Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe thotë se kandidatura e Ogerta Manastirliut për drejtimin e bashkisë së Tiranës, erdhi si një emergjencë në shtatorin e kaluar, kohë kur kryeqyteti ishte në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
Vetë Braçe është ofruar për të qenë kandidat ndërsa thotë se sot PS ka të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përzgjedhur garuesin sipas asaj që parashikon dhe statuti i partisë. Partia Socialiste i përzgjedh kandidatët e saj për kryebashkiakë në bazë të sondazheve apo matjeve të opinionit publik, përlyeshmërisë së emrave të caktuar në zonën se ku do të garojnë.
“Janë ca gjëra që kur thuhen brenda shtëpisë mbeten brenda shtëpisë. Ishte një emergjencë në shtator, mund të ishte dhe ashtu gjëja, tani është koha e mjaftueshme që PS të bëjë një proces. Atë që parashikon statuti, siç bëhen për çdo bashki, mund të bëhen dhe për Tiranën”, tha Braçe për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj.
Deputeti thotë se dëshira për të qenë i pari i Tiranës nuk është një ambicie personale. Ndërsa kërkesën e depozituar në KQZ për të marrë të gjitha rezultatet individuale që nga zgjedhjet e vitit 1996, deputeti thotë se vlejnë vetëm për punën e tij dhe punët e bëra prej tij.
"Rezultati në kohë dhe në çdo territor vlen vetëm për punën dhe për punët, nuk vlen për karrierën. S’ka lidhje me ambiciet personale”, tha Braçe.
Braçe zgjodhi një takim me socialistët në Njësinë 5 në Tiranë për ta bërë të ditur ambicien e tij për Bashkinë e Tiranës. Pas mbledhjes së Asamblesë, të shtunën vonë në mbrëmje, Braçe shpërndau një status në rrjetet sociale, ku ai nuk e përmendte ofrimin e kandidaturës së tij për Bashkinë e kryeqytetit, por që fokusohej te diskutimet për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve, te puna dhe angazhimi për të ardhmen, dhe forcimi i Partisë duke u hapur e përfshirë sa më shumë të majtë. Si kandidat në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme të 2025-s, Braçe u rendit i dyti mes më të votuarve në të gjithë vendin me rreth 24 mijë vota.
Zgjedhjet lokale të radhës pritet të mbahen në pranverën e 2027-ës ndërsa aktualisht Tirana drejtohet nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 1 viti.
Komente












