 dollarë në muaj për t'u transferuar në Rusi dhe më pas për të luftuar në Ukrainë.
Gjenerali Farid Ahmadi, një ish-komandant i korpusit të operacioneve speciale të Republikës së rrëzuar të Afganistanit, i tha Radio Azadit se ai beson se shqetësimet e sigurisë dhe shqetësimet financiare po i shtyjnë shumë ish-ushtarë afganë të mendojnë të luftojnë me Vagnerin.
"Problemet serioze të sigurisë dhe problemet ekonomike, varfëria dhe dëshpërimi ekstrem i kanë detyruar ata ta bëjnë këtë për një kafshatë bukë, për të mbijetuar dhe për t'i shpëtuar ndjekjes dhe torturës së talibanëve", tha Ahmadi në një intervistë përmes Skype-it këtë muaj.
Radio Azadi ka dokumentuar jetën e disa ish-ushtarëve afganë që jetojnë në Iran, ku ata thonë se janë duke u rrëmbyer nga statusi i tyre i humbur dhe situata e rëndë financiare.
Sayed Ahmad Nouri, 38-vjeçar, tha se dikur ka shërbyer si komandant i forcave speciale në Afganistanin perëndimor, por tani duhet të mbledhë mbeturina në Mashhad për të siguruar jetesën e familjes së tij të madhe.
Nouri tha se ai drejtonte qindra trupa, dhe se "tanket lëviznin nën komandën time dhe unë kisha autoritet të plotë", ndërsa shërbeja me AKSH-in. Tani, tha ai, familja e tij 12-anëtarëshe jeton në një apartament me një dhomë dhe tha se "po flemë njëri mbi tjetrin".
Abdul Ahad Safi, një ish-zyrtar i cili drejtoi një departament qeveritar që lufton krimin e organizuar në provincën Herat të Afganistanit, tani bën punë fizike në një punëtori në Mashhad për të mbështetur familjen e tij pesë anëtarëshe.
Ai tha për Radio Azadin se “mezi e mban veten në jetë” sepse “të ardhurat e mia nuk i mbulojnë shpenzimet tona”.
Përveç luftës së Rusisë kundër Ukrainës, një numër i vogël i ish-ushtarëve afganë janë rekrutuar për të luftuar në konflikte të tjera, përfshirë për Iranin në Jemen, dhe në Siri, edhe në Nagorno-Karabak, sipas Ahmadit.
Nuk ka pasur asnjë provë që forcat afgane kanë arritur në fushëbetejë në Ukrainë, dhe shërbimi i sigurisë së vendit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse afganët luftonin për Vagnerin në Ukrainë.
Në përgjigje të pyetjeve të REL-it, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se departamenti ishte në dijeni të raportimeve të pakonfirmuara se grupi Vagner po rekrutonte ish-ushtarë afganë që jetojnë jashtë Afganistanit.
"Ne e kuptojmë se disa afganë mund të jenë të cenueshëm ndaj nxitjeve monetare [të Vagnerit], por do të paralajmëronim këdo që të mos bashkohet në pushtimin e paligjshëm të Ukrainës", tha zëdhënësi, duke shtuar se grupi Vagner "përdoret nga Qeveria ruse për të mbështetur të rrezikshmen dhe për të destabilizuar politikën e jashtme”.
Lidhur me pretendimet e ushtarëve afganë se ata ishin braktisur nga SHBA-ja, zëdhënësi pranoi vështirësitë që hasin afganët për tu larguar nga vendi, por tha se “ne vazhdojmë të monitorojmë situatën ekonomike të Afganistanit dhe do të ofrojmë ndihmë, aty ku është e mundur, për popullin e Afganistanit, si pjesë e angazhimit tonë të qëndrueshëm”./REL