ISKSH: “Ilaçet me rimbursim
ja kategoritë që përfitojnë”

ISKSH: “Ilaçet me rimbursim<br />ja kategoritë që përfitojnë”
TIRANE- Pacientët pritet të kenë një sërë përfitimesh përgjatë këtij viti dhe ato kanë të bëjnë konkretisht me uljen e çmimit të barnave, më shumë medikamente të rimbursueshme për pacientët, regjistër online si dhe check up-i që do të nisë për popullatën nga 40 deri në 64 vjeç. Por si do të funksionojnë këto? Drejtori i ISKSH-së, Astrit Beci në një intervistë për “Shqiptarja.com” tregon reformën që pritet të zhvillohet në parësor por edhe në spitale.
 
Jemi në fillim viti por edhe pak muaj pas marrjes së një mandati qeverisës, cilat janë objektivat tuaja për 2014?
Ne synojmë të kthejmë faqe në financimin e shërbimeve spitalore, duke hartuar dhe matur paketat e para të shërbimeve, të cilat më pas do të ofrohen për popullatën si në shërbimin publik ashtu edhe në atë privat. Bëhet fjalë për paketat e plota të kardio-kirurgjisë invazive, dializën, transplantit të veshkave dhe implantit koklear te fëmijët që nuk dëgjojnë, që pritet të jenë gati në fund të marsit. Është e rëndësishme të theksojmë se, hartimi i këtyre paketave, do të bëjë të mundur që, buxheti të ndjekë pacientin dhe nevojat reale.

Njëherësh, do të nxitet konkurrenca, pasi këto shërbime do të ofrohen si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Por blerja e këtyre shërbimeve, do të jetë dhe kosto-efektive. Një tjetër objektiv është dixhitalizimi në sektorin e shëndetësisë. Në kuadër të programit të Qeverisë për ngritjen e një sistemi unik dixhital shëndetësor, jemi duke punuar për një projekt të rëndësishëm, atë të zëvendësimit të  Librezës së Shëndetit me kartën e shëndetit (apo certifikatën shëndetësore).

Gjithashtu, tjetër ndryshim për rritjen e cilësisë, është përmirësimi i teknologjisë së informacionit, në funksion të forcimit të sigurisë së të dhënave. Do të forcohet lufta kundër fenomeneve abuzive nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me institucionet e tjera si dogana, tatime, gjendja civile etj. Do të krijohet gjithashtu, regjistri online i të siguruarve dhe gradualisht, do të shtrihet regjistri elektronik i pacientëve në nivel mjeku.

Gjithashtu këtë vit do të kemi një përmirësim dhe zgjerim të listës së barnave të rimbursueshme. Prioritet gjithashtu është realizimi një check up bazik për popullatën, si një ndër premtimet e vitit 2014 të Qeverisë së Kryeministrit z. Edi Rama.

Me heqjen e TVSH-së tek barnat a pritet të ketë një ulje të çmimit  të tyre dhe kur do të ndodhë kjo?
Heqja e TVSH-së apo taksës për barnat, do të hyjë në fuqi më datë 1 prill, kohë në të cilën presim të hyjë në fuqi edhe lista e barnave të rimbursueshme. Me heqjen e TVSH-së si dhe pas procesit të negocimit të çmimeve të barnave, ne presim një ulje të çmimit të barnave duke filluar nga 1 prilli i vitit 2014. Falë punës serioze të Ministrisë së Shëndetësisë, negocimi i çmimit të barnave këtë vit, do të sjellë një ulje sinjifikative të çmimeve.

Çdo pranverë Ministria e Shëndetësisë së bashku me ISKSH pas konsultimeve përcaktojnë edhe barnat që do të hyjnë si risi në listën e ribmbursimit. Këtë vit kush do të ketë prioritet?
Aktualisht jemi në procesin e diskutimeve për listën e re të barnave të rimbursueshme të vitit 2014, e cila pritet të ketë përmirësime, me shtim të barnave të reja dhe atyre alternative. Gjithashtu përmirësime do të ketë në kufizimet e listës lidhur me diagnozat, grupmoshat, sasitë e barnave etj. Në fokus do të jenë të sëmurët që vuajnë nga sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën, nga sëmundje që shkaktojnë invaliditet, nga sëmundje kronike me dekurs të zgjatur duke synuar ne uljen e shkallës se kronicizimit, me pak komplikacione dhe përmirësim të cilësisë së jetës për këta të sëmurë. Gjithashtu kategoria e grave në përgjithësi dhe ajo e grave shtatzëna në veçanti dhe ajo e fëmijëve.

Gjatë kësaj periudhe ju keni kryer një audit në pjesën më të madhe të institucioneve shëndetësore, çfarë ka rezultuar?  Aktualisht ne kemi intensifikuar kontrollet në të gjitha subjektet farmaceutike me kontratë. Edhe kontratat e këtij viti janë përmirësuar, duke i parë subjektet farmaceutike si partnerë, por njëherësh, janë forcuar masat në raste abuzimesh. Nga kontrollet e fundit në Tiranë, është ndërprerë kontrata me një depo farmaceutike për shkelje në lidhje me gjendjen e deklaruar të barnave si dhe është marrë masë administrative në vlerën 1 971 611  leke.

Ndërkohë që 3 raste abuzimi me barnat janë dërguar në Prokurori për ndjekje penale. Gjithashtu në Vlorë, për rimbursim të padrejtë të barnave të listës dhe për mosrakordim faturave të hyrje-daljeve të barnave të rimbursueshme, janë marrë masa për 9 farmaci në vlerat: masë shpërblim demi në total në vlerën  324 288.6 lekë, masë administrative, kusht penal në total në vlerën 30 000 lekë, masë administrative, gjobë në total në vlerën 49 000 lekë.
 
Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës