Forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit ishin në fokus të takimit mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili dhe të ngarkuarës me punë të SHBA-së Nancy VanHorn në Tiranë.
Gjatë takimit, palët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa u theksua angazhimi për vijimin e reformës në drejtësi dhe përpjekjet kundër korrupsionit.
Ismaili nënvizoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të angazhimeve në kuadër të NATO-s, si dhe investimet dhe trajnimet për rritjen e sigurisë kibernetike.
“Mirëprita në takim të Ngarkuarën me Punë, Nancy VanHorn, me të cilën vlerësuam marrëdhëniet e ngushta bilaterale mes vendeve tona. Ritheksova angazhimin e shtetit shqiptar për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, vijimin e reformës në drejtësi, respektimin e angazhimeve të NATO-s në fushën e mbrojtjes, si edhe investimet dhe trajnimet për garantimin e sigurisë kibernetike. Në thelb të këtij përkushtimi mbetet sigurimi i një mjedisi të qetë e të sigurt për çdo qytetar, e ngritur mbi debatin konstruktiv dhe përgjegjshmërinë institucionale”, u shpreh Ismaili në rrjete sociale.
Komente












