Ish-zëvendëspresidenti Pence mund të dëshmojë në gjyq kundër Trumpit

Ish-zëvendëspresidenti Pence mund të dëshmojë në gjyq kundër Trumpit

Mike Pence

Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara nga Partia Republikane, Mike Pence, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të qenë dëshmitar i prokurorisë, nëse ish-shefi i vet Donald Trump përfundon në gjyq nën akuzat për orkestrimin e një konspiracioni kriminal për ta shfuqizuar disfatën e tij në zgjedhjet presidenciale më 2020.

I pyetur nga CBS nëse ai do të bëhej dëshmitar kundër Trumpit, nëse rasti shkon në gjykim, Pence tha se nuk ka “plane” për të dëshmuar, por nuk e hodhi poshtë mundësinë për ta bërë këtë.

“Por, njerëzit mund të kenë besim se ne do t’i bindemi ligjit, ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit, nëse vjen ajo, dhe ne thjesht do ta themi të vërtetën”, tha Pence, i cili po garon kundër Trumpit në garën për kandidatin e republikanëve për president.

Pence u bë figurë qendrore në aktakuzën e fundit kriminale që u ngrit ndaj Trumpit më 1 gusht nga Departamenti i Drejtësisë, e cila e ngarkon ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) me akuza se ka tentuar të mbetet në pushtet jashtëligjshëm, pasi i humbi zgjedhjet presidenciale kundër demokratit Joe Biden më 2020.

Para dhe gjatë certifikimit të fitores së Bidenit në Kongres më 6 janar 2021, Pence i mbikëqyri procedurat në rolin e tij ceremonial si president i Senatit të SHBA-së. Ai u përball me trysni të madhe nga Trumpi për ta shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve, por nuk pranoi.

Disa nga përkrahësit e Trumpit, të cilët shkaktuan trazira në Kapitolin e SHBA-së, brohoritën “vareni Mike Pencen!”

Ajo trysni e vazhdueshme dhe “shënimet e njëkohshme” që Pence i kishte marrë gjatë procedurave dhe trazirave të 6 janarit 2021, citohen shpesh në aktakuzën e javës së kaluar kundër Trumpit.

Në një pikë, aktakuza i referohet një telefonate të 1 janarit 2021, gjatë të cilës Trumpi e qortoi Pencen pse nuk kishte marrë pjesë në planin për ta shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Ju jeni shumë i sinqertë”, i kishte thënë Trumpi Pences.

Dëshmia e mundshme e Pences dhe shënimet e tij mund të bëhen pjesë kyçe për rastin e prokurorisë kundër Trumpit.

Për herë të parë në fushatën fillestare, Trumpi e sulmoi Pencen të shtunën. Ai e mohoi se e kishte vlerësuar atë si “tejet të sinqertë”, por e quajti atë tani “Mike Pence i vogël”.

Fushata presidenciale e Pence ka dështuar të marrë hov deri tani, dhe ai madje rrezikon të mos ia dalë të jetë as në debatin e parë republikan presidencial në fund të këtij muaji, për shkak të mungesës së donatorëve.

Derisa ai ka mbetur shumë mbrapa, Trumpi është duke i prirë bindshëm garës së republikanëve, pasi ka shijuar rritje në sondazhe sa herë që është ngritur aktakuzë ndaj tij./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë