Gjermania i është bashkuar nismës së shteteve perëndimore për pajisjen me armë të 4 mijë ushtarëve kurdë në luftë kundër militantëve islamikë të ISIS, përparimet e të cilëve po kërcënojnë të destabilizojë Lindjen e Mesme .

“Terroristët e shtetit islam po veprojnë me brutalitet të pamëshirshëm. Është përgjegjësia jonë humanitare, por është edhe në interesin e sigurisë tonë”. Kështu e ka komentuar ministrja e mbrojtjes gjermane, Ursula von der Leyen, duke shtuar se dërgesat do të bëhen në tre pjesë, duke filluar këtë muaj. Ndërsa ministri i jashtëm Frank Valter Steinmeier tha se dërgimi i armëve në Irak nuk ishte një vendim i lehtë për Gjermaninë, por është vendimi i duhur.

Ndryshimin e kursit të politikës gjermane për mosdërgimin e armëve në një zonë konflikti, vetë kancelarja Angela Merkel e ka justifikuar duke thënë se Iraku bën përjashtim, për shkak të natyrës së dhunës së shtetit islamik.

Armatimet do të vijnë nga depot e ushtrisë gjermane ku do të përfshihen 30 pajisje anti-tank, 500 raketa, qindra forca të blinduara, 8 mijë pushkë, mitralozë dhe pistoleta, transportimi i të cilëve do të bëhet në 3 pjesë dhe me rreth 100 automjete.

Sipas analistëve, rrallë ndodh që Gjermania të dërgojë armë në një zonë konflikti. Rrjeti televiziv ARD në Gjermani raporton se pajisjet ushtarake kanë ndenjur për një kohë të gjatë në depot gjermane dhe shumica e tyre datojnë të jenë përdorur që në Luftën e Ftohtë. Gjermania ka dërguar më herët ndihma humanitare në rajonin kurd për të ndihmuar refugjatët e shpërngulur nga forcat islamike të ISIS.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)