Ismail Kadare: Dhe njëqind jetë
të  jetoja, do të isha shkrimta

Ismail Kadare: Dhe njëqind jetë<br />të  jetoja, do të isha shkrimta
TIRANE- Shkrimitari i madh rrëfehet për romanin e tij "Mjegullat e Tiranës", shkruar gjatë kohës kur ishte student në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, në vitin 1957-1958.


VIjon nga numri i kaluar... Lexoni këtu pjesën e parë të intervistës

Kam ende të pabotuar edhe një novelë, “Barka në rërë”, shkruar përpara romanit “Mjegullat e Tiranës” 

Artisti i talentuar që, kur mbushi 17 vjetët, pati sukseset e para të ndjeshme në art, që kur kthehej në qytetin e lindjes e shihnin me kuriozitet, sepse vinte nga kryeqyteti, dhe që, për shkak të natyrës së ftohtë, indiferencës dhe talentit, shihej si mendjemadh nga meskiniteti i zakonshëm i provincës, artisti i ri që nuk ecte në normat e caktuara të jetës, që nuk rrinte me njerëz “të dëgjuar “të cilët s’pushonin së dhëni këshilla nga pozita e mësuesit artistik, që këshillat i dëgjonte me shumë skepticizëm, që linte leksionet, që bridhte me duar në xhepa duke i matur rrugët me vërshëllimë, jeni ju?

-Ashtu mendoj. Zakonisht ky tip quhej personazh negativ, por unë e pranoja me kënaqësi. Mendoj se është i njëjti personazh i novelës “Në dheun e huaj”. Në atë kohë tipa të tillë letrarë njiheshin si “njeriu i tepërt” (Eugjen Onjegini i Pushkinit, Peçorini i Ljermontovit). Ka gjasë që termi i saktë do të ishte “njeriu i gabuar”. Ndërkaq, në rusisht nuk përdorej shprehja “ashiboçnyj”, por “lishnyj çellovjek”, që s’ishte gjë tjetër veçse përkthimi fjalë për fjalë i stilemës frënge “homme de trop”, “njeriu i gabuar”.
 
Përtej pengesës nga mjedisi, artisti, personazhi i romanit, i quajtur Bardhyl, nuk do ta shohë më vajzën (Emën), nuk do të martohet me të, ta “konsumojë” ndjenjën në martesë. Çfarë është kjo frikë që ka artisti, mund të na e shpjegoni për lexuesit?

-Romani është shkruar në moshën njëzetvjeçare, kur ideja e martesës është vetvetiu e huaj. Aq më tepër personazhi është një student me ambicie të mëdha, në pritje të një ndryshimi tronditës në jetën e tij: udhëtimit në Moskë për studime të mëtejshme letrare. Shtojini kësaj edhe snobizmin rinor dhe xanxën e të qenit modern, për të kuptuar se martesa merrej si një mbyllje e jetës.
 
Ema është personazhi i parë në galerinë e personazheve-femra. Cili është emri më tingëllues, më i bukur i femrës në galerinë e personazheve tuaja? Cili është ai që doni më shumë?
-Përgjithësisht s’kam qenë ndonjë kërkues i qëllimshëm emrash. Me sa më kujtohet, “Ema” ishte një emër që përdorej prej meje dhe shokëve të mi, si një lloj nofke, për vajzën-personazh, që u përmend më lart. Ajo vetë e përdorte gjithashtu për vetveten. Si emër vajze ose gruaje i parapëlqyer prej meje ka qenë Ana. E kam vështirë të saktësoj arsyet. Tingëllimi universal i saj ka qenë ndoshta njëra prej tyre.

Anna Kern, gruaja njëzetetrevjeçare e gjeneralit Kern, me të cilën Pushkini i internuar pati një lidhje dashurie dhe i kushtoi vjershën më të famshme të dashurisë në letrat ruse: “Kujtoj atë çast të mrekullueshëm”, ka gjasë të ketë qenë një tjetër shtysë. Një vajzë ruse që e kam njohur dy-tri javë pas mbërritjes në Moskë, në shtator të vitit 1958, gjithashtu... Ndonjë tjetër rast s’përjashtohet. Siç e shihni, është një vargor rastësish, disi i brishtë.
 
Pas një mbrëmjeje vallëzimi, Emës i ka ndodhur diçka e rëndë - kjo është intriga që thuret për të prishur lidhjen e saj me Bardhylin. A mund të thuhet se intriga që thuret te “Nata me hënë” e ka pikërisht këtu zanafillën?
- Nuk më besohet. Megjithatë s’përjashtohet si mundësi.

Le t’i rikthehemi vendimit tuaj: pasi kishit thënë se nuk do të shkruanit më poezi, në vitin 2005 botoni poemën “Tirana në dimër”. A keni fituar apo keni humbur diçka me “thyerjen” e kësaj fjale? Së dyti, çfarë ndodhi me Tiranën, e cila, në vitet gjashtëdhjetë, ishte realiteti më i bukur, ndërsa në vitin 2005 është realiteti i vanitetit, korrupsionit, krimit?
-Jo, nuk kam humbur. “Tirana në dimër” është një poemë që duhej shkruar. Ka mbetur e huaj për kohën jo për faj të saj, por të kohës.
 
“Mjegullat e Tiranës” dhe “Tirana në dimër”, në këndvështrimin tim, përbëjnë një binom antitetik. Ka një binom antitetik në veprën tuaj qytet-provincë, ku i njëjti qytet është herë në njërin e herë në tjetrin cak. Qyteti i lindjes, Gjirokastra, del provincë te “Mjegullat e Tiranës” dhe te “Qyteti pa reklama”, por del një qytet mrekullor te “Kronikë në gur”. Po ky kalim, si ndodh? 
-Për letërsinë nuk besoj se ka qendra. Për studiuesit është tjetër gjë. Gjirokastra, qyteti ku kam lindur dhe jetuar gjer në moshën 17-vjeçare, nuk ka qenë për mua, asnjëherë, as qendër, as provincë.

Ashtu siç nuk ka qenë qytet i vogël ose i madh. Ka mbetur kështu i papërcaktueshëm. Ajo që di me siguri, është se do të më duhej të ikja larg, madje tepër larg, rreth tri mijë kilometra, për të shkruar, në Moskë, veprën e parë për Gjirokastrën, romanin “Qyteti pa reklama”. Romanin e dytë, “Kronikë në gur”, e kam shkruar në kryeqytet, në Tiranë, gati dhjetë vjet më pas. Për të tretin, “Çështje të marrëzisë”, do të më duhej, veç rënies së komunizmit, dyfishi i largësisë së Moskës, plus kapërcimi i Oqeanit Atlantik, pra Nju-Jorku, për ta shkruar atje.

Romanin e katërt dhe të fundit, “Darka e gabuar”, do ta shkruaja në Paris. Siç mund ta shihni, krijohet përshtypja e një pakti të veçantë midis meje dhe këtij qyteti. Siç mund ta keni vënë re, epiteti “i çuditshëm” përdoret sa herë që del një problem saktësimi. Në këtë rast mund të thuhet: i veçantë, trillan e njëherësh i palogjikshëm, për të mos thënë i krisur.

Me Gjirokastrën është fare i lehtë përdorimi i secilit prej tyre. Thelbi i paktit do të ishte: rri larg kur të shkruash për mua. Kam përshtypjen se janë të shumta qytetet që kanë pakte të ngjashme. Për Moskën e viteve studenteske, për shembull, kam shkruar, jo vetëm kur u gjenda larg, por edhe kur e humba çdo shpresë rikthimi. Gjendja në largim e shpjegon, me sa duket, arsyen se përse ka ca treva, për të cilat shkrimtarët e kanë lehtë të shkruajnë: ato të vdekjes.
 
Të ndalemi tani te vepra: ka studiues të cilët u drejtohen vetëm versioneve të para të veprave të para të një autori të caktuar. Kemi disa versione të “Gjeneralit”, të “Kronikës në gur”, të “Kështjellës”, të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Sa e rëndësishme është, sipas jush, vepra e parë e një shkrimtari?
-Nuk mendoj se vepra e parë e shkrimtarit ka ndonjë farë rëndësie të veçantë. Aq më pak se ajo mund të ketë ndonjë krahasim, ta zëmë, me dashurinë e parë, ose, më falni, me vrasjen e parë... Sa për studiuesit që iu drejtohen vetëm veprave të para, të them të drejtën, nuk i kuptoj. Në qoftë se, në ethet e rendjes pas postmodernizmit në kritikë, do të krijohej kjo fazë, le ta quajmë fazë “materniteti në letrat shqipe”, edhe për këtë s’do të dija ç’të thosha.
 
Nga ana tjetër, është e dukshme se nuk do të kemi version të mëvonshëm të “Mjegullave”...
-Jo vetëm është e dukshme tani, por ka qenë e tillë përherë. Kjo është një vepër që ka lindur e tillë, pa jetë. Shumë shprehje si kjo, që tingëllojnë të frikshme në përdorim, te ne, domethënë në letërsi, s’janë ashtu. Pa jetë, te ne, do të thotë pa jetë të mëtejshme. Pra, pa jetë publike, pa lexues. Autori e ndien kur vepra lind e tillë, si ato lule që s’kanë stinë tjetër. Janë ca shenja për këtë, por ato shenja është tepër vështirë t’i dallosh, e aq më tepër, t’i zbërthesh.
 
Si mundët, gjithsesi, të mos preknit asgjë në këtë tekst deri tani para botimit teksa besoni se prirja për të ndrequr diçka në vepër bën pjesë në lirinë e saj? Si i shpëtuat tundimit për të mos bërë ndërhyrje? Apo nuk u tunduat aspak?
-Nuk jam tunduar kurrë, përpara vitit 2012. Me sa duket, më është dukur e panatyrshme. Si një kundërkah, si dhunim. Ai tekst duhej të mbetej në atë trajtë të vet. Meqenëse u përmend fjala “liri”, kjo ka qenë ndoshta një formë e tij e lirisë. Më 2012 ndodhi ndryshimi.

Akti i parë i përgatitjes së një vepre të tillë, për të dalë në jetën publike, ka qenë daktilografimi. Teksti, i shkruar me dorë, u shtyp për herë të parë në një makinë shkrimi në vitin 2012, pas gati gjashtëdhjetë vitesh. Ishte herë e parë që po e lexoja, në të vetmen formë që isha mësuar të lexoj një dorëshkrim: të daktilografuar. Gjatë leximit kisha përshtypjen se radhë të tëra më zbardheshin përpara syve. Dukej sikur teksti e kundërshtonte, e sprapste leximin.
 
Ndoshta në këtë sprapsje lozte një rol ndonjë dilemë juaja për të mos bërë publike një ngjarje personale, për arsye etike? Personazhi i vajzës, për shembull, që, siç kuptohet nga biseda, ka qenë lehtësisht e identifikueshme. A keni pasur rast ta takoni më vonë, kur jeni bërë shkrimtar i njohur? Ç’mund të mendonte ajo për ndodhinë, për përshkrimin e saj? Dhe, kryesorja, a ka ngjashmëri midis ngjarjeve të përjetuara nga rrëfimi i tyre në vepër?

-Po e nis nga fundi: ngjashmëria. Është pyetja më e ndërlikuar në kësi rastesh. Është vështirë që ndodhia të ngjajë, por më e vështirë akoma, është të mos ngjajë. Ndryshe nga një parullë e njohur e komunizmit “kufiri ynë është i pakalueshëm”, kufiri letërsi-jetë e njëmendtë s’mund të jetë veçse i kalueshëm. Takimi me personazhin? Po t’ju them se qysh nga mbarimi i fakultetit të letërsisë në Tiranë, ku ishim të dy, pra, qysh nga ikja ime në Moskë, dhe gjer më sot, në këtë ditë që po flasim, nuk e kam takuar kurrë, ju ndoshta s’do të më besoni.
 
Tirana, ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takoje asnjëherë ish-mikeshën tënde.
-Megjithatë, kështu ka ndodhur. Sa herë që flitej për zmadhimin e Tiranës, më shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kur nga njëqind mijë banorë shkoi në dyqind mijë, mendova se kjo mund të përligjej disi. Por rastet e kundërta, domethënë të njohurit e shumtë, që më dilnin përpara, sidomos kur s’doja, ma hidhnin poshtë. Pastaj Tirana shkoi katërqind mijë, e më pas gjysmë milioni banorë, dhe tani mostakimi më ngjante i natyrshëm.

Por, kur një ditë në Paris, tek ecja më këmbë në St. Michel, u ndesha me botuesin tim gjerman nga Cyrihu, Egon Ammann, m’u kthye shpresa se takimit në Tiranë me vajzën e fakultetit të letërsisë do t’i vinte radha një ditë. Nuk ndodhi asnjëherë, madje, edhe pas rastit të pabesueshëm kur, një mëngjes, në një bar të Nju-Jorkut, m’u afrua dikush që më përshëndeti: hello, jam Dan Pope, ju kujtohet, jemi takuar para ca vitesh në Central Park, e mblodha mendjen se mund të kryqëzohesha në rrugë me Dan Pope, madje me kinezë që i kisha njohur në Shangai, veç me atë vajzën e fakultetit, në Tiranën e ngushtë, s’do të duhej të ndeshesha kurrë. Ishte e qartë se diçka e errët, por e epërme, e pengonte.

Ju ka munduar ndonjëherë ndjenja e humbjes? Nëse po, në ç’kuptim?
-Shumë herë. Në të gjitha kuptimet. Në radhë të parë, humbja rastësisht e dorëshkrimit. Besoj se nuk ka shkrimtar në botë që s’e ka përjetuar një gjë të tillë. Në radhë të dytë, edhe më keq, bastisja. Është i njohur si ankth nga gjithë shkrimtarët e vendeve tiranike. E kam provuar që larg, në tetor të vitit 1990, kur policia e Tiranës i mori krejt dorëshkrimet. E treta, zjarri, përmbytja, furia e vetë shkrimtarit (si në rastin e Nikollai Gogolit me pjesën e dytë të “Shpirtrave të vdekur”).
 
Zoti Kadare, a keni shkrime të tjera të pabotuara?
-Më duket vetëm një novelë, me titullin “Barka në rërë”, shkruar pak kohë përpara romanit që po flasim. Është ende e padaktilografuar. Pra, në gjendje të midistë, mes jetës dhe pajetës.
 
Dhe së fundmi, a keni dashur ndonjëherë, qoftë edhe në fëmijërinë e hershme, të bëheni dikush tjetër përveçse shkrimtar?
- Asnjëherë. Sidomos në fëmininë e hershme, atëherë kur kujtoja se e doja letërsinë marrëzisht, ngaqë isha i bindur se, sa më shumë ta doja, aq më i famshëm si shkrimtar do të bëhesha! (Më saktë, aq më i famshëm, isha, ndërkaq!!) Jashtë mahisë, mund të them se një tekst kënge, për dashurinë, që gjendet në një nga librat e mi, do ta përshtatja kështu për letërsinë:
“Dhe njëqind jetë të jetoja/
Në të njëqindtat do t’të doja.”

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike