Brenda takimit me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS, ka ndodhur një përplasje mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismailit, dhe deputetes Elisa Spiropali.
Në momentin që Ismaili ka marrë fjalën për të folur për strategjinë e komunikimit, mësohet se ka pasur një reagim prej Spiropalit. Nuk dihet ekzaktësisht çfarë mimike ka bërë deputetja, e cila më pas ka nxitur një ndërhyrje prej Ismailit.
“Ka ndonjë gjë për të qeshur këtu?”, i është shprehur Ismaili, që më pas është mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit duke i thënë se s’mund të ndërhyjë ndërsa flet ministrja.
“Gjërat duhen marrë me përgjegjësi dhe komunikimi ka po ashtu rëndësi dhe nuk është gjë për t’u marrë me të qeshur. Kështu e morën me të qeshur para 12 vitesh disa, edhe kur fliste Endri Fuga, por disa prej tyre nuk janë këtu.”
Më pas, situata ka përshkallëzuar, çka ka bërë që Rama të ashpërsojë tonet ndaj Spiropalit:
“Mos më detyro të vij vetë aty të të nxjerr jashtë.”
Sjellim në vëmendje që së fundmi, Spiropali iu përgjigj Ballës pas deklaratës së tij për mungesën e ish-deputetes gjatë seancës së 12 marsit në Kuvend kur do të votohej për imunitetin e Belinda Ballukut.
Balla tha se mungesa e Spiropalit do të vendosej para votimit të socialistëve.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha ai.
Nga ana e saj, nuk vonoi përgjigjja duke shprehur gatishmërinë, ndërsa kërkoi që të flitej troç:
“Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”, shprehej Spiropali.
Lajmi kryesor:
Rama mbledh deputetë e ministra, nis “punët për Shqipërinë”! Mazniku prezanton 4 variante për reformën territoriale, tur takimesh në vend deri më 12 qershor
Komente











